Lajme
Zvicra shqyrton mundësinë e njohjes së shtetit të Palestinës
Në një kohë kur çështja e njohjes së shtetit të Palestinës po merr gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, Zvicra ka konfirmuar se po shqyrton seriozisht këtë hap por vetëm nëse përmbushen kushte të caktuara që lidhen me paqen dhe sigurinë në rajon, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Në një njoftim për shtyp të lëshuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA), Zvicra ka theksuar se njohja e një shteti palestinez mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete, e cila do të garantonte sigurinë e Izraelit dhe të drejtën për vetëvendosje të popullit palestinez.
“Një jetë paqeje, sigurie dhe dinjiteti për të gjithë njerëzit në rajon është e mundur vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete”, thuhet në deklaratën e FDFA-së, e cila u publikua në kuadër të një konference ndërkombëtare mbi Lindjen e Mesme që po mbahet në Nju Jork, me pjesëmarrjen e rreth 120 vendeve.
Në këtë konferencë, të udhëhequr nga Franca dhe Arabia Saudite, delegacioni zviceran i përfaqësuar nga Monika Schmutz Kirgöz, drejtoreshë e departamentit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut ka konfirmuar mbështetjen për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, në Zvicër debati rreth njohjes është i ashpër. Përfaqësues të partive të djathta si Marco Chiesa (SVP) dhe Damian Müller (FDP) paralajmërojnë se një hap i tillë do të përbënte një “turp kombëtar” dhe një shmangie nga neutraliteti tradicional i Zvicrës. Sipas tyre, njohja e Palestinës mund të përkeqësojë tensionet dhe të zbehë rolin ndërmjetësues të Zvicrës.
Në anën tjetër, partitë e majta, përfshirë Partinë Socialdemokrate (SP) dhe të Gjelbrit, mbështesin hapur njohjen. “Zvicra duhet të vazhdojë të shtyjë për njohje,” deklaroi Eric Nussbaumer i SP-së. Presidentja e të Gjelbërve, Lisa Mazzone, e cilësoi si të pakuptueshme hezitimin e Zvicrës, duke kujtuar se partia e saj ka kërkuar këtë njohje për dekada.
Zvicra, që ka shprehur publikisht tronditjen për përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës, ka rritur ndihmën për organizatat humanitare partnere që operojnë në terren, duke reaguar ndaj rënies së shërbimeve bazë dhe rrezikut akut të urisë.
Konferenca aktuale në Nju Jork pritet të pasohet nga një tjetër samit ndërkombëtar në muajin shtator, i cili do të organizohet nga Franca dhe Arabia Saudite, në përpjekje për të rifilluar bisedimet dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, një projekt që edhe Zvicra është e gatshme ta mbështesë me vendosmëri.
Aktualisht, më shumë se 140 vende në botë përfshirë mbi një duzinë vende evropiane e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës., transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt Më 14–15 prill 2026 mbahet Samiti IV i Diasporës Shqiptare... -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025 -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin













