Kur një kompani gjermane pyet sot për Kosovën, pyetja rrallë ka të bëjë me tregun vendor. Ka të bëjë me kosto, me kohë dhe me distancën deri te klienti evropian.
Besnik Vasolli thotë se kjo është pikërisht mënyra e duhur për ta parë vendin. Dhe se edhe diaspora po e ndryshon logjikën e vet: interesi po zhvendoset nga patundshmëria dhe biznesi familjar drejt prodhimit, teknologjisë dhe shërbimeve.
“Diaspora nuk po e sheh më Kosovën vetëm për investime në patundshmëri apo biznese familjare,” thotë ai. “Po interesohet për mundësi konkrete biznesi, partneritete, prodhim, teknologji dhe shërbime.” Veçanërisht brezi i dytë në Gjermani — ai që sjell edhe përvojë profesionale, kontakte dhe një mënyrë tjetër të punuari.
Bisedë për ofertën: çfarë ka Kosova, ku është e fortë dhe ku ende nuk është.
Le të fillojmë nga oferta. Çfarë i jep konkretisht Kosova një biznesi të diasporës apo një kompanie gjermane?
Një prej avantazheve më të mëdha është lidhja shumë e fuqishme njerëzore dhe ekonomike me Gjermaninë: një diasporë e madhe, njohje e gjuhës dhe e kulturës gjermane, dhe një fuqi punëtore relativisht e re. Kjo do të thotë se komunikimi, trajnimi dhe menaxhimi funksionojnë pa përkthyes në mes.
Shtojini afërsinë me tregjet evropiane, euron si valutë dhe kosto operative konkurruese në shumë sektorë. Por avantazhi që duhet ta zhvillojmë edhe më shumë është shpejtësia dhe fleksibiliteti: si ekonomi e vogël duhet të jemi në gjendje t’i trajtojmë investitorët më shpejt dhe më individualisht sesa vendet më të mëdha.
Ju këmbëngulni që Kosova të mos shihet vetëm si treg. Pse?
Sepse si treg është i vogël dhe llogaria nuk del. Për kompanitë gjermane është shumë e rëndësishme që Kosova të pozicionohet si lokacion prej nga mund të ofrohen produkte dhe shërbime për tregun gjerman dhe atë evropian.
Në momentin që e sheh kështu, nuk je më duke llogaritur sa njësi mund të shesësh brenda vendit, por sa mund të prodhosh dhe të eksportosh prej këtu. Kjo është një bisedë krejt tjetër.
Në cilët sektorë është oferta më e fortë sot?
Teknologjia informative, shërbimet digjitale dhe nearshoring-u (zhvendosja e shërbimeve në vende të afërta) kanë potencial shumë të madh. Po ashtu shohim interes në prodhim dhe bashkëpunim industrial, energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë energjetike, ndërtim, përpunim ushqimor dhe shërbime profesionale.
Potenciali më i madh është aty ku Kosova nuk konkurron vetëm me çmim, por kombinon talentin, shpejtësinë, fleksibilitetin dhe lidhjen me tregun gjerman.
Përveç kapitalit, çfarë kërkoni nga një investitor i diasporës?
Për mua, know-how-i është ndoshta edhe më i rëndësishëm se vetë kapitali. Kapitali mund ta financojë një fabrikë, por njohuria, teknologjia, standardet e menaxhimit, kultura e punës dhe qasja në tregje e bëjnë atë kompani konkurruese afatgjatë.
Diaspora jonë ka krijuar një kapital të jashtëzakonshëm profesional në Gjermani. Nëse një pjesë e kësaj përvoje transferohet në Kosovë, ndikimi ekonomik është shumë më i madh sesa vetëm shuma e investuar.
Dhe ana tjetër e ofertës — ku ende nuk jeni konkurrues?
Duhet të jemi të sinqertë. Nga përvoja jonë, problemi zakonisht nuk është një procedurë e vetme, por kombinimi: procedura administrative që marrin më shumë kohë sesa pritet, nevoja për më shumë qartësi dhe parashikueshmëri, gjetja e partnerëve të besueshëm dhe sigurimi i informacionit të saktë.
Për dikë që ka punuar shumë vite në Gjermani, standardi i pritshëm i administratës dhe i partnerëve biznesorë është shumë i lartë. Prandaj një pjesë e rëndësishme e punës sonë është që investitori të ketë që nga fillimi njerëzit dhe institucionet e duhura pranë vetes.
Çfarë vë Oda konkretisht në dispozicion?
Ne synojmë të jemi pika e parë e orientimit: informata për tregun, identifikim i partnerëve potencialë, lidhje me kompani dhe institucione, orientim gjatë hyrjes në treg dhe kontakte me ekspertë ligjorë, tatimorë apo profesionalë. I shoqërojmë investitorët në takime dhe përpiqemi që problemet t’i adresojmë me institucionet përkatëse.
Networking-u është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por duhet kuptuar si networking profesional, jo si njohje personale. Përmes takimeve B2B, vizitave në kompani, delegacioneve dhe Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar krijojmë kontakte që më pas shndërrohen në bashkëpunime.
Qëllimi ynë nuk është vetëm ta sjellim investitorin në Kosovë, por që investimi të jetë i qëndrueshëm dhe të zhvillohet më tej.
“Kapitali mund ta financojë një fabrikë. Njohuria e bën atë konkurruese.”
Çfarë do t’i thoshit një sipërmarrësi të suksesshëm që ende heziton?
Nuk do t’i thosha të investojë në Kosovë vetëm sepse është nga Kosova. Do t’i thosha: eja dhe shikoje Kosovën si mundësi biznesi. Bëje analizën, tako kompanitë, shiko talentin që ekziston këtu dhe vlerësoje vetë potencialin.
Kosova ende ka sfida dhe ne duhet të jemi të sinqertë për to. Por pikërisht sepse shumë sektorë janë ende në zhvillim, ekziston hapësirë e madhe për ata që hyjnë herët, sjellin standarde të larta dhe ndërtojnë diçka afatgjatë. Ndërsa Oda Gjermano-Kosovare është këtu që investitori të mos e bëjë këtë rrugëtim vetëm.
Çfarë vë Kosova në tavolinë
| Lidhja me Gjermaninë | Diasporë e madhe, kontakte të gatshme dhe njohje e gjuhës e kulturës gjermane — komunikim dhe menaxhim pa ndërmjetës. |
| Fuqi punëtore e re | Popullsi relativisht e re dhe talent në rritje, sidomos në ICT dhe shërbime digjitale. |
| Euro dhe afërsi | Valutë e njëjtë me eurozonën dhe afërsi me tregjet evropiane — pa rrezik kursi, pa distancë logjistike. |
| Kosto konkurruese | Kosto operative konkurruese në shumë sektorë, veçanërisht në prodhim dhe shërbime. |
| Shpejtësi dhe fleksibilitet | Avantazhi i një ekonomie të vogël: trajtim më i shpejtë dhe më individual i investitorit — sipas Vasollit, ende për t’u zhvilluar plotësisht. |
Ku është potenciali
Sektorët që Vasolli i veçon si më tërheqësit sot — dhe ata me hapësirën më të madhe në pesë vitet e ardhshme.
| TANI | PESË VITET E ARDHSHME |
| Teknologji informative dhe shërbime digjitale | ICT, inteligjencë artificiale, shërbime digjitale |
| Nearshoring | Nearshoring dhe shërbime profesionale |
| Prodhim dhe bashkëpunim industrial | Integrim në zinxhirët evropianë të furnizimit |
| Energji e ripërtërishme dhe efiçiencë | Energji e ripërtëritshme dhe infrastrukturë |
| Ndërtim | Përpunim i drurit dhe i metalit |
| Përpunim ushqimor dhe shërbime profesionale | Përpunim ushqimor |
Tri këshillat e Vasollit
| 01 | Plan, jo ndjenjë | Investo mbi bazën e një plani biznesi dhe të analizës së tregut — jo vetëm mbi bazën e lidhjes emocionale me Kosovën. |
| 02 | Due diligence | Zgjidh me kujdes partnerët lokalë dhe këshilltarët profesionalë, dhe bëj due diligence (verifikim I hollësishëm) para vendimeve të mëdha. |
| 03 | Kërko herët | Kontakto Odën dhe institucionet sa më herët. Shumë probleme parandalohen para investimit, jo pasi has në pengesë. |
Që oferta të bëhet konkurruese
| INSTITUCIONET | SEKTORI PRIVAT |
| Digjitalizim i procedurave | Investim në standarde dhe certifikime |
| Koordinim ndërinstitucional | Transparencë |
| Afate të qarta dhe të parashikueshme | Menaxhim professional |
| Aftercare pas realizimit të investimit | Gatishmëri për bashkëpunim ndërkombëtar |

