Lajme

Zvicra ofron mbi një milion franga ndihmë pas uraganit “Melissa”

Pas uraganit Melissa, Zvicra mbështet Karaibet me një milion franga

Pas shkatërrimeve të mëdha që la pas uragani “Melissa” në Karaibe, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (EDA) ka njoftuar se do të ofrojë mbi një milion franga zvicerane në ndihmë humanitare për vendet më të goditura: Kubën, Haitin dhe Xhamajkën, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, fondet do të përdoren për të ndihmuar popullsinë e prekur, duke siguruar ushqim, ujë të pijshëm, strehim emergjent dhe ndihmë mjekësore. Përveç ndihmës financiare, EDA po dërgon edhe staf mbështetës në terren, për të ndihmuar në koordinimin e operacioneve dhe shpërndarjen e ndihmave në mënyrë efikase.

Uragani “Melissa” ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka lënë mijëra njerëz pa strehë në rajon. Për Zvicrën, kjo ndërhyrje humanitare është pjesë e angazhimit të saj të vazhdueshëm për solidaritet ndërkombëtar dhe reagim ndaj katastrofave natyrore.