Lajme

Zvicra ndihmon Kosovën në punësimin e të rinjve

Projekti do të zgjasë deri më 2016, për realizimin e së cilit janë ndarë rreth 7.2 milion franga

Zvicra dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje për ngritjen e shkallës së punësimit të të rinjve pas përfundimit të trajnimeve profesionale, shkollave, kolegjeve dhe universiteteve.

Ky projekt do të mundësojë përmirësimin e kushteve të tregut të punës për të rinjtë në Kosovë dhe njëkohësisht do u mundësoj punëkërkuesve qasje më të mirë në vendet e lira të punës dhe marrjen e vendimeve adekuate për orientim në karrierë të bazuar në informata. 

Bazuar në nevojat e sektorit privat, ky projekt do t’i mbështes shërbimet e zhvillimit të aftësive profesionale duke ofruar arsim dhe aftësim adekuat që do të rezultojë në krijimin e vendeve të reja të punës.

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenis Sociale, Nenad Rashiq ka falënderuar Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që Kosova ka me shtetin e Zvicrës dhe ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap përpara të krijimit të një shoqërie të përbashkët moderne dhe krijimin e një mirëqenie më të mirë për qytetarët.

Ndërkaq nga ana e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë SDC, Cristoph Lang është shprehur optimist se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje do të ketë përmirësim të gjendjes për punëkërkuesit kosovarë.

Lang tha se tani e tutje Zvicra do të përkrahë Kosovën më shumë në projekte të tilla sistematike.

Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë nga fillimi i këtij viti dhe do të zgjat deri më 2016, ndërkaq grupi i synuar i këtij projekti janë të rinjtë e moshës  15-30 vjeçare, të cilët kanë kryer arsimin dhe aftësimin në Kosovë dhe në mënyrë aktive kërkojnë punë pas diplomimit.

Projekti kap një kosto të përgjithshme rreth 7.2 milion franga.