Kosova

Kosovë: Nga nesër rikthehet funksionimi i trafikut urban

Trafiku Urban i Prishtinës dhe operatorët privatë të transportit kanë vendosur të rifillojnë punën nesër, pas nëntë ditësh grevë. Vendimi është marrë pas një takimi të përbashkët midis përfaqësuesve të të dyja palëve.

Drejtori i Trafikut Urban, Qëndrim Vitija, dhe përfaqësuesi i transportuesve privatë, Avdyl Brajshori, kanë konfirmuar se do të rikthehen në qarkullim, edhe pse borxhi që Komuna u ka është shlyer vetëm pjesërisht.

Komuna e Prishtinës njoftoi se Ministria e Financave ka lëshuar vetëm një pjesë të të hyrave vetanake të vitit 2024 – rreth 2.7 milionë euro nga shuma prej 25 milionësh që i takon komunës. Edhe pse kjo shumë nuk mbulon borxhin total ndaj transportuesve, ata kanë vendosur të rifillojnë operimin për të mos bllokuar më qytetarët.

Greva kishte filluar më herët si reagim ndaj vonesave të pagesave, ndërsa rifillimi i punës pritet të normalizojë transportin publik në kryeqytet.