Bota

12 gazetarë nga Kosova mbesin në aeroportin e Venedikut

Një grup prej gazetarëve dhe kameramanëve të medieve nga Kosova kanë mbetur në aeroportin e Venedikut.

Siç tregojnë gazetarët e bllokuar, në biletat e dërguara përmes e-mail-it, nga Ministria e Kulturës, gazetarëve u shkruan se udhëtimi për Venedik bëhet me datë 8 maj përmes Stambollit, ndërsa kthimi me datë 11 maj gjithashtu përmes Stambollit.

Ndërsa me të arritur me kohë në Check-In në Aeroportin e Venedikut tek sportelet e ‘Turkisch Airlines’, gazetarëve u bëhet e ditur se në sistem figuron kthimi data 13 e jo data 11.

“Kemi kontaktuar agjencinë ‘Malesia Reisen’, ata po ashtu tregojnë se data 13 figuron si datë kthimi në sistem, ndërsa në biletat e dërguara nga Ministria e Kulturës që po ashtu ka logon e ‘Malesia Reisen’ figuron data 11 si datë kthimi, por që sipas agjencisë kjo biletë është bërë vetëm sa për aplikim vizë shengen për gazetarët që duhej aplikuar, dhe se Ministria ka ngatërruar biletat që iu ka dërguar në e-mail. Por në e-mail rezervimi i hotelit është bërë me datë 8 maj deri 11, dhe jo 13. Ish-ministrin Memli Krasniqi e takuam rastësisht në hapësirat e aeroportit dhe shfaqëm problemin, por Memli Krasniqi ishte për ngut, ngase i duhet të shkonte te fluturimi i tij dhe tha: “Merrne me pozitivitet”, duke buzëqeshur, ndërsa ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, së bashku me këshilltarin e tij Samir Hoxha nuk u ndalën hiç, edhe pse disa gazetarë kishin shkruar ankesat e tyre te këta persona përmes telefonit”, thuhet në njoftimin e gazetarëve.

Aktualisht grupi prej 12 personave kanë mbetur në aeroportin e Venedikut.

Lidhur me rastin portali rtv21.tv, ka provuar të kontaktojë me ministrin e Kulturës, Kujtim Gashin dhe këshlilltarin e tij, Samir Hoxha, por ende nuk ka marrë përgjigje nga ta, përcjell albinfo.ch.

Gazetarët nga Kosova në Venedik kanë qëndruar për për të ndjekur Bienalen e Venedikut, ku Kosova u përfaqësua nga artisti i mirënjohur, Alban Muja, i cili  ka paraqitur projektin e tij “Family Album”, që përshkruan vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës.