PDK kërkon debat për krimet e pasluftës

Grabovci: "Nuk është përgjigje ndaj kërkesës së AAK për SHIK-un. Krimet kanë ndodhur, jo vetëm në Dukagjin, por në krejt Kosovën"

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar në Kryesinë e Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, në lidhje me krimet që janë bërë në Kosovë në periudhën e pasluftës. Një letër e PDK-së drejtuar kryesisë së Kuvendit për t’i diskutuar krimet e pasluftës ka marr përgjigje negative.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që vjen nga kjo parti, ka thënë se kërkesa ka qenë e paqartë dhe i është kërkuar të qartësohet.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se partia e tij synon t’i diskutojë të gjitha krimet që janë bërë pas luftës dhe të dihen kush janë autorët.

“Kjo nuk është përgjigje ndaj kërkesës së AAK për të hetuar SHIK-un. Krimet kanë ndodhur, jo vetëm në Dukagjin, por në krejt Kosovën”, ka thënë Grabovci.

AAK-ja opozitare javën e kaluar kërkoi komision hetimor për SHIK-un. Edhe partitë tjera opozitare kanë shprehur skepticizëm për këtë kërkesë të PDK-së, duke thënë se janë gjykatat ato që i zgjidhin çështjet.