Lajme
Zvicra dhe “hisja” e saj në themelimin e UÇK-së
James Pettifer ka prezantuar në mënyrë të përmbledhur hulumtimet e tij të bëra në Zvicër, mbi rrethanat që ndihmuan zhvillimin e UÇK-së
Studiuesi i shquar i historisë më të re dhe aktualitetit të Kosovës e të Shqipërisë, profesori i Universitetit të Oxford-it James Pettifer ka mbajtur të premten që shkoi një ligjëratë interesante në Universitetin e Cyrihut, në organizim të Institutit për Histori të Evropës Juglindore pranë këtij universiteti. Prezantimin e portretit të Pettiferit e ka bërë përfaqësuesja e institutit në fjalë, dr. Nada Boskovska.
“UÇK – një histori zvicerane” titullohej ligjërata, e ndjekur me vëmendje nga një auditor i gjerë, i përbërë kryesisht nga studentë, shqiptarë dhe të tjerë. Në këtë ligjëratë Pettifer ka prezantuar në mënyrë të përmbledhur hulumtimet e tij të bëra në Zvicër, mbi zhvillimin e UÇK-së, formacion ky që, për shumëçka fillimet e para i ka pikërisht në këtë shtet. Përse pikërisht në Zvicër? – pyet Pettifer, për t`iu përgjigjur pastaj vetë kësaj pyetjeje. Sepse Zvicra është një vend ku qarkullon para e madhe dhe janë pikërisht paratë ato që i duheshin një ushtrie në themelim. Pastaj Zvicra është njëmend i përshtatshëm për të mbledhur fonde, edhe për shkak të hapësirës jo të madhe të saj.
Në vazhdim, duke gërmuar në parahistorinë e grupeve që themeluan dhe mbështetën UÇK-në, Pettifer e vendos atë diku në vitet tetëdhjetë, kur grupe të përndjekurish politikë nga Kosova, që cilësoheshin nga ideologjia e tyre marksiste-leniniste, kishin gjetur strehë në Zvicër.
Njerëzit që bënin pjesë në këto grupe, sipas Pettifer vinin nga kushte të vështira dhe kishin me vete kujtime të rënda nga keqtrajtimet që kishin pësuar në burgjet jugosllave. Kjo, do t`i bënte ata më të motivuar dhe më rezistues ndaj rreziqeve, kur do të ndërmerrnin formimin e UÇK-së, është shprehur veç tjerash prof. Pettifer në ligjëratën e tij.
© albinfo.ch
Zvicra dhe Gjermania, dallimet në trajtimin e aktiviteteve politike antijugosllave
Në këtë kontekst ligjëruesi përmend aktivistët e parë që filluan punën politike me mërgimtarët shqiptarë në Zvicër. Këtu ai fut Ahmet Haxhiun, Kadri Zekën, Hydajet Hysenin e veprimtarë tjerë, të cilët nga Zvicra bashkëpunonin me Jusuf e Bardhosh Gërvallën në Gjermani, për të demaskuar pushtetin e atëhershëm jugosllav. Gjithçka kishte marrë vrull nga demonstratat që ishin mbajtur në mars-prill të vitit 1981 në Kosovë, me kërkesën politike për Kosovën Republikë, tha më tutje Pettifer.
Një temë interesante e ka prekur Pettifer duke bërë krahasimin e Zvicrës me Gjermaninë, sa u përket kushteve për zhvillimin e veprimtarisë politike të shqiptarëve atje. “Gjermania ishte shumë më e vendosur për të ndaluar aktivitetet antijugosllave të grupeve të atjeshme. Sigurimi gjerman kishte qasje në shërbimet jugosllave të sigurimit dhe me këtë edhe me nëntokën jugosllave, serbe”, ka thënë Pettifer. Si një tregues për këtë gjendje, Pettifer e konsideron edhe vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, nga shërbimet serbe. Vrasje këto që as sot e asaj dite ende nuk janë zbardhur.
Ishte me interes të përcillej depërtimi në thellësi dhe gjerësi që Pettifer kishte bërë në zhvillimet e organizimeve shqiptare në Zvicër gjatë viteve të para luftës në Kosovë. Ai ka shpalosur gjatë ligjëratës së tij të dhëna shumë të detajuara për ngjarjet dhe njerëzit e asaj periudhe. Dhe për to ka ruajtur gjithnjë distancën e duhur kritike prej studiuesi.
Pettifer: Nuk kam dilemë, lufta në Kosovë duhej nisur
I pyetur nga albinfo.ch lidhur me qëllimin e kësaj ligjërate, James Pettifer tha se është në realizim e sipër të një studimi mbi ndikimin e rrethanave në mesin e mërgatës shqiptare në Zvicër për lindjen e UÇK-së. Për këtë arsye ai qëndron herë pas here në Zvicër për të mbledhur sa më shumë informacione rreth temës.
Pettifer është bërë i njohur edhe me librin e tij “Kosova Express – një udhëtim në kohë lufte”, të botuar në gjuhën angleze dhe shqipe, ku ai në mënyrë shumë mbresëlënëse dhe me kompetencë ka përshkruar atmosferën e luftës në Kosovë. Në këtë libër, profesori Pettifer ka shkruar në superlativ për UÇK-në dhe për prijësit e saj të atëhershëm, të cilët kryesisht janë edhe sot në kreun e politikës kosovare.
Pyetjes sonë se çfarë mendon për akuzat e shumta të cilave ata sot u nënshtrohen nga të gjitha anët, dhe nëse ka ndryshuar qëndrimin që shpërfaqte në libër, Pettifer i përgjigjet: “Unë jam i bindur se lufta në atë periudhë ishte një veprim që duhej bërë. Këtu nuk kam dilemë. Akuzat që sot u bëhen ish krerëve të luftës, nuk kanë të bëjnë me këtë përcaktim. Pastaj nuk duhet harruar se në zhvillimet e pasluftës në Kosovë ndërthuren shumë interesa të ndryshme, përfshirë interesat ruse dhe serbe etj.”, thotë profesori James Pettifer.
E-Diaspora
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve Rekomandoj kontrolle të rregullta të fëmijëve, gjithsesi para hyrjes në shkollë. Shumë sëmundje mund të shërohen...
-
Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false
-
Burgim i përjetshëm për shqiptarin, ka vrarë bashkatdhetarin e tij
-
Si mund të votojnë shqiptarët jashtë vendit për Shqipërinë në Eurovision 2025?
-
Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025”
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri