Lajme

Zvicra identifikon 130 viktima të mundshme të trafikut të qenieve njerëzore

Zyra Federale e Policisë në Zvicër ka identifikuar 130 viktima të mundshme të trafikut të qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual në vend. Ky rezultat u arrit falë pjesëmarrjes së Zvicrës këtë vit në ditët e përbashkëta të veprimeve evropiane “OP CHAIN”, të udhëhequra nga Europol.

Falë koordinimit në nivel kombëtar, Zyra Federale e Policisë (Fedpol) zhvilloi operacione në zona problematike në 11 kantone dhe u përqendrua në viktimat dhe autorët e krimeve në Rumani.

Dy policë rumunë gjithashtu ofruan mbështetje në terren. Fedpol kontrolloi 457 persona, inspektoi 148 vende dhe realizoi 32 kontrolle policore.

Mobilizimi në kantonin Valais

Policia kantonale e Valais-it bëri me dije në një komunikatë për shtyp të enjten se mori pjesë aktive në këto veprime. Ata mobilizuan 250 punonjës nga autoritetet kantonale dhe komunale. Në kanton u inspektuan shtatë sallone, ku nuk u gjetën prova që të dyshohej për trafikim të qenieve njerëzore.