Brenda një jave, policia në kantonin Valais ndaloi dy skuterë elektrikë, të aftë për shpejtësi mbi 100 km/orë. Skuterët u konfiskuan dhe pronarët e tyre u raportuan, përcjell albinfo.ch.
Skuterët u ndaluan në Martigny dhe Zermatt. I pari, në duart e një ukrainasi 24-vjeçar, po udhëtonte me 113 km/orë, ndërsa i dyti, në duart e një lituanezi 42-vjeçar, arriti 126 km/orë, bëri të ditur policia e Valais të premten.
Në Martigny, skuteri u ndalua gjatë një kontrolli të trafikut pak para orës 6:30 të mëngjesit, më 5 prill. Duke qenë se nuk plotësonte kërkesat teknike ligjore, ai u testua në një rrotë matëse.
Policia theksoi se kufiri i shpejtësisë për skuterët elektrikë është 20 km/orë. Shoferët duhet të ndjekin të njëjtat rregulla si për mopedët e lehtë, duke përfshirë mbajtjen e kaskës.