Skip to content

Greqia miraton ligjin: Ndalohen rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Parlamenti grek ka miratuar ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Parlamenti i Greqisë ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15-vjeçare, në kuadër të masave për mbrojtjen e të miturve nga rreziqet e internetit.

Ligji u miratua të premten, më 23 tetor, pas debateve të gjata parlamentare, ndërsa zbatimi i tij do të fillojë më 1 janar 2027. Vendimi u mbështet nga partia në pushtet, Demokracia e Re, e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja, fëmijët nën 15 vjeç nuk do të lejohen të përdorin platforma të njohura si Instagram, Facebook dhe TikTok. Kompanitë teknologjike do të kenë detyrimin të zbatojnë sisteme të besueshme për verifikimin e moshës së përdoruesve.

Autoritetet greke kanë parashikuar përdorimin e mjeteve digjitale, përfshirë Kids Wallet, për të mundësuar verifikimin e moshës pa zbuluar të dhëna personale të panevojshme. Kufizimet synojnë platformat e rrjeteve sociale dhe nuk përbëjnë ndalim të përgjithshëm të qasjes së fëmijëve në internet.

Qeveria greke e ka arsyetuar vendimin me shqetësimet në rritje për ndikimin e përdorimit të tepërt të rrjeteve sociale në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Ndër problemet e përmendura janë varësia digjitale, çrregullimet e gjumit, vështirësitë në përqendrim dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.

Miratimi i ligjit ka shkaktuar edhe përplasje politike. Partia opozitare PASOK abstenoi gjatë votimit, ndërsa partitë e tjera opozitare kundërshtuan projektligjin. PASOK kishte propozuar një alternativë që parashihte ndalimin për fëmijët nën 13 vjeç dhe kontrolle prindërore për moshat 13 dhe 14 vjeç.

Me këtë vendim, Greqia i bashkohet vendeve që po ndërmarrin masa për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit, në një kohë kur mbrojtja e fëmijëve në mjedisin digjital është kthyer në temë të rëndësishme të debatit ndërkombëtar.