Lajme

Yjet e futbollit shqiptar mblidhen në Prishtinë

Më 15 qershor, në stadiumin e qytetit në Prishtinë pritet të paraqiten yjet shqiptare të futbollit që luajnë nëpër klube të ndryshme evropiane

Prishtina planifikon të zhvillojë ndeshje miqësore me yjet shqiptare të futbollit, më 15 qershor, në përvjetorin e 14-të të ditës së çlirimit të kryeqytetit të Kosovës.

Sic raporton KTV, kryetari i klubit prishtinas, Remzi Ejupi tha se kjo ide ka qenë aktuale edhe më parë, por vetëm tashti e ka marrë dritën e gjelbër nga të gjithë.

Më 15 qershor, në stadiumin e qytetit në Prishtinë pritet të paraqiten yjet shqiptare të futbollit që luajnë nëpër klube të ndryshme evropiane, si Cana, Xhaka, Curri, Dallku, Berisha, Meha, Basha, Ujkani, Berisha, Rama, Mavraj, Behrami, Xhamajli e shumë të tjerë.

Sipas Ejupit, shumica prej tyre e kanë konfirmuar ardhjen në Prishtinë, derisa pret që së shpejti të kontaktojë edhe me mesfushorin e Bayernit, Xherdan Shaqiri, si dhe me lojtarët e tjerë kosovarë që luajnë në Evropë.