Skip to content

Meloni mund të japë dorëheqje në mars 2027, Italia përballë mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme

Mediat italiane raportojnë se kryeministrja Giorgia Meloni po shqyrton mundësinë e largimit nga detyra për t'i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare para përfundimit të mandatit. Megjithatë, ende nuk ka një vendim zyrtar.

Italia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë pranverës së vitit 2027, pasi kryeministrja Giorgia Meloni raportohet se po shqyrton mundësinë e dorëheqjes në muajin mars, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Meloni ka diskutuar me aleatët e saj politikë mundësinë e përfundimit të parakohshëm të mandatit qeverisës, për të krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në maj ose qershor të vitit të ardhshëm.

Një nga skenarët e përmendur është që kryeministrja të paraqesë dorëheqjen pas takimit të Këshillit Evropian, i cili pritet të zhvillohet në Romë në mars 2027, në kuadër të shënimit të përvjetorit të Traktateve të Romës.

Nëse ky skenar realizohet dhe shpallen zgjedhje të parakohshme, qytetarët italianë mund t’u drejtohen kutive të votimit më 16 maj, ndërsa një mundësi tjetër është organizimi i zgjedhjeve parlamentare në qershor, në të njëjtën periudhë me zgjedhjet vendore.

Kjo do të mundësonte mbajtjen e dy proceseve zgjedhore në një periudhë të përbashkët, duke përfshirë edhe qytete të rëndësishme si Roma, Milano, Napoli, Torino dhe Bolonja.

Raportimet bëjnë të ditur se brenda koalicionit qeverisës po diskutohen edhe kandidaturat për drejtimin e këtyre qyteteve, ndërsa partitë e shumicës po përgatiten për mundësinë e një fushate zgjedhore më të hershme.

Megjithatë, nga ana zyrtare, Qeveria italiane vazhdon të mbajë qëndrimin se legjislatura duhet të përfundojë në afatin e rregullt, në vjeshtën e vitit 2027.

Edhe vetë Meloni kishte deklaruar më herët se synimi i saj është të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit.

Në rast të një dorëheqjeje të mundshme, vendimi për zgjedhje të parakohshme nuk do të ishte automatik. Presidenti i Republikës së Italisë do të duhej të vlerësonte fillimisht nëse ekziston mundësia e formimit të një qeverie tjetër me mbështetje parlamentare.

Për momentin, zgjedhjet e parakohshme mbeten një skenar i raportuar nga mediat dhe jo një vendim i marrë nga institucionet italiane./Albinfo.ch