Lajme

Zgjatet mandati i ushtarëve gjermanë në Kosovë

Sipas një njoftim lëshuar nga qeveria gjermane, prania e ushtarëve gjermanë duhet të mbetet e pa ndryshuar në “kufirin e epërm” prej 1850 ushtarësh

Qeveria e Gjermanisë ka marrë vendimin që t’ia zgjat mandatin ushtarëve gjermanë në Kosovë edhe për një periudhë të pacaktuar kohore. Kështu thuhet në një komunikatë lëshuar nga qeveri në Berlin, e cila e konsideron të nevojshme praninë e KFOR-it në Kosovë.

Sipas të njëjtit njoftim, prania e ushtarëve gjerman duhet të mbetet e pa ndryshuar në “kufirin e epërm”, ndërkaq Bundestagu zgjatjen e mandatit të Bundesverit në Kosovë do ta shqyrtojë në mbledhjen e 7 qershorit, raporton INA.

“Ushtarët gjermanë, burra dhe gra, nëpërmjet këtij angazhimi në kuadër të KFOR-it, kanë dhënë një ndihmesë të madhe për stabilizimin e rajonit në tërësi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë gjermane, duke shtuar se situata në Kosovë “në themel është e qetë dhe stabile”, por megjithatë “potenciali mbetet i lartë” për eskalim.

Në dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill të këtij viti, është arritur marrëveshja, mirëpo, siç theksohet në deklaratën gjermane, “një pjesë e serbëve të Kosovës” në veri e kundërshtojnë këtë marrëveshje dhe kështu situata edhe më tutje mbetet e nderë.

Sipas Qeverisë gjermane, prezenca e KFOR-it është e nevojshme përderisa organet e sigurimit të Kosovës nuk do të jenë në gjendje që të sigurojnë sigurinë në masën e njëjtë për të gjitha grupet etnike.

Gjermania në Kosovë ka numrin më të madh të ushtarëve, ndërsa edhe komandanti i KFOR-it është gjermani Volker Halbauer, thuhet në kumtesë. Në Kosovë gjenden aktualisht 830 ushtarë gjermanë, ndërsa “kufiri i epërm” siç thuhet në komunikatë, mbetet edhe më tutje 1850 ushtarë.

Ndryshe, të mërkurën në Prishtinë ka qëndruar një delegacionin e Nënkomisionit për Partneritet të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Anëtarët e këtij komisioni kanë zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se prania e NATO-s në Kosovë vazhdon të jetë garanci për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.

Ajo tha se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe se marrëveshja e arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së, është përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet në rajon.

Ajo shprehu gatishmërinë e palës kosovare për implementimin e saj të plotë.