Lajme

Zona Ekonomike e Prishtinës, projekt mbi 1 miliard eurosh

Projekti madhor i Komunës së Prishtinës në vlerë prej 1 miliard e 33 milionë euro, për krijimin e Zonës Ekonomike, do të fillojë së realizuari pas miratimit në Kuvendin Komunal. Ai do të jetë në rend dite për miratim në seancën e radhës të Kuvendit Komunal.

Ky projekt ka filluar të hartohet para më shumë se dy vjetësh dhe tashmë ka kaluar nëpër të gjitha fazat e hartimit dhe të përpilimit të tij, ndërsa po pret vetëm miratimin në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Realizimi i tij pritet të bëhet gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Ndërsa, vendimi për krijimin e Zonës Ekonomike është marrë që në vitin 2008, dhe një vit më pas tenderi për hartimin e projektit të saj i është dhënë kompanisë “Hidroing DK”.

Krejt Zona Ekonomike përfshin një sipërfaqe prej 574.1 hektarë toke, 77 për qind e së cilës është në pronësi private dhe vetëm 33 për qind është pronë publike.

Bazuar në dosjen e projektit final për “Zonën Ekonomike”, ajo do të shtrihet në pjesën veriperëndimore të qytetit të Prishtinës, dhe kufizohet me fshatin Bërnicë, në Lindje me Kodrën e Trimave, “Kosova filmin”, pastaj me zonën e urbanizuar “Arbëria 3”, në Jug me Fushë Kosovën dhe në Perëndim me fshatin Shkabaj, raportojnë mediat e Prishtinës.

Sipas mediave, me planin rregullues urban për këtë Zonë, është paraparë që ajo të ndahet në disa destinime: zona industriale të ketë 87.7 hektarë, ajo industriale mikse 36 hektarë, zona komerciale 246.7 hektarë, ajo komerciale mikse 16.0, mikse banim 21.6 hektarë, banim komerciale 34.1 hektarë, si dhe i ashtuquajturi “shiriti mbrojtës” 65 hektarë.