Lajme

Zvicra, nikoqire e bisedimeve të paqes së Ukraines në janar

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se bisedimet për një plan paqeje do të mbahen në Zvicër në janar 2024 – një ditë para fillimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Në takimin e 14 janarit do të marrin pjesë këshilltarët e sigurisë të disa vendeve, ka thënë sot Ministria e Jashtme zvicerane për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, përcjell albinfo.ch.

Tema është e ashtuquajtura formula e paqes ukrainase për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus.

Bisedimet në Davos do të pasojnë një takim në Maltë në muajin tetor, ku morën pjesë rreth 70 vende nga e gjithë bota, si dhe Bashkimi Evropian dhe OKB.

Rusia nuk ishte e pranishme. Plani i paqes ukrainas parashikon tërheqjen e menjëhershme të të gjitha trupave ruse nga të gjitha territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë.