Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur të premten ceremonia e betimit të 515 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke shënuar gjeneratën më të madhe të rekrutëve të pranuar deri më tani.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e forcimit të ushtrisë dhe u zotua se gjatë mandatit aktual do të investohen mbi një miliard euro në sektorin e mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.
“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, deklaroi Kurti, duke iu drejtuar ushtarëve të rinj dhe familjarëve të tyre.
Kryeministri tha se gjatë mandatit të kaluar është trefishuar buxheti i ushtrisë dhe janë rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj. Sipas tij, Kosova ka realizuar blerje të armatimit në vlerë prej mbi 430 milionë eurosh, ndërsa FSK-ja është pajisur me sisteme të ndryshme mbrojtëse, përfshirë dronët Bayraktar dhe Skyguard.
Ai bëri të ditur se një gjeneratë tjetër rekrutësh pritet të nisë trajnimin gjatë këtij viti, duke theksuar se zgjerimi i kapaciteteve të FSK-së po realizohet më shpejt sesa ishte planifikuar fillimisht.
Kurti foli edhe për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes, duke paralajmëruar se deri në fund të vitit synohet të nisë prodhimi i municionit në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë. Ai ritheksoi gjithashtu synimin që ushtria e Kosovës të bëhet pjesë e NATO-s.
Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje ushtarëve të rinj që detyrën e tyre ta ushtrojnë me përgjegjësi dhe përkushtim, duke nënvizuar se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve të vendit.