Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar në Budapest me presidentin e Hungarisë, András Baka, ku kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, zhvillimin ekonomik, integrimin evropian të Kosovës dhe çështjet e sigurisë në rajon, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008.
Gjatë takimit, ajo ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, arsimit dhe mbrojtjes.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe rrugëtimi evropian i Kosovës. Presidentja Shiroka Pula ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i vendit, duke kërkuar mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe për hapat e mëtejshëm të integrimit.
Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohje për kontributin e Hungarisë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar rolin e forcave hungareze në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.
Në përfundim të takimit, presidentja Shiroka Pula ka ftuar homologun e saj hungarez, András Baka, për një vizitë zyrtare në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.
Takimi është zhvilluar në kuadër të vizitës së presidentes Shiroka Pula në Hungari, me rastin e shënimit të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956./Albinfo.ch
Shiroka Pula takohet me presidentin e Hungarisë, në fokus integrimi evropian dhe bashkëpunimi dypalësh
0 Likes
0 Share
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është pritur në takim nga homologu i saj hungarez, András Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian dhe sigurinë rajonale.