Administrata Tatimore e Shqipërisë ka identifikuar deri më tani 127 biznese të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë. Vlera totale e dëmeve të raportuara arrin në 2.15 milionë euro.
Sipas Top Channel, që u referohet të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, 55 biznese janë evidentuar përmes verifikimeve në terren, ndërsa 72 të tjera i kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Procesi i evidentimit dhe vlerësimit vazhdon. Punonjësit e administratës tatimore po kryejnë kontrolle në terren dhe po shqyrtojnë deklarimet e bizneseve për të përditësuar dhe saktësuar të dhënat mbi humbjet materiale.
Tatimet u kanë bërë thirrje subjekteve të prekura që dëmtimet në aktivitetin e tyre t’i raportojnë përmes shërbimit “Dëmi im”, të disponueshëm në portalin e-Albania.
Bilanci i deritanishëm përfshin dëme në ambiente dhe njësi tregtare të kryeqytetit, ndërsa vlerësimi i plotë i pasojave materiale mbetet në proces, përcjell albinfo.ch.