CH-Ballkani

Nëntë mbrëmjet e “Virgjëreshës së Betuar” në kinematë e Gjenevës

Filmi” Virgjëresha e Betuar”me skenar dhe regji të Laura Bispuri dhe Franceska Manieri,është shfaqur nëntë mbrëmje me radhë në kinemanë “ Grütli” të Gjenevës.

Ky film fundekrye është bazuar në romanin “Hana” të shkrimtares dhe publicistes Elvira Liçaj Dones.

Elvira Liçaj-Dones, si fëmijë tregoi  prirje për art e letërsi . Mirëpo gjatë qëndrimit në Shqipëri, shkroi
vetëm romanin” Dashuri e huaj” .

Talenti i saj u konkretizua paksa  me vonesë për shkak të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta  të politikës në shkencë,art e letërsi.

Zaten kjo edhe bëri që më 1988 Liçaj-Dones të marrë  vendim që të lë Shqipërinë.

Ajo shkon në Zvicër,dhe e gjendur në një ambient krejt ndryshe  nis punën si gazetare në televizionin qendror të kantonit Tiçino të Zvicrës.

Njohja e shkëlqyer e anglishtes, italishtes,frëngjishtes dhe spanjishtes,i  krijojnë mundësinë që deri vonë veprës së saj të vetme t’ia bashkangjesë  edhe  shumë vepra të tjera të krijuara në zhanre të ndryshme të letërsisë .

Mbi dhjetë vepra letrare ,shkencore dhe publicistike  të shkruara me shumë sinqeritet e mjeshtëri  nga Liçaj-Dones,janë mjaft tërheqëse  për të huaj e shqiptarë.

Më 2010, ajo ka realizuar dhe dokumentarin”Mos ma vrit tim atë”i cili është pritur jashtëzakonisht mirë nga kritikët e artit.

Një temë tabu  të heshtur, dhe fare të paprekur  të cilën gjatë e kemi trashëguar nga një kod relikt i shekullit të 15-të ajo  e ka shtjelluar më 2013 në Veri të Shqipërisë,duke takuar Hana Dodën të shndërruar në Mark Doda.

Këtë temë të veçantë e mjaft intime me personazhe reale  zonja Liçaj- Dones, e ka qit në letër duke shkruar romanin prej 224 faqeve “Hana”.

Ky roman përveç tematikës mjaft tërheqëse, dhe tmerrësisht reale e ka shtyrë regjisoren dhe skenaristen italiane relativisht të re Laura Bispuri që në konsultë me autoren Elvira Liçaj- Dones, të nisë skemën rreth  filmit  “Virgjëresha e betuar”.

Xhirimet janë bërë në Valbonë të Shqipërisë dhe në Milano të Italisë. Ndërkaq pjesë e trupës së filmit kanë  qenë aktorët nga Italia,Shqipëria dhe Kosova.

filmi

Filmi si bashkëproduksion i Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës, Italisë dhe Gjermanisë,ka debutuar me shumë sukses më  20 shkurt 2015 në Festivalin e filmit në Berlin “Berlinale Palast”.

Rolin kryesor në këtë film e luan aktorja me origjinë italiano-gjermane  Alba Rohrwacher,e shpërblyer si aktorja më e mirë në Festivalin e Venedikut.

foto 3

Ajo gjatë nëntëdhjetë minutave sa zgjat edhe ky film nëpërmjet  rolit të Hënës, mundohet  t’u jap shpjegim disa fenomeneve  dhe ngjarjeve të dhimbshme  që për kohën ishin të zakonshme në këto treva të thella  të  Alpeve Shqiptare.

Bjeshkët e Valbonës

Diku tridhjetë femra të këtyre zonave  malore janë transformuar  në  burrnesha.

Sakrifica finale e tyre ka qenë të mbeturit e virgjër gjatë gjithë jetës. Në të shumtën e rasteve ato janë shndërruar në burrnesha në mungesë të meshkujve në shtëpi.

Ato kanë ruajtur me mjaft besnikëri trashëgimin  e lënë nga  prindërit, dhe kanë rritur vëllezër e motra të mbetur jetimë.

Aty –këtu ka pasur  edhe ndonjë rast kur me transformim në burrneshë të përjetshme, është shmangur martesa   e  negociuar apo e padëshiruar.

Ky flijim i jashtëzakonshëm dhe tepër i dhimbshëm  i këtyre virgjëreshave  të përbetuara  përherë  ka provokuar  zonjën Liçaj –Dones, e cila me mjaft devocion i ka hyrë trajtimit  të kësaj teme  sa tronditëse aq edhe karakteristike.

Ajo këtë ngjarje të së kaluarës që për shumëkënd  ka qenë e panjohur dhe e pakuptueshme  e ka  çmbështjellë nëpërmjet  Hana Dodës, të shndërruar  përjetësisht  në Mark Doda.

Pastaj këtë  projektplan kjo autore produktive e ka jetësuar me romanin “Hana”, ku në plan të parë e ka vendosur Hana Dodën ,si kryeprotagoniste reale të ngjarjes.

Filmi “Virgjëresha e betuar”është  vlerësuar me notë të lartë dhe ka marrë çmimin “Nora Ephorn” në Festivalin”Tribeka “ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu ky film është shpërblyer edhe me çmimin ndërkombëtar të kritikës”The Internacional Critic Prize” i ndarë në Romë nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme  filmi “Virgjëresha e betuar”ka bërë dhe po vazhdon të bëjë xhiro në kinematë e Amerikës dhe të Evropës.

Ky sukses e motivon  edhe më tepër për role të reja aktoren Flonja Kodheli e cila në rolin e Lilës ka qenë brilante.

foto 4

Kodheli  e re në moshë posedon të gjitha predispozitat për të qenë një aktore e madhe.

Ajo, Akademinë e Muzikës , dega e pianos e ka kryer në Belgjikë,kurse  aktrimin  në Paris.

Po ashtu  roli i nënës së Hënës,i ka shkuar për shtati aktores   strugane  Ilire Vinca, e cila me përvojën e saj gati tridhjetë vjeçare në teatër e film në këtë rol ka dalë  tamam një nënë malësore e këtyre zonave.

foto e fundit

Me lojën dhe lëvizjet e tyre origjinale  shikuesin e  kanë bërë për vete edhe aktorët  Bruno Shllaku e Luan Jaha.

Vogëlushet  Drenica dhe Dajana  Selimaj nga Valbona e Tropojës, në këtë film kanë debutuar shumë natyrshëm, duke dhënë sinjale se rrugëtimi i tyre në botën e filmit mund të vazhdohet me sukses.

Qyteti i Gjenevës,i njohur ndërkombëtarisht për art e kulturë viteve të fundit në kinematë e tij ka prezantuar edhe tre- katër filma me temë  shqiptare. Nga këta filma duhet  veçuar filmi  “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, i cili më 2012 pati marrë çmimin e publikut të Gjenevës.

Një tjetër film me shikues të shumtë vitin që shkoi ishte edhe filmi “Babai” i regjisorit Visar Morina, i shfaqur po në një nga kinematë e Gjenevës.

Sigurisht  tema e zbërthyer me tepër mjeshtëri nga romancierja Liçaj – Dones, dhe  loja e kombinuar e aktorëve  shqiptarë me ata të  huaj ka bërë që gjatë nëntë netëve në qendër të vëmendjes të jetë filmi “Virgjëresha e  betuar”

Ky film  i metrazhit të gjatë  ka zgjuar sidomos kureshtjen e gjinisë femërore.

Studente e nxënëse  të shkollave të mesme nëntë mbrëmje radhas pa përjashtuar edhe gjininë tjetër e kanë  përcjell  me interesim të posaçëm këtë film me temë tepër interesante dhe krejtësisht të panjohur deri me tani.

Ky film i kushtueshëm është realizuar edhe në saje të mbështetjes materiale që ka dhënë Qendra e Kinematografisë së Kosovës.

Arif Ejupi