Lajme

28 Nëntori në Neuenhof, dëshmi e qëndrueshmërisë kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër

Shkolla Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” zhvilloi programin solemn me pjesëmarrje të nxënësve, prindërve dhe përfaqësuesve diplomatikë

Në Neuenhof të Kantonit Aargau u zhvillua manifestimi tradicional i 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga “Shkolla Shqipe” në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri”. Në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor e arsimor morën pjesë dhjetër

a mësimdhënës, qindra nxënës dhe një numër i konsiderueshëm prindërish nga rreth 20 qendra mësimore shqipe në kantone të ndryshme të Zvicrës.

Hapja solemne: një mbrëmje e dedikuar gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar

Manifestimi u moderua nga ish nxënësja e shkollës, Lina Limoni, e cila hapi aktivitetin me intonimin e Himnit të Flamurit nga kori i Shkollës Shqipe – një moment që krijoi atmosferën ceremonial-kombëtare të mbrëmjes.

Në fjalën përshëndetëse, prof. dr. Vaxhid Sejdiu, në emër të Këshillit Oarganizues, vuri në pah punën e vazhdueshme të mësimdhënësve dhe rolin thelbësor të prindërve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor të fëmijëve në Zvicër.

Ai theksoi se: Të dashur prindër, ju jeni shtylla kryesore e ekzistencës së Shkollës Shqipe. Në emër të nxënësve dhe mësuesve në Zvicër, ju falënderojmë thellësisht për kontributin atdhetar dhe mbështetjen e vazhdueshme në kultivimin e identitetit tonë kombëtar.”

Duke vlerësuar mësimdhënësit si bartës të një misioni të rëndësishëm arsimor, Dr. Sejdiu u ndal edhe te rëndësia strategjike e shkollës shqipe në diasporë si model i suksesit kulturor dhe edukativ.

Pjesëmarrje institucionale: mesazhe mbështetjeje nga Shqipëria dhe Kosova

Manifestimi u nderua me praninë e përfaqësueseve të dy ambasadave shqiptare në Bernë:

Znj. Monika Zguro, nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë
Znj. Shukrije Ramadani, nga Ambasada e Republikës së Kosovës

Znj. Zguro vlerësoi programin artistik dhe theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë mbetet një prioritet që lidh brezat me kulturën e tyre amtare. Ajo përgëzoi LAPSH-in për punën dhe strukturën organizative të qëndrueshme.

Znj. Ramadani, në fjalën e saj, u shpreh e impresionuar nga paraqitja e nxënësve dhe falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin profesional, duke nënvizuar se diaspora shqiptare në Zvicër vazhdon të jetë një model shembullor i organizimit komunitar.

Afaristja dhe mbështetësja e Shkollës Shqipe, Merita Pinta, vlerësoi organizimin dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të shkollës.

Ajo theksoi se Dita e Flamurit mbetet një moment simbolik për komunitetin shqiptar dhe se mbështetja për shkollën shqipe është një investim i drejtpërdrejtë në ruajtjen e identitetit kulturor të fëmijëve.

Programi artistik: pjesëmarrje nga rreth 20 qendra mësimore në Zvicër

Manifestimi u pasurua me një program të gjerë artistik ku morën pjesë nxënës nga qendrat:

Neuenhof, Spreitenbach, Rümlang, Fahrweid, Cyrih-Affoltern, Regensdorf, Dällikon, Rüti, Rapperswil–Jona, Uster, Pfäffikon, Volketswil, Fehraltorf, Wetzikon, Zug dhe Buchrain.

Fëmijët interpretuan poezi dhe këngë patriotike, duke sjellë para publikut vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe motive muzikore tradicionale. Numrat e tyre u pritën me duartrokitje të gjata dhe evidentuan nivelin e mirë të përgatitjes nga mësimdhënësit.

Nga pjesa e vallëzimit u veçuan interpretimet e “Valljes së Pavarësisë” nga grupet e vajzave dhe performanca e nxënëseve Tea Idrizaj dhe Leandra Ametaj.

Mirënjohje për kontribuesit dhe urime për prindërit

Mësuesi Dr. Vaxhid Sejdiu ndau mirënjohje për kontribuesit dhe mbështetësit e Shkollës Shqipe, përfshirë personalitete të komunitetit, aktivistë, mësimdhënës dhe prindër të cilët kanë dhënë ndihmesë të vazhdueshme në mbarëvajtjen e shkollës.

Vlerësime të veçanta iu dedikuan prindërve që kontribuojnë rregullisht në organizimin e aktiviteteve dhe mbarëvajtjen e proceseve mësimore.

Mbrëmja u mbyll me interpretimin e korit të Shkollës Shqipe nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu. Kënga finale “Përjetësisht me ty Shqipëri”, e kënduar nga të gjithë nxënësit në skenë, simbolizoi bashkimin, krenarinë dhe aspiratën e komunitetit shqiptar në Zvicër për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të tyre.

Një model i qëndrueshëm i edukimit dhe identitetit në diasporë

Manifestimi i 28 Nëntorit në Neuenhof konfirmoi edhe një herë se Shkolla Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” mbetet një institucion kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar, në nxitjen e edukimit kulturor dhe në forcimin e lidhjes mes brezave të diasporës shqiptare në Zvicër.

(Fotot: Afrim Nevzati)