Lajme

Zug me automjetet më të shtrenjta, Berna me ato më të vjetra

Sa kushton makina mesatare në Zvicër? Varet se ku jeton. Një analizë e publikuar nga siguruesi AXA zbulon dallime të mëdha rajonale në preferencat dhe mundësitë e zviceranëve për automjete, me kantonin e pasur të Zugut që kryeson bindshëm listën, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave për vitin 2024, vlera mesatare e një automjeti në Zug tejkalon 67,000 franga zvicerane – gati 35 për qind më shumë se mesatarja kombëtare prej 50,000 frangash. Në vendin e dytë ndodhet kantoni i Schwyz, me pak mbi 60,000 franga, ndërsa Appenzell Innerrhoden mban vendin e tretë me rreth 57,000 franga.

Në skajin tjetër të listës gjenden kantonet frankofone si Neuchâtel, Jura, Fribourg dhe Bern, ku automjetet kushtojnë mesatarisht nga 44,000 deri në 46,000 franga.

Eksperti i SRF-së, Manuel Rentsch, thekson se në Zug blerja e makinave të shtrenjta nuk është vetëm çështje prestigji, por edhe e përbërjes së parkut automobilistik: “Përqindja e automjeteve të kompanive është e lartë në Zug, dhe ato ndikojnë ndjeshëm në mesatare.”

Për Appenzell Innerrhoden, renditja e lartë ka të bëjë më shumë me makinat me qira sesa me banorët vendas. Aty, dhe në kantonin e Vaud-it, shumë kompani të mëdha të qirasë regjistrojnë flotat e tyre, shpesh me modele luksoze që zëvendësohen rregullisht, duke rritur kështu ndjeshëm vlerat mesatare në statistika.

Jo vetëm çmimet, por edhe pesha mesatare e automjeteve ndryshon nga kantoni në kanton. Në Zug, një makinë mesatare peshon 1,700 kg, në Schwyz 1,600 kg – më e lartë se shumica e kantoneve të tjera. Kjo lidhet edhe me përhapjen më të madhe të automjeteve elektrike, të cilat janë zakonisht më të rënda për shkak të baterive, transmeton albinfo.ch.

Kantoni që zotëron makinat më të vjetra është Berna, i ndjekur nga Schaffhausen dhe Appenzell Ausserrhoden. Në këto zona, mosha mesatare e automjeteve shkon mbi 11 vjet. Në të kundërt, në Ticino, makinat janë më të rejat në gjithë Zvicrën – me një moshë mesatare prej vetëm 8.9 vitesh. Kjo kanton i tejkalon edhe Zugun (9.1 vjet) dhe Fribourg-un (9.4 vjet).

Sipas AXA-s, përshtypja se makinat në Zvicër po bëhen më të mëdha dhe më të shtrenjta nuk është thjesht ndjesi. Çmimet e blerjes së automjeteve janë rritur me rreth 14% në pesë vitet e fundit. Në vitin 2019, një makinë mesatare kushtonte 44,000 franga; sot, kjo shumë kalon 50,000.

Pavarësisht se ku jetojnë, zviceranët duket se përballen me një realitet të ri: makina më të mëdha, më të reja – dhe më të shtrenjta, transmeton albinfo.ch.