Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim në Bruksel me komisioneren evropiane për Start-up-et, Kërkimin dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, përcjell albinfo.ch.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Sipas Kusari-Lilës, takimi u zhvillua pas miratimit të Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor për forcimin e kërkimit dhe inovacionit.
Në qendër të diskutimeve ishte avancimi i bashkëpunimit me BE-në, rritja e pjesëmarrjes së studiuesve, universiteteve dhe bizneseve inovative të Kosovës në programet evropiane, veçanërisht në Horizon Europe, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i Fondit të Inovacionit.
Ministrja theksoi rëndësinë e avancimit të Ligjit për Inovacionin dhe krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të financimit, me qëllim mbështetjen e kërkimit, zhvillimit dhe ndërmarrjeve inovative, nga fazat fillestare deri te zgjerimi i tyre në treg.
Gjatë takimit, Kusari-Lila vuri në pah edhe rëndësinë e fuqizimit të rolit të grave në inovacion, si dhe të arsimit dhe aftësimit profesional, përfshirë arsimin dual, për përgatitjen e të rinjve në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Një tjetër prioritet i diskutuar ishte përfshirja e Kosovës në European Innovation Scoreboard, instrument që mundëson matjen dhe krahasimin e performancës së vendeve në fushën e inovacionit.
Sipas ministres, përmirësimi i mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave do të ndihmonte në hartimin e politikave më efektive dhe zhvillimin e ekosistemit të inovacionit në Kosovë.
Kusari-Lila theksoi se bashkëpunimi me partnerët evropianë dhe investimet në kërkim e inovacion janë të rëndësishme për shndërrimin e potencialit të Kosovës në ide, produkte dhe biznese konkurruese, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe për të rinjtë./Albinfo.ch