Lajme

64% e studentëve të huaj në Gjermani duan të qëndrojnë pas diplomimit

Një pjesë e madhe e studentëve të huaj që studiojnë në Gjermani shprehin dëshirën për të qëndruar në vend pas përfundimit të studimeve. Sipas një raporti të publikuar nga Shërbimi Gjerman i Shkëmbimit Akademik (DAAD), 64 për qind e të anketuarve planifikojnë të vazhdojnë jetën dhe karrierën e tyre në Gjermani, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Anketa u zhvillua me pjesëmarrjen e mbi 21,000 studentëve nga 132 universitete në Gjermani gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2023/24. Përveç dëshirës për të qëndruar, pothuajse gjysma e tyre, ose 49 për qind, shprehen se mund të fillojnë një biznes në vend.

Studentët e ekonomisë, inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike janë më të prirur të kërkojnë një të ardhme në Gjermani, ndërsa arsye kryesore për zgjedhjen e këtij vendi për studime janë përballueshmëria, perspektivat e karrierës dhe ofertat e shumta të programeve në gjuhën angleze.

Megjithatë, vetëm një e treta e studentëve ndihen të përgatitur mirë për të filluar një karrierë profesionale në Gjermani. Ata kërkojnë më shumë mbështetje në fushën e karrierës, kurse gjuhësore dhe ndihmë në ndërtimin e kontakteve me punëdhënësit, transmeton albinfo.ch.