Deputeti i ri me atlete dhe xhinse

25-vjeçari Zari Xhaferi, me prejardhje nga Gostivari, zgjedhet deputet kantonal në Parlamentin e Zugut

Po t`u hedhësh një sy listave të këshilltarëve (deputetëve) parlamentarë të kantoneve të ndryshme të Zvicrës, vështirë do ta kesh të gjesh ndonjë emër të huaj. Edhe më vështirë është të hasësh emra shqiptarësh në këto lista. Në fakt, pothuaj e pamundur. Ka vetëm një përjashtim: ai quhet Zari Xhaferi (Dzaferi). Është vetëm 25 vjeç, ndërsa në Parlamentin e Kantonit Zug ende nuk ka mbushur javën. Në pamje të parë, një djalë modest, i hajthëm që fare nuk do ta dalloje nga moshatarët e tij.

Por, preokupimet dhe angazhimet që ka Zariu nuk janë shumë tipike për moshën.  Pjesëmarrja në Parlamentin e kantonit, ku ai përfaqëson Partinë Socialdemokrate, është vetëm njëra nga shumë fushat ku Zariu çdo ditë sprovon veten. Studimet, puna e gazetarit, ajo e instruktorit për firmën “Adidas” dhe, së fundi, posti i deputetit e kompletojnë profilin e tij. “Sigurisht, studimet kanë përparësi”, thotë ai dhe shton “por, një ditë që e kam të lirë, e investoj në punët e tjera. Fundja, java i ka 7 ditë”.

Zari Xhaferi ka ardhur në Zvicër nga Gostivari në moshën 7-vjeçare. Bashkë me prindërit jeton në Baar të Zugut. Ka kryer gjimnazin dhe ndjek studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimet: gjuhë gjermane, gjuhë angleze, histori dhe sport, që zgjasin katër vjet e gjysmë. “Në dhjetor besoj t’i mbaroj”, thotë ai.

Pasionin për gazetari kolegu ynë i ri e ushtron në gazetën javore lokale “Zugerbitter Zeitung”. “Shkruaj për aktivitete të ndryshme që ndodhin brenda qytetit dhe kantonit. Prejse kam filluar angazhimin më serioz në politikë, nuk shkruaj për aktivitete politike. Duhet ruajtur neutralitetin…”

Një angazhim tjetër, mjaft specifik i Zariut, është puna e instruktorit për prodhimet e kompanisë së njohur gjermane të pajisjeve sportive “Adidas”. “Kryesisht bëj instruktimin e personelit nëpër përfaqësitë e Adidasit në Zvicër lidhur me pajisjet e reja, teknikat e reja të përdorimit të tyre etj.”.

Situata e nderë politike në vendlindje ka imponuar politizimin, qoftë edhe të pavullnetshëm, të shqiptarëve. Përjashtim këtu nuk bën as Zariu. Por pjesëmarrja e tij aktive në politikën e vendit ku jeton është e kohëve të fundit. “Angazhimin në strukturat partiake të SP-së e kam filluar në vitin 2008. Nga viti 2009 jam aktivizuar si anëtar i kryesisë për SP të komunës Baar, e pastaj së shpejti edhe anëtar kryesie i kësaj partie për kantonin e Zugut”.

Së fundi, para tre muajsh, Zariu hyri në zgjedhjet kantonale për postin e këshilltarit në Parlamentin e Kantonit. Me rezultatin e tij në zgjedhje, atij i mungonin disa vota për të mbërritur kuotën e duhur të këshilltarit. Por, një kolege e tij, për arsye të angazhimeve të saj, heq dorë nga posti dhe, i pari në radhë pas saj vinte Zariu.

Kështu ai i hyri me vullnet edhe punës së këshilltarit. Lëmenjtë në të cilët dëshiron të profilizohet në punën e tij parlamentare thotë se janë shkollimi i fëmijëve, problemi i banesave sociale dhe integrimi. Ky i fundit, thotë ai, është edhe i kuptueshëm për të si njeri me prejardhje të huaj. “Vetë fakti se unë, si i huaj, jam në parlament, flet mjaft për integrimin. Mirëpo, pikërisht kjo më obligon më shumë që të angazhohem më seriozisht për cilësinë e ligjeve që do të vihen për miratim nga kjo fushë”, thotë ai.

Zariu, meqë ka hyrë në ujërat e politikës, sigurisht që ka dhe ambiciet e veta politike. Mirëpo ai nuk parapëlqen hapa të mëdhenj dhe as fjalë të mëdha. Mendon se ka ende shumë për të mësuar. “Tash për tash duhet të njihem me punën në parlament, të vendos lidhjet me përfaqësues partish të tjera. Duhet rrjetëzim për të çuar çështjet përpara! Në një të ardhme mbase do të punoja edhe në qeverinë komunale, pra në ekzekutiv. Do të më interesonte të fitoj njohuri edhe nga kjo fushë”. Aktualisht duket se Zariu nuk ka ambicie për më lart. “Megjithatë, të shohim se si do të zhvillohen punët”.

Deputeti zviceran me rrënjë shqiptare ka mendimin e tij për zhvillimet në mesin e mërgatës sonë këtu. “Tash kemi një prerje në mes të gjeneratave. Pritet të bëhet interesante gjendja me rritjen e gjeneratës së dytë e të tretë të shqiptarëve këtu. Të rinjtë po integrohen. Nga ana tjetër, ne kemi probleme me identitetin. Nuk konsiderohemi vendës as në vendlindje, e as këtu…

“Ndërkaq Zariu thotë se personalisht nuk ka pasur ndonjë pengesë për të arritur deri këtu. “Pengesa konkrete nuk kam pasur, por normalisht si i huaj duhet të punosh pak më shumë se vendësit, e ke pak më vështirë. Puna jonë është t`i shfrytëzojmë këto shanse që i kemi. Të rinjtë tanë duhet të lidhen, të marrin kontakte, të hyjnë në jetën e këtushme. E di se një pjesë e tyre kanë probleme. Kjo shpjegohet sigurisht me shanset jo të mira të shkollimit, me ambientin familjar jo aq stimulues për arsimim etj.

E gjithë kjo sjell getoizimin e një pjese të të rinjve tanë. Dhe, pastaj ata bëjnë “reklamë” të keqe për ne të gjithë. Sigurisht që kemi problem me imazhin. Por kjo po ndryshon. Sepse gjeneratat e reja kanë më tepër mundësi të ndihmojnë fëmijët e tyre për t’ u gjetur më mirë në këtë shoqëri”, shprehet për albinfo.ch këshilltari më i ri i Parlamentit të kantonit të Zugut.