Lajme

Zvicra ndihmon Shqipërinë për menaxhimin e borxhit

“Shuma e dhuruar është modeste prej 450 mijë dollarë, por Zvicra është e përkushtuar për menaxhimin e financave publike”, deklaroi ambasadori zviceran Christoph Graf

Ministri shqiptar i Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, kanë nënshkruar një marrëveshje për financimin e projektit në vlerë 450 mijë dollarë, për menaxhimin më të mirë të borxhit dhe për ngritjen e kapaciteteve për analizat financiare.

Duke folur për këtë projekt, ministri i Financave ka falënderuar shtetin zviceran për këtë marrëveshje dhe ndihmën në këtë aspekt.

“Ministria e Financave ka një program deri në 2020 për përmirësimin e financave. Sistemi i borxhit aktual në Shqipëri e përmbushi qëllimin e vetë. Nuk ka arsye përse Shqipëria të mos ketë sistemin më të avancuar. Sot publikut i jepet garancia se do të kemi një analizë shumë më të thelluar e më të mirë”, tha Cani.

Ai tha se financat publike kanë marrë një zhvillim më të madh dhe shumë sisteme po përmirësohen. “Versioni numër 6 i programit të menaxhimit të borxhit dhe analizës financiare, DMFAS, synon mirëmenaxhimin e borxhit dhe ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të tij”, deklaroi ai citon “Shekulli”.

Ndërkohë, ambasadori zviceran tha se “Shqipëria është duke ndërmarrë reforma për menaxhimin e financave publike”.

“Shumë vende në këtë rajon kanë një sfidë me rritjen e borxheve publike, prandaj është e nevojshme që vende si Shqipëria të përmirësojnë kapacitetet publike. Shqipëria ka nevojë për një kuadër të mirë për menaxhimin e borxhit. Shuma e dhuruar është modeste prej 450 mijë dollarë, por Zvicra është e përkushtuar për menaxhimin e financave publike”, deklaroi Christoph Graf.

Shteti helvetik, siç tha ai, ka disa programe që mbështesin përmirësimin e treguesve makroekonomik në Shqipëri”, tha ai