Lajme
Zvicra lëshon urdhër-arresti për tre hakerë pro-rusë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës (ZAP) ka lëshuar urdhër-arresti për tre anëtarë të dyshuar të grupit haker pro-rus “NoName”, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar për çmontimin e këtij rrjeti kibernetik, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Grupi është përgjegjës për disa sulme DDoS (Distributed Denial-of-Service) ndaj institucioneve federale zvicerane gjatë viteve 2023 dhe 2024. Ndër faqet e prekura përfshihet edhe ajo e Parlamentit Zviceran, e cila u bë e padisponueshme në qershor 2023, në kohën kur Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim video në Parlamentin Federal.
Sipas ZAP, sulmet kibernetike janë përsëritur edhe gjatë momenteve të tjera të rëndësishme politike dhe mediatike, si vizita e ish-Presidentit zviceran Alain Berset në Kiev (nëntor 2023), Forumi Ekonomik Botëror në Davos (2024 dhe 2025), Konferenca për Paqen në Ukrainë në Bürgenstock (qershor 2024) dhe Konkursi i Këngës në Eurovision në Bazel (maj 2025).
Hetimet, të udhëhequra nga Europol dhe me pjesëmarrjen e Policisë Federale Zvicerane (fedpol), identifikuan tre persona që besohet të jenë figura kyçe të grupit “NoName057(16)”. Për këta tre individë, që jetojnë në Rusi, janë hapur procedura penale dhe ZAP ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, por procedurat do të pezullohen derisa ata të arrestohen, transmeton albinfo.ch.
Të martën u zhvilluan operacione të gjera policore në disa vende evropiane, ku u sekuestruan pajisje kompjuterike dhe u kryen arrestime. Në total u lëshuan shtatë urdhër-arreste ndërkombëtare, përfshirë ato për drejtuesit e grupit, njoftoi agjencia Eurojust. Deri tani, autoritetet zvicerane nuk kanë identifikuar ndonjë person të përfshirë brenda territorit të Zvicrës.
Grupi “NoName” rekrutonte anëtarë dhe koordinonte sulmet përmes një shërbimi mesazhesh, duke mobilizuar mbi 4.000 përdorues nga e gjithë bota për të ndërmarrë sulme ndaj faqeve të qeverive dhe institucioneve perëndimore.
Sulme të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera evropiane. Në Suedi u goditën faqet zyrtare dhe bankat gjatë zgjedhjeve, ndërsa në Holandë hakerët sulmuan infrastrukturën dixhitale gjatë samitit të fundit të NATO-s.
Autoritetet zvicerane kanë theksuar se siguria kibernetike mbetet një prioritet kombëtar, ndërkohë që bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për përballjen me kërcënimet gjithnjë në rritje nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar Një mjek shqiptar në Kanada ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me makinë...
-
Shtyhet Samiti i katërt i Diasporës
-
Berlin
Arkitektja Dua Ramaxhiku diplomon në Berlin me temën “Kalaja e Mitrovicës”
-
Kreshnik Dreshaj nga Peja diplomon në Amerikë
-
Britani
Çifti Bujupi fiton 600 mijë euro në lotarinë britanike: Do ta ndihmoj nënën në Kosovë
Jeta në Austri
-
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 Çmimet e shtëpive për një familje në Austri u rritën me 2.2% në fillim të vitit...
-
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025
-
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese
-
Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente
-
Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz