Lajme

Zbulohet varrezë masive në Rashkë

Arsim Gërxhaliu, udhëheqësi i ekspertëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, tha se sot rreth orës 12:20, në afërsi të objektit janë gjetur eshtra dhe rroba të viktimave të vrarë nga lufta e fundit

Dyshimet e autoriteteve kosovare, por edhe të hetuesve ndërkombëtarë, se në vendin e quajtur Rudnicë afër Rashkës ka mbetje mortore, janë hequr të premten. Gjatë hulumtimit të lokacionit janë zbuluar mbetje
mortore të kohës së luftë, që konfirmon se aty ka varrezë masive me trupa të shqiptarëve.

Sipas një njoftimi lëshuar nga Qeveria e Kosovës thuhet se sot rreth orës 12:20 ekipet e ekspertëve nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore kanë njoftuar se pas gërmimeve që janë duke u zhvilluar në Rudnicë,
janë gjetur mbetje mortore të viktimave të luftës.

“Pas punës së vazhdueshme të gërmimit, sot rreth orës 12:20, në afërsi të objektit kemi gjetur eshtra dhe rroba të viktimave të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë”, tha Arsim Gërxhaliu, udhëheqësi i ekspertëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, me këtë rast theksojë se lokacioni ku aktualisht janë gjetur mbetjet mortore do të konservohet për procedim të mëtutjeshëm
profesional.
 
“Është e rëndësishme të theksohet se mbetjet mortore janë gjetur pikërisht në hapësirën ku edhe ne kemi dyshuara, sipas kërkesës së proceduar qysh në muajin shkurt, të vitit 2010, përmes Grupit Punues
për Persona të Zhdukur”, deklaroi Gjetaj.

Në hapësirën, ku janë zbuluar mbetjet mortore, kishte filluar të gërmohet më 17 tetor 2013, për t’u ndërprerë më 19 tetor 2013, nga autoritetet serbe. Ndërsa gjatë gërmimeve vlerësuese të rifilluar më 11
dhjetor 2013, krahas përfaqësuesve të institucioneve kompetente të Kosovës dhe të Serbisë, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e EULEX-it.

Edhe autoritetet e EULEX-it kanë konfirmuar zbulimin e varrezës masive. “Të pranishëm gjatë gërmimeve janë Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Luftës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur nga Serbia, dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Ndryshe në këtë lokacion mendohet se janë varrosur rreth 250 shqiptarë, të vrarë gjatë luftës së fundit (1999). Në vendin ku janë gjetur mbetjet mortore autoritetet serbe kishin ndërtuar një rrugë të asfaltuar madje edhe një depo për parkimin e automjeteve të punës, të një kompanie që merret me ndërtimin e rrugëve.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999) janë zhdukur afër katër mijë qytetarë të Kosovës, shumica dërmuese shqiptarë. Më shumë se dy mijë prej tyre janë identifikuar nëpër disa varreza masive në Serbi,
si në Batajnica, Bajna-Bashta, Peruçac, në lumin Danub, etj, dhe janë riatdhesuar në Kosovë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

Ndërsa edhe 1780 persona akoma figurojnë si të pagjetur. Trupat e atyre që janë gjetur në Serbi i kishin bartur forcat serbe të regjimit të Millosheviqit në përpjekje për t’i fshehur gjurmët e krimit. Për këto krime deri më tani janë dënuar disa gjeneralë dhe ish-politikanëserbë nga Tribunali Penal i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.