E-Diaspora

Zvicra, 3.4 milionë franga për forcimin pushtetit lokal në Maqedoni

“Forcimi i këshillave komunale”, është projekti i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), që është promovuar të enjten para këshilltarëve të komunave në Maqedoni.

Në katër vitet e ardhshme, projekti me vlerë 3.4 milionë franga zvicerane do të implementohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Asociacionit të Pushtetit Lokal, raportojnë mediat në Shkup.

Qëllimi i këtij projekti është mështetja e një qeverisje të përgjegjshme dhe transparente lokale, në të cilën përfaqësuesit e zgjedhur do të punojnë së bashku në mënyrë efektive dhe demokratike për të përcaktuar prioritetet e zhvillimit në përputhje me nevojat e qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Projekti do të implemetohet në katër vitet e fundit nga tetori 2016 deri në qershor 2020.

Ambasadorja zvicerane në Maqedoni, Sybille Suter Tajada,  në konferencën e sotme në Mavrovë duke shënuar fillimin e projektit theksoi se mbështetja e këtij projekti është që të ofrojë mbështetje për procesin e decentralizimit në Maqedoni.

“Projekti synon forcimin e këshillave komunale në mënyrë të veçantë rolin e tyre mbikëqyrës mbi punën e administratës komunale.”, ka thënë Suter Tajada.

Ministrja e Pushtetit Lokal, Shyrete Elezi, tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm në procesin e decentralizimit për të forcuar kapacitetin e këshillave komunale.

“Projekti ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe rëndësinë e këshillave në marrjen e vendimeve nga kryetarët e komunave, sidomos në fushën e planifikimit të buxhetit.”, tha Elezi.

Faza e parë e projektit mbulon 24 komuna me trajnim dhe mbështetje financiare.