Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës, ku një grua ka humbur jetën. Sipas raportimeve fillestare, i dyshuari për vrasjen është kunati i saj, i cili dyshohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë.
Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria e Pejës. Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë të prokurorisë.
“Ka ndodhur një vrasje, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë të Policisë së Kosovës, me të gjitha njësitë relevante, si dhe kryeprokurorja dhe prokurorja e Krimeve të Rënda”, ka deklaruar Nikçi për Klan Kosova.
Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe avokatja Adelina Hoxha, e cila më herët e kishte përfaqësuar viktimën në çështje që lidhen me dhunën në familje.
Përmes një postimi, Hoxha ka bërë të ditur se gruaja, sipas saj, është vrarë me sëpatë. Në reagimin e saj, avokatja ka ngritur shqetësime për mënyrën se si janë trajtuar rastet e mëparshme të viktimës, duke kritikuar institucionet shtetërore.
Ajo ka shkruar se Arlinda i ishte përgjëruar, duke i thënë se jeta nuk kishte kuptim për të pa djalin e saj. Avokatja ka paralajmëruar gjithashtu se do të publikojë dëshmi lidhur me rastin.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve nga organet kompetente. Rasti është në zhvillim, ndërsa priten informacione të tjera nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.