Lajme
Zvicër: Ndërtimi i banesave në nivelin më të ulët historik
Zvicra po përjeton një mungesë të theksuar të banesave, teksa ndërtohen më pak apartamente për frymë se në çdo periudhë tjetër që nga vitet 1950. Sipas një raporti të publikuar nga SonntagsZeitung, gjatë viteve të fundit janë ndërtuar mesatarisht vetëm 52 apartamente të reja në vit – një nivel historikisht i ulët, përcjell albinfo.ch.
Kjo mungesë është bërë veçanërisht e dukshme në sfondin e një rritjeje të vazhdueshme të popullsisë, e cila në fund të vitit 2024 arriti mbi nëntë milionë banorë, kryesisht për shkak të emigracionit. Statistikat tregojnë se mes viteve 2020 dhe 2024, për çdo 100 banorë shtesë janë ndërtuar vetëm 52 apartamente – një rënie drastike krahasuar me vitet 1980, kur kjo normë ishte mbi 100.
Ekspertët theksojnë se aktiviteti i dobët ndërtimor dhe fluksi i lartë i emigracionit janë faktorët kryesorë që po e rëndojnë tregun e banesave në qytetet zvicerane. Vitin e kaluar u ndërtuan rreth 5.000 apartamente më pak se në vitin 2023, duke shtuar edhe më tej presionin mbi qiratë dhe çmimet e banesave, shkruan 20 Minuten.
Sipas Fredy Hasenmaile, kryeekonomist pranë Raiffeisen, problemi kryesor ka natyrë strukturore dhe lidhet me ndryshimet ligjore të planifikimit hapësinor. Ligji i rishikuar për Planifikimin Hapësinor, që hyri në fuqi në vitin 2014, e bëri më të vështirë ndërtimin në toka të reja. “Para këtij ligji, ishte e lehtë dhe e lirë të zononit tokë të gjelbër dhe të ndërtonit. Tani është koha për të rritur densitetin, jo për të zgjeruar më tej zonat urbane,” shprehet Hasenmaile.
Megjithatë, zbatimi i rregullave të reja kërkon kohë, pasi nevojitet përshtatja e planeve në nivel kantonal dhe komunal – një proces që ende nuk ka përfunduar. Për më tepër, numri i kundërshtimeve ndaj projekteve të reja është gjithnjë në rritje.
Një tjetër sfidë është rritja e qirave. Ekonomisti i pasurive të paluajtshme, Andreas Loepfe, në një prononcim për NZZ am Sonntag, paralajmëron se, nëse qytetarët nuk fillojnë të kursejnë që tani, nuk do të jenë në gjendje të përballojnë qiratë për dhjetë vitet e ardhshme. Ai shton se edhe banesat kooperative, të cilat tradicionalisht ofrojnë alternativa më të përballueshme, po preken nga kjo krizë – veçanërisht në rastet kur apartamentet rinovohen ose shiten, çka shpesh çon në rritje të qirave.
Kombinimi i rregulloreve ndërtimore të rrepta, kostove të larta dhe rritjes së popullsisë po i vë qytetarët përballë një realiteti gjithnjë e më sfidues në sigurimin e një strehimi të përballueshëm në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
“Parabolat e jetës dhe artit”, një pasqyrë reale e krijimtarisë së Mal Myrtajt Është promovuar libri “Parabolat e jetës dhe artit” me autor Arsim Kajtazin që i kushtohet veprës... -
Bern
Folklori muzikor, këngë e valle shqipe në klasat e Bernës -
Kandidati për kryebashkiak i Nju-Jorkut bën shqiponjën me duar -
Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar -
Shtyhet Samiti i katërt i Diasporës
Jeta në Austri
-
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa Ministri i Ekonomisë Hattmannsdorfer bën thirrje për zgjatjen e përjashtimit mujor prej 200 eurosh nga taksat... -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 -
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese -
Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente










