Futboll

Zhegrova prezantohet në Juventus: Është si një ëndërr për mua

“Të jem i sinqertë, është si një ëndërr për mua. Është një moment i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time”, u shpreh Zhegrova

Futbollist i Kosovës, Edon Zhegrova është lojtar i Juventusit.

Skuadra italiane e ka zyrtarizuar të hënën mbrëma transferimin e Zhegrovës nga klubi francez, Lille.

Zhegrova me Juven ka firmosur për pesë vjet, deri në vitin 2030. Është ky hap shumë i madh në karrierën e sulmuesit të krahut. Është po ashtu prej lëvizjeve më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë lojtarët e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Zhegrova transferohet në Serie A në moshën 26-vjeçare, ndërsa shpresohet se do të jetë i suksesshëm në njërën prej top-ligave evropiane.

Zhegrova ka nisur karrierën në Kosovë, ndërsa më pas është zhvilluar edhe te Standard Liege dhe Sint-Triuden në Belgjikë.

Në nivelin e të rriturve nisi te Genku, po ashtu në Belgjikë. Më pas luajti te Baseli në Zvicër, kurse prej vitit 2022 ishte te Lille. Tani do të luajë për gjigantin italian, Juventus.

“Pas tri vjet e gjysmë, 107 ndeshje dhe 26 golave në të gjitha garat, Edon Zhegrova largohet nga Lille për Juventusin. Dy klubet dhe lojtari janë pajtuar për të transferuar sulmuesin e Kosovës”, ka shkruar Lille.

Edon Zhegrova ka folur shkurt në paraqitjen e tij të parë si lojtar i Juventusit.

“Të jem i sinqertë, është si një ëndërr për mua. Është një moment i jashtëzakonshëm për mua dhe familjen time. Jam shumë krenar dhe ndihem i nderuar që barti këtë fanellë. Do ta mbaj këtë fanellë me shumë krenari dhe do ta jap më të mirën për skuadrën”, ka thënë Zhegrova për faqen e klubit.