Një shpikje inovative që mundëson largimin e barërave të këqija pa përdorimin e produkteve kimike është shpërblyer me Çmimin për Inovacionin Bujqësor 2026 në kantonin e Friburgut, në Zvicër, shkruan Keystone-SDA, përcjell albinfo.ch.
Projekti, i njohur si “fourche à rumex électrique”, përfaqëson një zgjidhje alternative për kontrollimin e barërave të padëshiruara në tokat bujqësore, duke përdorur teknologjinë elektrike në vend të trajtimeve kimike.
Sipas autoriteteve të kantonit të Friburgut, kjo teknologji është veçanërisht e përshtatshme për bujqësinë organike, por edhe për zonat e ndjeshme mjedisore, ku përdorimi i produkteve kimike është i kufizuar.
Juria e ka përzgjedhur njëzëri projektin fitues, duke vlerësuar efikasitetin e tij, mundësinë e zvogëlimit të punës fizike dhe kontributin në zhvillimin e një bujqësie më të qëndrueshme.
Fituesi është shpërblyer me 15 mijë franga zvicerane. Çmimi për Inovacionin Bujqësor ndahet çdo dy vjet dhe synon të mbështesë projektet më inovative në sektorin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Bulle është ndarë edhe çmimi i publikut, në vlerë prej 5 mijë frangash, për projektin “drone sentinelle”.
Kjo teknologji kombinon përdorimin e dronëve me sisteme të avancuara të matjes dhe gjurmimit për të identifikuar dhe monitoruar grerëzat aziatike, të cilat paraqesin rrezik për bletët dhe biodiversitetin.
Sipas organizatorëve, projekti synon të ndihmojë bletarët dhe fermerët në mbrojtjen e bletëve dhe prodhimeve bujqësore.
Për edicionin e sivjetmë, juria kishte përzgjedhur pesë projekte finaliste. Përveç dy çmimeve kryesore, tri projektet e tjera kanë përfituar nga 3 mijë franga secili si mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre.