Komisioneri Federal për Mbrojtjen e të Dhënave paralajmëron për rritje të incidenteve gjatë vitit 2026, ndërsa inteligjenca artificiale konsiderohet një kërcënim real.
Rastet e shkeljes së sigurisë së të dhënave në Zvicër janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2026. Deri më tani, Komisioneri Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Transparencën, Adrian Lobsiger, ka raportuar 455 incidente.
Gjatë gjithë vitit 2025 ishin regjistruar 343 raste të tilla. Megjithatë, numri real mund të jetë dukshëm më i lartë, për shkak të shumë rasteve që nuk raportohen, ka deklaruar Lobsiger në një intervistë për të përjavshmen zvicerane në gjuhën gjermane SonntagsBlick.
Pas sulmit kibernetik ndaj një ofruesi të shërbimeve softuerike, të përdorura nga disa fonde zvicerane të pensioneve, Komisioneri Federal ka nisur javën e kaluar një hetim zyrtar. Për momentin, hetimi është përqendruar te ofruesi i jashtëm i shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT).
Megjithatë, Lobsiger nuk e ka përjashtuar mundësinë që në një fazë të mëvonshme hetimi të zgjerohet edhe te institucionet federale dhe fondet e pensioneve. Për shkak të konfidencialitetit të hetimit, ai nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për rastin konkret.
Komisioneri ka theksuar se ndërlidhja e të dhënave dhe eliminimi i sistemeve të izoluara të ruajtjes së tyre rrisin rrezikun e shkeljeve të sigurisë. Për këtë arsye, duhet të sigurohet që të transmetohen vetëm të dhënat absolutisht të nevojshme dhe që, gjatë testimit të sistemeve, të përdoren sa më shumë të jetë e mundur të dhëna të anonimizuara.
Në intervistë, Lobsiger e ka cilësuar si “real” kërcënimin që vjen nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, analiza e shkaqeve të sulmeve të raportuara tregon se, në shumicën dërrmuese të rasteve, pika e dobët nuk është vetë teknologjia, por gabimet njerëzore.
Burimi: SWI swissinfo.ch / Keystone-SDA