Lajme

Zhvarrosen mbetjet mortore të pesë personave

Ekspertë të EULEX-it për mjekësi ligjore në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, kanë zhvarrosur nga një vend i pashënuar në varrezat e Gjakovës mbetjet mortore të pesë personave. Individët e zhvarrosur dyshohet të kenë qenë viktima të luftës në Kosovë.

“Pas informacionit të marrë nga publiku, që thoshte se në varrezat e Gjakovës janë gjetur mbetjet mortore të një individi, një ekip i ekspertëve të mjekësisë ligjore nga EULEX-i u vendos atje për të kryer zhvarrosjen e mbetjeve mortore dhe për të kryer një vlerësim më të gjerë”, thuhet në njoftimin për medie të EULEX-it.

Sipas Alan Robinson, bashkëkryesues në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, ky është një shembull i mirë i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në kërkimin e të pagjeturve.

Mbetjet mortore janë dërguar në DML në Prishtinë në mënyrë që të fillohet procesi I identifikimit i cili do të kryhet nga ekspertë të EULEX-it për Mjekësi Ligjore duke kombinuar analizat e ADN-së dhe ato antropologjike.

Zhvarrosja në fjalë ishte edhe një rast i mirë për të vazhduar mentorimin e ekipit të sapokrijuar për kryerjen e zhvarrimeve. Pjesëtaret e ekipit vendës të DML nga Ministria e Drejtësisë morën pjesë në mënyrë aktive në këtë operacion, nën mbikëqyrjen e arkeologëve të EULEX-it për mjekësi ligjore.