Shkurt.ch

5700 kërkues azili gjatë nëntorit në Zvicër

Për shkak të rritjes së fluksit të refugjatëve, federata nga fillimi i vitit ka zgjeruar kapacitetet e strehimit nga 2300 në 5000 vende

Gjatë muajit nëntor ka pasur një shtim të ndjeshëm të numrit të personave që kanë kërkuar azil në Zvicër. Bëhet fjalë për rreth 5700 veta ose afër 1000 më shumë se në muajin paraprak.

Në takimin që kanë pasur të enjten përfaqësuesit kompetentë të nivelit qendror dhe të kantoneve është theksuar se ky fluks i rritur i azilkërkuesve mund të absorbohet nga strukturat ekzistuese, sa i përket strehimit të tyre dhe përkujdesjes.

Por, në takimin e përmendur është thënë se një grup pune ka marrë për detyrë që deri më 21 dhjetor të evidentojë 2500 vendet plotësuese të strehimit për azilkërkuesit, shkruan srf.ch. Këto vende pritet të jenë në qendrat e mbrojtjes civile dhe në objekte ushtarake.

Për shkak të rritjes së fluksit të refugjatëve, federata nga fillimi i vitit ka zgjeruar kapacitetet e strehimit nga 2300 në 5000 vende.

Me gjithë faktin se ditëve të fundit ka një rënie të numrit të kërkesave për azil, qendrat e pranimit të azilkërkuesve në nivel federal janë duke punuar me kapacitet të plotë.