Shqipëria
Zëra brenda PD-së kërkojnë largimin e Lulzim Bashës
Kryetari i partisë, Lulzim Basha, u shfaq sot në mbrëmje, duke denoncuar shkelje të rënda, sipas tij, të garës zgjedhore. Me në sfond një grup të rinjsh të vendosur në shkallët hyrëse të selisë së Partisë Demokratike dhe i shoqëruar nga një grup kandidatësh për deputetë, që morën pjesë në garën e së dielës, zoti Basha tha se “ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do t’i kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi, sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale”, u shpreh zoti Basha, shkruan VOA.
Kryetari demokrat foli për “dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median, duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”.
Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë një kopje të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, përfshirë dhe pamjet filmike në qendrat e votimit dhe ato në qendrat e numërimit të votave.
Zoti Basha deklaroi se beteja e tij në mbrojtje të demokracisë nuk do të reshtë. “Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk iu numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë”, u shpreh ai duke iu drejtuar qytetarëve.
Por ndërsa zoti Basha bën të ditur se do të luftojë për të deligjitimuar zgjedhjet e 25 prillit, atij do t’i duhet të përballet dhe me zërat kundërshtues ndaj tij, nga brenda vetë partisë. Pasdite, anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli, kërkoi largimin e zotit Basha nga drejtimi i partisë. “Ne duhet ta pranojmë se nuk kishim një propozim fitues për Shqipërinë. Alternativa jonë ishte vetëm kryetari i partisë, që u dëshmua përsëri e pamjaftueshme. Duke ndierë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak herë edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por më shumë se kaq, ky është një model që ka shterruar”. Duke shpallur kandidimin e tij për të marë drejtimin e PD-së, zoti Kadilli i bëri thirrje ”kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re”.
Në mbrëmje, ish-presidenti Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar, kërkoi gjithashtu largimin e zotit Basha, me një gjuhë mjaft të ashpër. “Rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur. Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak. Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë”, shkruajti zoti Nishani në një status në Facebook, duke reaguar ndaj pozicionit që kryetari demokrat mbajti në fjalën e tij sonte. “Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike radhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal ! Zoti Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vjetësh ! Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike. Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu”, theksoi më tej zoti Nishani, duke mbyllur deklaratën e tij me fjalinë se “askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim”.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Ambasadori britanik takon studentët kosovarë pas studimeve në Mbretërinë e Bashkuar Jonathan Hargreaves përgëzon të rinjtë që rikthyen aftësi unike dhe njohuri të avancuara për shoqërinë kosovare.... -
Itali
Tragjedi në Bolonjë: Vdes 12-vjeçari shqiptar pas rënies nga një dritare -
Gjermani
Petrit Halilaj prezanton ekspozitën “Një Operë Jashtë Kohës” në Gjermani -
Ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Fehmi Aganit -
Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish
Jeta në Austri
-
Udhëheqësit austriakë shtyjnë përpara reformën në shëndetësi Austria përshpejton bisedimet për reformën shëndetësore, duke synuar një drejtim të unifikuar të pacientëve dhe një... -
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri -
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“














