Lajme

​Hapet Seminari i 34-të i Gjuhës, Letërsisë he Kulturës Shqipe

Kryeministri Isa Mustafa e ka quajtur Seminarin ambasador shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me botën

Më shumë se 100 albanologë nga gjithë vendet e botës kanë zbarkuar të hënën në Prishtinë për të marrë pjesë në Seminarin e 34 Ndërkombëtarë të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturën Shqiptare, i cili sot u hap zyrtarisht. Gjatë 11 ditëve të ardhshme sa do të zgjatë seminari, albanologët do të mësojnë zhvillimet më të reja të kombit shqiptar.

Ky seminar, siç u tha nga të pranishmit, ka luajtur dhe vazhdon të luaj rol të rëndësishëm në rrjedhën e proceseve kulturore dhe politike në Kosovë, ndërsa konsiderohet so ngjarja më e madhe kulturore e shkencore që mbahet brenda një viti.

Dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, Sedat Kuçi në rolin e nikoqirit të këtij seminar tha se në 34 vjetorin e këtij seminari, fillimi i tij paraqet një shenj dalluese për mbarë Kosovën.

“Për Fakultetin e Filologjisë dhe Universitetin tonë kjo ditë është një ditë e shënuar. Ky seminar siç është thënë edhe herëve të tjera, është bërë shenj dalluese, shenj nderi jo vetëm e fakultetit të Filologjisë dhe Universitetit të Prishtinës, por edhe e qytetit të Prishtinës dhe mbarë Kosovës”, tha Kuçi.

I pranishëm në këtë ngjarje krahas presidentes së vendit Atifete Jahjaga edhe kryeministri Isa Mustafa.

Para të pranishmëve, kryeministri e ka quajtur Seminarin ambasador shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me botën, duke vlerësuar sidomos vazhdimësinë kohore të organizimit, dimensionin e hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasat dhe pjesëmarrjen e studiuesve nga mbarë bota.

“Tanimë, mund të themi se ky Seminar është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, dimensionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe të gjithë atyre që po e japin kontributin e tyre në këtë Seminar”, tha Mustafa.

Një gjë është e sigurt, pa gjuhën shqipe të kultivuar ashtu siç e kemi bërë kombi ynë, sipas Mustafës, nuk do të mund të qëndronte përball valëve dhe historisë me të cilën jemi ballafaquar.

Ndërsa fjalë rasti para të pranishmëve mbajti edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovës Qemal Minxhozi i cili tha se përgjegjësia për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën shqipe nuk i takon një qeverie apo brezi, por çdo kujt që i thotë vetit shqiptar.

“Mungoj vetëm shtatë vite kur nuk është organizuar një seminar i tillë kaq prestigjioz që nuk ka vlerë vetëm për Kosovën, nuk ka vlerë vetëm për rajonin, për shqiptarët, por ka një vlerë shumë të veçantë edhe për ndërkombëtarët. Përgjegjësia për gjuhën shqipe, për kulturën shqipe, nuk i takon vetëm një qeverie, nuk i takon një brezi, por çdo njeriu që i thotë vetit shqiptar”, tha Minxhozi.

Ndërkaq, drejtori i Seminarit të 34-të Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, theksoi se këtë vit, ky seminar po e përmbushë edhe një komponentë të rëndësishme jo vetëm të emrit, por edhe të misionit të tij. Përveç  sesioneve shkencore në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë, sivjet Seminari, sipas tij, nisin edhe sesionet e veçanta për kulturën shqiptare në të gjitha dimensionet e saj.

“Seminari është tubimi më i madh dhe më i rëndësishëm i shkencave albanologjike, të cilat janë shumë-dimensionale dhe multi-diciplinare. Të dashur seminarist, që edhe sivjet vini nga anë të ndryshme të botës, mësoni edhe shqip, lexoni edhe shqip, shijojeni kulturën e Prishtinës dhe të Kosovës. Do të gjeni një shpirt të madh brenda”, tha ai.

Ndryshe Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.