Lajme

Zvicër: Parlamenti voton për ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimëshe

Parlamenti i Zvicrës ka votuar pro ndalimit të cigareve elektronike njëpërdorimëshe, të njohura si “puffs”, duke miratuar një mocion që synon t’i heqë këto produkte nga tregu zviceran. Këshilli i Shteteve miratoi mocionin të mërkurën me 19 vota pro dhe 11 kundër, duke ia përcjellë më tej Këshillit Federal për zbatim, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Mocioni u propozua nga deputeti Christophe Clivaz nga Partia e të Gjelbërve, i cili theksoi rreziqet që sjellin “puffs”, sidomos për të rinjtë. Ai paralajmëroi se këto produkte jo vetëm që përmbajnë nivele të larta të nikotinës  shpesh përtej kufijve ligjorë  por janë të dizajnuara për tërheqjen e adoleshentëve përmes aromave të ndryshme dhe paketimit ngjyrëngjyrë.

“Puffs” janë bërë të disponueshme në Zvicër që nga viti 2020 dhe janë shndërruar shpejt në trend tek të rinjtë. Deputetja Flavia Wasserfallen (PS/BE), në emër të komitetit, shprehu shqetësimin për ndikimin shëndetësor dhe mjedisor të këtyre produkteve, duke theksuar natyrën njëpërdorimëshe të tyre dhe hedhjen e pakontrolluar në mjedis, transmeton albinfo.ch.

Fillimisht, Këshilli Federal kishte dalë kundër ndalimit të menjëhershëm, duke theksuar mungesën e një mase të tillë në BE dhe rrezikun e barrierave tregtare. Por ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, e pranoi vendimin e Parlamentit, duke shtuar se vende si Franca, Britania e Madhe dhe kantone të Zvicrës si Valais dhe Jura tashmë kanë ndërmarrë hapa për kufizimin e “puffs”-eve.

Kundër mocionit votuan përfaqësuesit e partisë UDC dhe shumica e PLR, të cilët kërkuan veprim më pragmatik dhe në përputhje me rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

Nëse vendimi hyn në fuqi, Zvicra do të jetë ndër vendet e para evropiane që ndalon plotësisht cigaret elektronike njëpërdorimëshe, në një përpjekje për të mbrojtur të rinjtë nga varësia ndaj nikotinës dhe për të reduktuar ndotjen mjedisore, transmeton albinfo.ch.