Janë promovuar 3 vepra letrare të Lebit Murtishit

Ngjarja kishte ndodhur më 3 nëntor  në prani të dashamirëve të librit, në mesin e tyre edhe ministri këshilltar  në Ambasadën e Kosovës, Mustafë Xhemajli, por nuk munguan  edhe miqtë zviceranë.

Për librat e promovuar folën  Idriz Mehmeti, Isuf Ismajli, Skender e Elida Buqpapaj, ndërsa  poezitë e autorit u lexuan nga poeti Fehmi Berisha.

Autori Murtishi ka përshëndetur të pranishmit dhe “kritikët e tij pas shpine” të cilët mendojnë se autori është  në ´´konflikt” me dashurinë, e që nuk ka munguar nga ai edhe një poezi pikërisht dedikuar bashkëshortes së tij.

Ky promovim librash të cilin e ka udhëhequr Saranda Ademi Gervalla u mbyll me një koktej rasti të përgatitur nga Shoqata e Krijuesve në Zvicër. Krejt në fund kryetari, Besnik Camaj,  u ka bere thirrje donatorëve që ta mbështesin ekzistencën e kësaj shoqate të krijuesve në Zvicër.

Saranda Ademi Gervalla

 

19.11.2013

Albulena dhe Gentiana bien, Violeta Kokollari vazhdon tutje

Të premten mbrëma është transmetuar nga pro7 episodi i radhës i spektaklit të madh garues të këngës “The Voice of Germany”. Nga tri pjesëmarrëset shqiptare që kishin arritur deri në këtë fazë, Albulena Krasniqi, Gentiana Mërturi dhe Violeta Kokollari, vetëm kjo e fundit është kualifikuar për më tutje.

Violeta 17 vjeçe me zë të fuqishëm ka qenë për një nuancë më e mirë se rivalja e saj nga grupi i përbashkët, Annika Kron. Këngëtarja shqiptare ka kënduar këngën e Tracey Chapman “Talking abort Revolution” dhe i ka fituar zemrën jurisë e publikut. “Anika na e ka sjellë zemrën e saj në tabaka por Violeta është një diamant i vërtetë”, ka thënë anëtari i jurisë, Max duke arsyetuar votimin e tij pro shqiptares së re. Kështu, Violeta e ka siguruar “biletën” edhe për garën e radhës.

Por, këtë fat nuk e kanë pasur Albulena Krasniqi dhe Gentiana Mërturi. Albulena, që në raundet e deritashme është konsideruar favorite, ndonëse ka shkëlqyer si në këndim edhe në interpretim me “Nobody`s perfekt” të Jessie J., nuk ka pasur shanse ndaj profesionistit 45 vjeçar David Whitney.

Edhe Gentiana ka pasur një rivale të fortë në garë, Emily Intsiful, një këngëtare të mrekullueshme zezake, e cila ka dalë superiore ndaj shqiptares së re.

Etniku, shqiptari që po dridh skenën gjermane e botërore të technos

Aty ku paraqitet Etniku, askush nuk mbetet indiferent. Ky i ri tashmë po trajtohet si ylli më i ri i skenës gjermane të muzikës techno. Por jo vetëm kaq, ai me muzikën e tij po vë në lëvizje masa të tëra njerëzish edhe në nivel botëror.  Emri i “DJ Etnik” është bërë shumë shpejtë i njohur jo vetëm në skenën gjermane por edhe në atë ndërkombëtare të muzikës techno.

Me vetëm 21 vjetët e tij, Etniku ka lidhur një kontratë të vlefshme me platformën e madhe muzikore Warner Music, e cila dhe e ka zbuluar talentin e tij të rrallë. Pak ditë më parë është publikuar EP e parë e Etnikut “Neon Daze”.

Ajo që e dallon Etnikun në pamje janë mustaqet e tij karakteristike. Por, ai ka edhe shumëçka tjetër që e bën të dallueshëm në skenën e muzikës. “Etnik-u, i cili në fakt edhe realisht mban këtë emër, është i biri i një familjeje emigrantësh shqiptarë. Emri i tij vjen nga Shqipëria dhe kuptohet si `popull autokton`”, është përpjekur t`ua shpjegojë artisti i ri, Etnik Zarari kuptimin e emrit të tij paksa të çuditshëm, gazetarëve gjermanë. Ai është i lindur dhe është rritur në Gjermani, në Hamburg.

Kur ishte vetëm 18 vjeç ai në një mbrëmje muzikore është zbuluar nga platforma “Warner Music” dhe kështu ka filluar bashkëpunimi në mes tyre si dhe ngjitja meteorike e Etnikut shkallëve të suksesit. Lidhur me stilet e muzikës dhe me teknikat që përdor ai thotë: “Më pëlqen thjesht të eksperimentoj. Në këtë pikë për mua ka rënduesi që ajo që krijoj të jetë e identifikueshme, ashtu që të thonë: Kjo këngë është e Etnikut”.

Se ai e ka arritur këtë cak tregon fakti se Etniku tashmë ka grupe fansash jo vetëm në Gjermani dhe në Evropë ku  i janë rezervuar shumë termine për koncerte por edhe në SHBA dhe në Australi. Kështu, ai për vitin 2014 ka planifikuar turneun e radhës në Australi dhe të parin në SHBA.

Përkundër sukseseve evidente, i riu nga Hamburgu ka mbetur “me këmbë në tokë”. “Jam ende larg nga pozita e një artisti vërtet profesionist”, thotë ai. Po ashtu, nuk e pranon as epitetin “Wunderkind” me të cilin e identifikojnë. Ai i jep më shumë rëndësi përvojave të reja që fiton me punën e tij të përditshme.

Në punën që bën, Etniku i kushton rëndësi stilit të tij që është minimalist në mënyrë ekstreme dhe njëkohësisht perfeksionist. Kjo qasje pastaj pasqyrohet edhe në pamjen e tij. Me një paraqitje të vetëdijshme me pamje prej dandy, ai prezantohet si artist njëkohësisht serioz dhe individual. Në këtë kontekst hyjnë edhe mustaqet e tij karakteristike.

Etniku është ambicioz dhe e di mirë se çfarë dëshiron. Ai mendon se për karrierën e tij muzikore do të ishte mirë që të kalojë një kohë në Los Angeles, SHBA.

Verën që shkoi, ai ka mbaruar maturën. Etniku konsideron se një arsimim i përgjithshëm do t`i ndihmojë për të gjetur rrugët alternative të suksesit. “Biznesi me muzikën është diçka e bukur. Por unë mendoj se  dikur më vonë do të kem dëshirë të mbaroj edhe studimet”.

Prezantim me dinjitet i kulturës shqiptare në Gjermani

Në fundjavë qytetarët e Krefeldit dhe qyteteve të tjera përreth, si Dyseldorfi, Këlni apo Eseni kishin fatin që në ambientet e shkollës publike për të rriturit të përjetonin nga afë pjesë nga kultura shqiptare. Salla ishte mbushur plot, sa shumë mbetën edhe në këmbë. Mbrëmja nisi me dy valle shqiptare të interpretuara nga nxënësit e shkollës shqipe me mësuesin Adem Shala nga qyteti Viersener-it. Kryetarja e shoqatës gjermano – shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Arsim, IKB, Juna Kule-Mörsch në fjalën e saj vuri theksin në nevojën e një ure bashkëpunimi kulturor mes dy popujve.

 

Procesi i integrimit, i kuptuar si proces integrimi mes kulturave, po ndryshon kahje me kalimin e kohes. Në qoftë se ai filloi si proces me kahje shqiptaro-gjermane te individët e ardhur pas viteve ’90, me brezin e ri po vazhdon si proces me kahje gjermano-shqiptare. Fëmijët dhe të rinjtë e lindur mes kulturës gjermane duhet t’i përdorin avantazhet e kësaj kulture në dobi të përvetësimit dhe pasurimit të kulturës së tyre të origjinës, asaj shqiptare. Sepse nëpëmjet ballafaqimit të kulturave dhe përfitimit reciprok mes tyre ndërtohen ura të forta bashkëpunimi e miqësie mes popujve të Europës së shekullit të 21-të“.

 

Madhështia e kësaj mbrëmjeje arriti pa dyshim nga mysafirja e ardhur posaçërisht nga Tirana, sopranoja e njohur Alma Strazimiri. Me këngët perlë të muzikës shqiptare si „Vajta, kalova“, Moj e bukura More“ apo“Lule Borë“ dhe „Margjelo“ ajo elektrizoi të gjithë sallën, madje këngët u kënduan së bashku me të pranishmit. Edhe pse ishte hera e parë që këndonte në Gjermani, Alma arriti ta bëjë për vete gjithë publikun në sallë, veçanërisht mysafirët gjermanë. „Për mua është hera e parë që jam në Gjermani me një repertor tërësisht me muzikë popullore të përpunuar të ngritur në art nga Lola Gjoka dhe Raul Domi. Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua, sepse kisha një auditor vërtet të veçantë. U përpoqa që gjithçka e imja të shkonte tek spektatori, pra që me gjithë shpirt unë të jem tek ai. Suksesin ia dedikoj vërtetësisë sime dhe spontanitetit, duke qenë e zhveshur nga komplekset në skenë“, thotë për Deutsche Welle, këngëtarja Strazimiri.

Shumë interesant mbrëmjen e bëri edhe paraqitja e një video-bandi me pjesë filmash të interpretuara nga artisti shqiptaro-gjerman Kasem Hoxha. Ai erdhi në Gjermani bashkë me refugjatët e 2 korrikut 1990 duke marrë me vete edhe ëndrrën për t’u bërë aktor. Sot ai numëron një sërë rolesh kryesorë dhe të dytë në filma të prodhimit gjerman, gjermano-austriakë, shqiptar, italian, etj. Së shpejti ai do të jetë i pranishëm në filmin e njohur televiziv Tatort „NICK2“ me regji të Christian Alvart. Në fjalën e tij përshëndetëse, artsiti Hoxha vlerësoi iniciativën e ndërmarrë nga shqiptarët, por edhe mbështetjen që i ka dhënë qyteti i Krefeldit kësaj iniciative, e cila sipas tij bën të mundur pasurimin dhe ringjalljen e një kulture kaq të mrekullueshme siç është kultura shqiptare.

Por as shoqata dhe as mbrëmja kulturore nuk do të kishin kuptim pa kontributin e violinistes së njohur Migen Begolli. Ajo bashkë me Juna Kule-Mörsch ishin iniciatoret e formimit të një shoqate të tillë që megjithë vështirësitë e para si fillim janë të bindura se me përpjekje do të arrijnë t’i realizojnë synimet e tyre. „Unë mendoj se ne shqiptarët kemi një kulturë të vjetër dhe mjaft interesante, e cila pritet shumë mirë në Gjermani. Në prag të festave të nëntorit ne menduam që ta organizojmë këtë aktivitet me artistë të njohur duke krijuar një ambjent të ngrohtë për vetë shqiptarët që jetojnë këtu si dhe për gjermanët me të cilët ndajmë të njëjtin vend. E gjitha kjo sigurisht që nuk bëhet lehtë, ka vështirësitë e veta. Por edhe veshtirsitë janë relative. Unë mendoj se kur njeriu do të arrij diçka, me përpjekje e arrin“, thotë për Deutsche Welle, violinistja Begolli.

Por Juna dhe Migeni nuk janë vetëm organizatore të kësaj mbrëmjeje. Ato ishin pjesë edhe të koncertit: Juna në piano dhe Migen në violinë. Pjesët instrumentale me violinë u shoqëruan edhe nga Fernando Nina në violinçel dhe nga Paolo Dinuzzi në bas. Mjaft prekëse ishte dhe kënga “Moj e bukura Arbëri”, e cila u interpretua nga nxënësja 12 vjeçare, Donika Imeri. Suprizë për të pranishmit e kësaj mbrëmjeje ishin edhe këngë lirike të kënduara nga Dorina Porodini dhe Miriam Suarrez-Argueta si dhe grupi gjermano-grek i valleve popullore, „Odysseas”, duke i dhënë gjithë ambjentit një atmosferë më të gjerë multikulturore. Alfred Mançe nga Brühl-i e cilësoi dinjitoz koncertin: „Iniciativa e kësaj mbrëmjeje më pëlqeu jashtë mase, por pjesa më e bukur ishte hapësira e gjerë e folklorit shqiptar, e muzikës shqiptare. Për mua vlen të veçohen këngët e zhanrit operistik që u intepretuan nga një artiste shumë e madhe. Mendoj se ishte një mbrëmje shumë dinjitoze. Ndërsa Hermann Heitmann i ka lënë përshtypje veçanërisht kënga “Lule Borë” dhe vallet shqiptare të interpretuara nga nxënësit. “Ishte vërtët një mbrëmje e bukur dhe interesante. Muzika shqiptare tingëllon shumë melankolike, sidomos kënga “Lule Borë”, por edhe valltarët sollën vërtet një përjetim tipik shqiptar“

 

Entuziast u shpreh për Deutsche Welle edhe mësuesi Rifat Hamiti. „Ishte një kënaqësi e rallë. Shqiptarët definitivisht duhet të paraqiten me këtë nivel kulturor para gjermanëve. Ne duhet të tregojmë vërtet vlerat tona kulturore. Unë jam shumë i entuziasmuar nga ky aktivitet”. Genti Mebelli që kishte ardhur nga Këlni dëshiron të ketë më tepër takime të tilla kulturore në të ardhmen. “Kjo ishte një mbrëmje fantastike. Dëshira ime është që të ketë edhe aktivitete të tjera në vijim me një numër më të madh pjesëmarsish. Ishte një mbrëmje shumë e veçantë, kishte një nivel shumë të lartë, qoftë nga ana kulturore, qoftë nga ana muzikore dhe qoftë nga ana instrumentale”.

Moderatori i mbrëmjes Thomas Warnecke, i cili bëri një prezantim fantastik, e vlerësoi shumë të gjithë programin. Unë besoj se të gjithë mbetën të kënaqur me programin. Unë vetë kam përshtypjet më të mira për këtë aktivitet pasi ishte shumë i larmishëm, me artistë profesionistë dhe amatorë dhe të brezave të ndryshëm. I tërë aktiviteti ishte një prezantim shumë cilësor“. Këtë aktivitet e përshëndetën edhe Doris Schlimnat, zevëndësdrejtore e shkollës publike (VHS) të Krefeldit, dhe Ante-Dragan Franjicevic, Kryetar i Qarkut për Integrim dhe Migracion. Vetë kryetarja e shoqatës Juna Kule-Mörsch shprehet optimiste për misionin e saj. „Unë nuk e kisha llogaritur që do të kemi një rezonancë kaq pozitive dhe kaq mbështetëse. Por jam e vetëdijshme që në të ardhmen na pret një punë shumë e madhe për të pasur aktivitete të një niveli më të lartë. Megjithatë, kam besim se do t’ja arrijmë, sepse dëshira është shumë e madhe”

Buxhovi, për integrim me vlera të studentëve tanë në Zvicër

Studentët shqiptarë të Cyrihut kanë pasur rastin më 4 dhjetor që në mesin e tyre të kenë shkrimtarin dhe historianin e njohur, Jusuf Buxhovin. Ai në këtë mbrëmje do të promovonte romanin e tij të ri “Jeniçeri i fundit”, që është në vazhdën e librave artistikë dhe historikë të autorit, të cilat kanë bërë bujë në opinionin shqiptar viteve të fundit.

Mbrëmja me Jusuf Buxhovin ishte e veçantë, qoftë për tematikën që e përshkon gjithë krijimtarinë e tij letrare dhe studimore, qoftë edhe për bujën që ka bërë në opinionin e Kosovës dhe në atë shqiptar në përgjithësi botimi i veprës së tij voluminoze “Kosova I, II, III”.

Në qendër të ligjëratës së tij, Jusuf Buxhovi, duke bërë fjalë për romanin e tij, ka vendosur bektashizmin, si rend religjioz specifik, i lindur nga jeniçerët. Këtë rend fetar pastaj autori e ngre si njërën ndër dy shtyllat që i paraprinë Rilindjes Kombëtare ndër shqiptarët: “ideja pellazgjike dhe bektashizmi përbëjnë bazën e Rilindjes sonë kombëtare”, ka theksuar Buxhovi në fjalën e tij.

Ai këtë tezë e ka mbështetur në simbiozën që bektashizmi ka bërë në mes të islamit dhe krishterimit nga njëra anë dhe besimeve pagane në anën tjetër.

Më tutje, duke shkoqitur idenë e romanit “Jeniçeri i fundit”, autori i ka theksuar se libri i tij është një `roman i vetvetes`. “Jam jeniçer i të mirës, i mbretërisë së të mirës që lufton kundër mbretërisë së të keqes”, ka thënë Buxhovi, duke identifikuar veten me frymën që përshkon romanin. Por ai megjithatë ka tërhequr vërejtjen se libri duhet të kuptohet si një fakt letrar e jo historik.

Autori ka sqaruar më tutje se romani i tij, edhe pse veprimin e ka të vendosur në një periudhë të mëhershme historike, bën paralele me kohën në të cilën po jetojmë. Ai ka theksuar se sundimi i shqiptarëve nga otomanët ka qenë pushtim por se atë periudhë mbi pesë shekullore nuk duhet shikuar në prizmin vetëm bardh-zi. Kjo për faktin se shqiptarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën e perandorisë otomane.

Duke ligjëruar ara studentëve shqiptarë të Cyrihut, Jusuf Buxhovi disa herë ka theksuar se fillet e idesë së Rilindjes Kombëtare tek shqiptarët nuk kanë lindur në trojet shqiptare por në vendet ku shqiptarët jetonin në mërgim. Sepse elitat kombëtare e kulturore të shqiptarëve jetonin atje, si në Stamboll, Bukuresht, Egjipt, te arbëreshët në Itali etj.

Në këtë pikë ai ka vendosur paralele në mes të asaj kohe dhe kohës së sotme. Sipas tij, inteligjencia shqiptare që po krijohet jashtë vendit, do të ketë rol të rëndësishëm për të rilindur dhe pasuruar me vlera të reja, perëndimore, shoqërinë kosovare dhe në përgjithësi atë shqiptare.

I gjendur në mesin e studentëve, shkrimtari dhe historiani Buxhovi i ka përgëzuar ata për aktivitetet që po bëjnë dhe për fatin që kanë për të studiuar në universitete perëndimore. U ka dëshiruar që, ndryshe nga prindërit e tyre, të cilëve u është mohuar atdheu, të kenë sukses në studime dhe të integrohen me vlera në shoqërinë e re. Ata duhet të krenohen me themelet antike pellazgjike, mbi të cilat, siç ka theksuar ai, ngrihet kultura shqiptare.

Krijuesi me qëndrim në Zvicër, Shefqet Dibrani, ka lexuar një vështrim të tij mbi librin e promovuar. Ai ka vlerësuar lartë romanin “Jeniçeri i fundit”, duke e kategorizuar atë si një ndër veprat letrare më të realizuara viteve të fundit në letërsinë shqipe. dibrani është ndalur veç tjerash në paralelizimet që bën autori i romanit në mes të dy periudhave historike, të pushtimi osman dhe historisë më të re.

“Si koncept, ngritja dhe rrënimi i Perandorive, kanë zhvillim identik, që përshkohen nga faktor kohor të zhvillimeve socioekonomike, por në aspektin strukturor e filozofik ngjasojnë. Në këtë plan romani i „Jeniçeri i fundit” aq sa ka të bëjë me perandorinë që përshkruhet, po aq ka të bëjë edhe me rrënimin e një perandorie që përfundoi kohë më parë”, është shprehur Shefqet Dibrani.

Në promovim ka qenë i pranishëm edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, dr. Salih Sefa.

 

B.SH.

Fryma e mërgimit, e përçuar në poezi

Në ambientet e bibliotekës “Pestalozi” në Zürich, në organizim të Shoqatës së Kijuesve Shqiptarë të Zvicrës është mbajtur promovimi letrar “Krijimtaria letrare e Brahim Avdylit në Zvicër dhe disa vlera të saj”, ku janë përuruar veprat e tij “Qielli i paprekur” dhe “Vetëvrasja e një poeti”.

Në këtë organizim kulturor-artistik, folësit kanë çmuar lart kontributin e Brahim Avdylit në fushën e letrave shqipe. Sipas tyre, vepra e Avdylit në poezi pasqyron shumë dimensione të jetës dhe mbijetesës së shqiptarëve në mërgatë.

Të pranishmit në këtë aktivitet kulturor i ka përshëndetur edhe Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës “Pestalozzi”, duke vlerësuar këtë aktivitet  të rëndësishëm, ngase promovimi i veprave të autorit Avdyli po bëhet në ambientet e kësaj biblioteke.

Referuesi i kësaj mbrëmje letrare, Nexhat Maloku, njëherësh kryetar i LAPSH-it në Zvicër, ka veçuar disa anë të veprës së tij letrare dhe të personalitetit të Brahim Avdylit.

Maloku para artdashësve të librit të mbledhur në Cyrih solli një analizë më të thuktë të veprave letrare të Avdylit.

“Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është pa dyshim Brahim Avdyli. Karakteristik, sepse pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare, me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi”, tha në fillim të promovimit Maloku.

“Për dallim nga poetët e tjerë të gjeneratës së vet, Brahim Avdyli do të detyrohet të mërgojë përgjithnjë. Kjo tragjedi e tij individuale do ta ndikojë krijimtarinë e tij poetike në mënyrë të jashtëzakonshme. Kurse lexuesve do t’u japë krijime të bukura artistike, pikërisht edhe nëpërmes kësaj tragjedie të tij personale, e cila nuk ishte e vetme, por ishte bërë tragjedi popullore”.

“Vetëm një shpirt poetik i kalibrit të Brahim Avdylit do të mund të përçojë aq fuqishëm nëpërmes vargjeve poetike te lexuesit jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj”, shprehet Maloku.

“Poezia e Brahim Avdylit është refleks i krajatave jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet. Sikurse te Din Mehmeti, Azem Shkreli dhe poetët e tjerë të këtij profili, subjekti lirik është këpuja që lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që ky poet e ruan pak a shumë që nga libri i parë deri te libri i fundit për të cilin po bëjmë fjalë”, sjell Nexhat Maloku vështrimin e kritikut të njohur të letërsisë sonë, dr. Agim Vinca, për poezinë e Brahim Avdylit.

Në krijimtarinë e gjithëmbarshme poetike të Brahim Avdylit një vend të spikatur e zënë pa dyshim poezitë me motiv kurbeti.

“Nga poetët e mërgatës shqiptare në Zvicër, Brahim Avdyli ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin nëpërmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun”, thotë Maloku.

“Mërgimi, para se të jetë një jetë e qetë, është një jetë e mundimshme, është një torturë e mendjes, e ndjenjave, e idealeve “të tradhtuara”, është shkëputje nga trungu, është theqafje “atje ku bren miza hekur”, shprehje popullore kjo, të cilën poeti e fut me sukses në trungun harmonik të poezisë si dhe mjaft shprehje të tjera të marra nga gurra popullore”, shprehet Maloku në vështrimin e tij për poezinë e Brahim Avdylit.

Poeti Brahim Avdyli dëshiron që lexuesit të vet t’ia përcjellë me nota realiste jetën e kurbetçarit – jetën e tij – përvojën e tij në mërgim.

Në një numër të madh poezishë me temë mërgimin, që nga përmbledhja e parë “Në hijen e alpeve” e deri tek ajo e fundit “Baraspesha e humbur”, poeti Brahim Avdyli jep me nota të zymta fatin e mërgimtarit shqiptar udhëve të Evropës.

“Ky mërgimtar jo vetëm që vuan, është i papunë, nuk pranohet nga shoqëria vendëse, por bart mallin për vendlindjen, për gurët, për fëmijët e lindur e të paparë në Atdhe”, sjell Maloku fragmente nga poezitë e Avdylit.

“Në këto krijime poetike të shkruara në një periudhë të rëndë shpirtërore, kur poeti është i detyruar të punojë punë të rënda fizike në Slloveni, e më vonë të kërkojë strehim në Zvicër, s’ka se si të mos shfaqen fjalët bosht, si dhembja, vetmia, malli, trungu i shkëputur, shqiponjë e mërguar, përbuzja, klithje nate etj., të cilat janë pjesë përbërëse e jetës së tij, e njëkohësisht edhe fati i qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë të mërguar sidomos në periudhën e viteve ’90-a”, thekson Maloku.

“Poeti Brahim Avdyli nuk u ngjan poetëve të shumtë që dalin në ekzil për të krijuar në një ambient të qetë, pa andralla, pa halle për popullin prej nga vjen”, u tha mes tjerash në këtë promovim librash.

“Krijimtaria poetike e Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi”, tha Maloku.

Edhe vete Brahim Avdyli tha se krijimet e tij poetike janë vlerësuar jo vetëm nga lexuesit e shumtë, por edhe nga kritika letrare, duke përmendur disa nga çmimet me të cilat ishte shpërblyer autori.

Avdyli ka thënë se i kanë mbetur në dorëshkrim shumë vepra letrare, ndërsa disa prej tyre edhe i janë vjedhur. Ai ka kritikuar kritikët letrarë se janë më shumë subjektivë në trajtimin e veprave letrare.

Për veprimtarinë letrare të Brahim Avdylit kanë folur edhe Shefqet Dibrani, Ibish Neziri, Abas Fejzullahi, Rexhep Rifati etj.

Ky promovim i organizuar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër është përcjellë edhe me lexim artistik të fragmenteve nga vepra poetike e Brahim Avdylit.

Sevdail Tahiri

Shpërthim në pikturë i vullnetit të penguar


Gjatë fundjavës që shkoi, në ambientet e Kishës Evangjeliste në Wallisellen të Cyrihut ka qëndruar e hapur ekspozita me piktura e piktorit Emrush Xhemajli.

I njohur më shumë si aktivist politik dhe një kohë edhe deputet në Parlamentin e Kosovës, Xhemajli i është kthyer pasionit të tij të vjetër, të cilin tashmë e ka shndërruar në profesion, pikturës.
Në një numër ekspozitash të tij, të hapura më parë në Zvicër dhe viteve të fundit edhe në Kosovë e në Maqedoni, ka shpërthyer fuqishëm arti i tij, i cili, për shkaqe kryesisht të angazhimit shoqëror të autorit, për një kohë ishte i penguar.

Emrush Xhemajli është një kultivues i rryer portretit, peizazhit, natyrës së qetë. Sidomos portretet e tij i dallon një frymë ekspresive dhe poetike, të cilën e gjejmë edhe në peizazhet e tij të hershme. Ndërsa me kalimin e kohës, Xhemajli ka zhvilluar edhe më tej spektrin e shprehjes artistike dhe atë tematik.

Kështu, në ekspozitën e tij të hapur të premten e javës së kaluar në Wallisellen, në mesin e 30 pikturave të tij shohim edhe punie abstrakte, eksperimentime të guximshme të autorit me ngjyrën vijën, hijet. Gjithsesi, në këtë ekspozitë nuk mungojnë edhe tablotë realiste nga qytetet, ku dallohet ajo në dy variante e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, pastaj disa me pamje të Bazelit, etj.

Në një fjalë rasti që e kishte përgatitur e bija, Jona Xhemajli, përshkruhet rruga jetësore artistike e piktorit. Duke filluar me zbulimin e talentit të tij si piktor nga mësuesi i tij i fillores, me ngjyrat e para akuarel që ia kishte blerë babai, me portretin e parë që i ishte shitur qysh si nxënës etj. “Ngjyrat akuarele kanë qenë të parat ngjyra që ia kishte blerë i ati, pasi që ngjyrat e vajit ishin shumë të shtrenjta…” shkruan ajo, duke theksuar se puna në akuarel ka mbetur një shprehje e preferuar e  autorit, të cilën e zotëron në mënyrë të përkryer edhe sot.

Në shkollën e mesme, portreti i parë i porositur te ai, i një shkrimtari të njohur, paguhet në atë kohë me 40.000 “banka” (njësi monetare), thuhet në fjalën e  prezantimit. Ndërsa ka qenë viti 1975 kur Emrush Xhemajli hap ekspozitën e tij të parë në shtëpinë e vet. Kjo kishte ngjallur atëbotë edhe interesimin e medieve për talentin e rrallë të 15 vjeçarit ga fshati Komogllavë e Ferizajt.

Në fillim të viteve tetëdhjetë, për shkaqe politike ai arratiset në Zvicër, në Biel/Bienne, ku krijon familjen dhe aty hap ekspozitën e tij të parë në Zvicër. E dyta vjen me radhë, në vitin 1995 në St. Gallen.

Në vitin 1999 kthehet me gjithë familjen në Kosovë, ku, në vitin 2004 ai përfundon edhe studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Pasojnë edhe disa ekspozita të tjera kolektive në Bruksel dhe në disa vende në Ballkan.

Aktualisht punon profesor në një universitet në Maqedoni dhe në një tjetër, privat, në Kosovë. Ai jeton në kryeqytet, në Prishtinë ku është aktiv në fushë të artit.

Në fund të fjalës përshëndetëse janë falënderuar  ata që kanë sponsoruar hapjen e ekspozitës, firmat “A bis Z Generalunternehmungen GmbH”  dhe “1ABV”, gjegjësisht pronarët Zejnije Gashi dhe Afrim Asani.
B.SH.

Shkrimtarja zvicerane që gjen frymëzim në Kosovë

Shumë qytetarë në Evropë nuk mund ta perceptojnë se si është t’i kesh 14 fëmijë, shtatë djem e shtatë vajza dhe të gjithë të jetojnë bashkë në mënyrë të harmonizuar e të jenë solidarë. Aq më pak mund të kuptohet që kjo familje të emigrojë në vendet evropiane dhe t’i bëj dikujt përshtypje pozitive.

Megjithatë është një shkrimtare zvicerane Elisabeth Kaestli, e cila është frymëzuar nga kjo familje kosovare, duke shkruar një roman me emrin: “Shtatë vëllezër, shtatë motra – një familje kosovare nëpër botë”. Kjo vepër është promovuar në Kosovë, në hotel “Graçanica” në Graçanicë.

Shkrimtarja Kaesteli është frymëzuar kryesisht nga solidariteti i familjes dhe vështirësitë me të cilat ajo është përballur gjatë jetës së tyre. Shkrimtarja zvicerane pasqyron jetën e 14 fëmijëve të familjes Reka nga Kaçaniku, që morën rrugët e botës për t’i shpëtuar mjerimit.

“Romani është një pasqyrë nga Kosova, që pasqyron ngjarjen, historinë e emigracionit të këtij vendi”, ka thënë shkrimtarja Kaestli, e cila ketë familja e ka njohur në Zvicër. Ajo fillimisht kishte njohur dy nga familjarët Reka, të cilët pastaj e kanë ftuar në fshatin e tyre të lindjes, ku ajo është njoftuar me gjithë familjen.

Shkrimtarja zvicerane është mahnitur me solidaritetin e kësaj familje, sesi njëri anëtar e mbanë tjetrin.

Këta janë një familje e fortë që e mbajnë njëri-tjetrin, në krahasim me çfarë kanë kaluar, nga emigracioni e jeta e vështirë”, ka treguar Kaestli, e cila mundohet të kuptojë shtetin e Kosovës, që nuk ka mundësi të krijojë kushte për këtë familje.

Romani i Kaestli përshkruan me ngjyra të gjitha copëzat e mozaikut familjarë, nga jeta sociale, shkollimi, migrimi dhe jeta në shoqëri. Ajo përshkruan veç e veç shkollimin e 14 fëmijë të familjes Reka, shtatë djemve dhe shtatë vajzave, duke e krahasuar me atë të babait të tyre.

“Babi i tyre që ka qenë autodidakt ka mësuar shkrim dhe lexim në ushtri, e këta që shumica e kanë kryer fakultetin kanë punuar në shumë vende të botës dhe kanë krijuar një bazë materiale, e cila iu siguron mirëqenie”, ka deklaruar Elisabeth Kaestli.

Ajo tha se për t’i takuar familjarët dhe për të dëgjuar “rrëfimin epik” të secilit anëtarë, ka udhëtuar nëpër vendet e ndryshme të botës ku këta familjarë janë shpërndarë, në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Danimarkë, në mënyrë që të dëgjojë rrëfimin prej secilit prej tyre.

“Me 12 nga 14 vëllezërit dhe motrat kam mundur të zhvilloj biseda, ndërsa dy nga ata nuk kam mundur t’i takoj”, ka thënë Kaestli.

Në librin e saj flet për biografinë e secilit prej tyre, ku kanë lindur, si e kanë kaluar fëmijërinë e tyre. Kaestli në promovim ka lexuar dy rrëfime të viteve të ’80-ta, ku përshkruan jetën e varfër e të vështirë të familjes, e që janë bërë motive për të emigruar në Evropë.

“E çmoj shumë këtë familje sepse janë tepër guximtarë dhe të zellshëm, dhe krenohem me ta”, ka treguar Kaestli, e cila tha se pas shumë vuajtjeve ata tashmë jetojnë mirë në qytetin e tyre. “Gjatë verës të gjithë bëhen bashkë dhe rreth tavolinës së madhe i qajnë hallet e tyre”, tha ajo

Ndryshe, hoteli ku u promovua libri, është pronë e një qytetari zviceran i cili ka investuar në Kosovë. Edhe pse ky hotel është ndërtuar në komunën e Graçanicës, e cila dominohet nga komuniteti serb, në hotel Graçanica, gjysma e punëtorëve janë shqiptarë e gjysma serbë, prandaj edhe klientët janë të përzier

 

16.12.2013

Tenori shqiptar, Saimir Pirgu, e nis vitin me 4 koncerte në Zvicër

Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, do të prezantohet me «Rigoletto» në Shtëpinë e Operës në Cyrih. Ai përgjatë këtij muaji do të prezantohet me tri koncerte. I pari do të jetë më 12 janar, për të pasuar më pas më 18 janar dhe i fundit për muajin janar do të jetë ai i datës 24.

Ndërkaq, Pirgu para audiencës zvicerane do të prezantohet edhe më 2 shkurt. Kjo do të jetë paraqitja e parë për këtë vit e tenorit me famë botërore, i cili përgjatë vitit të shkuar ka shënuar edhe një ndër sukseset më të mëdha të paraqitjeve skenike, në krah me partnerë të dëshmuar të skenës së operës ndërkombëtare, duke përfshirë Domingon. Ai gjatë vitit të kaluar është shpërblyer me çmimin «Pavarott d’Oro».

Më shumë për koncertet e Saimir Pirgut klikoni këtu:

sam3

Patrik Nuo gjurmëve të Travoltës

Patrik Nuo, këngëtari i njohur zviceran me prejardhje shqiptare, pas një pauze të heshtjes, sërish “ndjehet i gjallë”. Ai ka provuar skenën e pop muzikës gjermane, xhunglën dhe pjesëmarrjen në jurinë e spektaklit të madh gjerman për zbulimin e talenteve të muzikës.

Por, ajo që Patriku nuk e kishte provuar deri më tash, ishte mjuzikli. Pikërisht roli në mjuziklin e njohur “Grease” (Ethet) do ta bëjë sërish këngëtarin me prejardhje nga Gjakova protagonist në arenën e muzikës së popullarizuar.

Duke provuar veten në këtë zhanër muzikor-skenik Nuo shkon gjurmëve të yllit hollivudian John Travolta, shkruan t-online.de. Ky i fundit e kishte popullarizuar mjuziklin dhe filmin muzikor “Grease” në vitet shtatëdhjetë duke e bërë simbol muzikor të një gjenerate. Subjekti i mjuziklit është marrë nga jeta e të rinjve të viteve pesëdhjetë.

Për të realizuar këtë projekt të madh muzikor, Patrick Nuo do të kthehet në Zvicër nga SHBA ku jeton aktualisht. Regjinë e veprës “Grease” do ta bëjë Danny Zuko.

Mbetet të shpresohet se Nuo me këtë rol përfundimisht do t i kthehet vokacionit të tij të parë, muzikës. Duke i dhënë fund një periudhe kur ai më shumë përflitej për çështje nga jeta e tij private në shtypin e thashethemeve se sa për muzikën.

Bendi i rokerit shqiptar, më i miri për 2013!

Bendi i Altin Asllanit, „Pablo Infernal“, është finalist në „Rock Highway Contest“, një ngjarje muzikore rock që është organizuar në Zürich dhe ku konkurrojnë shumë bende të muzikës rok nga e tërë Zvicra.

Bendi i shqiptarit që është shpallur më i miri për 2013-ën do të përballet me një konkurrencë edhe më të fortë më 25 janar në „Top Finalen“ e këtij organizimi muzikor.

„Pablo Infernal“ do të performojë në garë me tri bendet më të mira rock në 10 vjetët e fundit në Zvicër.

Për 19-vjeçarin që është i vetmi shqiptar, suksesi në Rock Highway do të thotë shumë për grupin e tij «Pablo Infernal».

„Kjo domethënë para së gjithash se ne me këtë mund ta financojmë një pjesë të produksionit të albumit. Veç kësaj, kjo i ka hapur disa dyer sa u përket koncerteve. Fitorja është bërë e mundur vetëm nëpërmes punës sonë (ushtrimeve) dhe fansave tanë besnikë. Ne do ta publikojmë albumin gjatë këtij viti dhe do të realizojmë sa më shumë koncerte që të jetë e mundur, në mënyrë që të bëjmë një emër në skenën muzikore të Zvicës“, tha për albinfo.ch këngëtari dhe kitaristi shqiptar, Altin Asllani.

Për herë të parë këngëtari i rok grupit është paraqitur para publikut si solist më 2008, kur ishte vetëm 13 vjeç.

Nga dëshira për të kultivuar këtë zhanër të muzikës, ai krijon një vit më vonë grupin e tij „Underclassed“, i cili edhe më vonë ka marë emrin „Pablo Infernal“.

Me bendin „Underclassed“ janë prezentuar për herë të parë më 2010 në Open Air Greifensee, një festival roku që ishte organizuar në Greifensee, ku edhe jeton Altini me familje.

Të gjitha këngët i kanë shkruar vetë. Albumi i bendit shqiptaro-zviceran „Pablo Infernal“ pritet të dalë në shkurt të këtij viti.

Altini është gjimnazist në drejtimin muzikor. Shqiptari me origjinë nga Presheva është dhënë shumë pas muzikës. Ai përveç rockut, e do edhe muzikën klasike. Altini luan për mrekulli edhe në piano. Pas maturës që e mbaron sivjet, Altin Asllanin e presin studimet sërish në muzikë.

Altin Asllani

Vaxhid Xhelili, në Antologjinë e Poezisë Moderne të Zvicrës

Këtu e një çerekshekulli më parë, Vaxhid Xhelili do të lexonte me pasion poezitë e tij nëpër amfiteatrot e Universitetit të atëhershëm të Prishtinës. Atje diku i ka fillet “Malli për Etlevën”, libri i tij që më vonë do të bëhet emër identifikues për poezinë e Xhelilit, edhe në Zvicër.

Rreth vitit 2000 ky libër do të vinte në gjermanishte me titullin “Sehnsucht nach Etleva” në përkthim të Hans Joachim Lanksch-it.
Ndërkohë, rruga krijuese e Vaxhid Xhelilit në Zvicër njeh edhe disa stacione të tjera. Ai bën pjesë në mesin e një numri shumë të vogël të poetëve shqiptarë këtu për të cilët mund të thuhet se kanë një prani në jetën letrare të hapësirës kulturore ku jetojnë.

Suksesi i rëndësishëm i radhës i Vaxhidit është përfshirja e tij në një antologji të letërsisë zvicerane, të botuar nga “Limmat Verlag” i Cyrihut.

“Poezia Moderne në Zvicër” mban titullin antologjia voluminoze e përpiluar nga autori Roger Perret, që ka dalë nga shtypi në fund të vitit të kaluar dhe ka bërë jehonë të madhe në qarqet letrare të Zvicrës. Ajo përfshin poezi të zgjedhura të shkruara në Zvicër gjatë 113 viteve të fundit,harkun kohor 1900-2013.

“Janë të gjithë autorë zviceranë, të prezantuar me nga një deri në dy faqe poezi. I vetmi i huaj jam unë. Libri ka rreth 650 faqe dhe ka pasur disa promovime në rrethe elitare në Bazel e gjetiu”, thotë Xhelili. Ai ndjehet i nderuar me hapësirë që i është dhënë në një libër të tillë dhe me këtë beson se i është bërë nderë edhe letërsisë në të cilën ai vazhdon të krijojë, letërsisë shqiptare.

Ndërkohë, veprën letrare të Vaxhid Xhelilit e gjejmë edhe në një botim tjetër, në librin kalendarik të regjionit ku ai jeton, Laufenthal, në kantonin Baselland. Ai aty përfaqëson si i vetmi poet komunën e tij, Roschenz-in.

“Jam përfaqësues i Komunës ku jetoj në librin kalendarik, i cili botohet për çdo vit për 14 komuna. Këtë vit mua më kanë zgjedhur si vlerë kulturore të komunës. Në këtë libër më janë kushtuar pesë faqe”, thotë ai, duke na treguar pjesën e tij të librit, të titulluar “Një poet në Roschenz”.

Edhe ky libër ka pasur promovimin e tij kohë më parë, ku kanë qenë të pranishëm politikanë, njerëz të kulturës, televizioni i Bazelit etj.

“Me thënë të drejtën prania në këtë antologji më ka sjellë nga pak edhe telashe”, thotë duke qeshur Xhelili. Libri, si kalendar vjetor, ka një shpërndarje të madhe. Kështu, në një vend të vogël si Roschenzi, më identifikojnë tashmë të gjithë dhe më ndalin edhe në rrugë për të biseduar. Pastaj, në këtë komunë jeton pianisti me famë botërore Christian Zimmermann, i cili ka përfaqësuar viteve tjera Roschenzin në këtë libër”, thotë Xhelili për albinfo.ch.

Vaxhidi ka edhe një plan që pret ta realizojë së shpejti. “Deri në fund të shkurtit do ta botoj një libër të ri me poezi, në gjuhën shqipe dhe gjermane. Si titull pune ia kam vënë “Gjurmët”.

Është fjala për një projekt të tij, të financuar nga komisioni profesional për kulturë i kantoneve Baselstadt dhe Baselland. Libri i Xhelilit është përzgjedhur në fillim të vitit që kaloi për tu mbështetur me 15 mijë franga, krahas pesë librash të autorëve zviceranë.

Botues i librit në gjuhën shqipe do të jetë “Ars Klubi” nga Gjilani ndërsa në gjermanishte “Limmat” ose ndonjë tjetër”.

Ndërkohë, për 3 shkurt ai fton adhuruesit e poezisë që të jenë të pranishëm në mbrëmjen poetike qe mbahet në Liestal, në Theater Palazzo duke filluar në orën 19 e 30. Aty, poezitë e tyre ende të pa publikuara do t`i lexojnë katër poetë zviceranë dhe Vaxhid Xhelili. Është fjala për poetët e mbështetur nga konkursi i përmendur i dy kantoneve, në vitin e kaluar

“Është paraparë të lexoj gjermanisht por do të përpiqem që të lexoj edhe në gjuhën shqipe”, thotë ai, i bindur se shqipja tingëllon njësoj bukur dhe me dinjitet edhe në sallat zvicerane.

“Lotët e mërgimit” dhe peripecitë e integrimit

Integrimi, asimilimi, konflikti mes gjeneratave, si dhe shkëputja apo edhe mbajtja e lidhjeve me vendin e origjinës, janë probleme që i hasim çdo ditë në mërgatën shqiptare në botë.

Janë pikërisht këto temat bosht të cilat pritet të shtjellohen në mini serialin “Lot Mërgimi”, i cili pati premierën e episodit të parë të dielën në Zofingen të Kantonit Aargau.

Edhe pse lokacioni nuk përmbushte kushtet për shfaqjen e një filmi, kjo nuk ishte aspak pengesë për shumë të ftuar, mysafirë e artdashës, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë. Në emrin e Ambasadës së Kosovës publikut i është drejtuar ministri këshilltar, Mustafë Xhemajli ndërsa në emrin e asaj të Maqedonisë, Ekrem Ebibi, ushtrues detyre i ambasadorit.

I xhiruar në dy lokacione, ky serial mëton të sjellë para shikuesit peripecitë dhe hallet e dy familjeve shqiptarë, njëra në Kosovë e tjetra në Zvicër dhe vështirësitë e tyre me përballjen e realitetit, që shikuar nga pikëpamja e tyre, cilësohet si mjaft i hidhur.

Dalipi (Zijadin Murtezi), një pensionist invalidor në Zvicër, i cili me gjithë 40 vitet e qëndrimit në Zvicër, ende mundohet t`i mbajë të forta lidhjet me vendlindjen. Ai po ashtu mundohet t’ua imponojë të njëjtën gjë edhe fëmijëve të tij të lindur në Zvicër. E këta janë më shumë të interesuar për jetën e tyre në Zvicër, duke krijuar kështu edhe konflikt mes gjeneratave.

Në anën tjetër kemi  familjen në Kosovë, anëtarët e të cilës, dëshira për një jetë më të mirë në Zvicër, i shtyn drejt të panjohurës, që mund të ketë edhe pasoja.

Episodi i parë i serialit, kishte si qëllim që të njoftonte publikun me protagonistët dhe me problemet me të cilat ballafaqohen ata në jetët e tyre të përditshme, qoftë në Kosovë apo Zvicër.

Edhe pse ka vite që merret me këtë lëmi, seriali “Loti i Mërgimit”, është projekti i parë serioz i kameramanit dhe regjisorit Enis Limani. Pas një pune tejet të madhe, ai për Albinfo.ch tha se është tejet i kënaqur me atë që u shfaq në ekran, si dhe me punën e aktorëve dhe stafit teknik e organizativ.

Ndërsa Ajet Avdyli, drejtues i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Faruk Begolli” në Grenchen të Solothurnit, ka theksuar se pos paraqitjes përmes artit të problemeve e halleve me të cilat përballen familjet shqiptare në Zvicër e Kosovë, ky projekt kishte për qëllim edhe inkuadrimin apo edhe zbulimin e artistëve të rinj në diasporë.

Edhe pse ka një përvojë 40 vjeçare në aktivitetin teatror e skenik, për shkrimtarin Agron Boriqi, ky ishte skenari i parë për një film. Skenaristi Boriqi thekson se qëllim i serialit është të nxisë integrimin e mërgatës në Perëndim, po në asnjë mënyrë edhe asimilimin e tyre. Projekti, të cilin ai e quan si “dramë sociale e realitetit njerëzor”, ka qëllim po ashtu ruajtjen e identitetit kombëtar të mërgatës.

Për aktorin kryesor Zijadin Murtezi, i cili ka një bagazh 35 vjeçar në film e teatër, seriali, pavarësisht mangësive të shumta teknike, tregon edhe një herë se kur ka vullnet mund të arrihet gjithçka.

Në rolet e tjera në serial paraqiten edhe aktorët Fatime Llugiqi, Emine Toska, Florim Brajshori, Kenan Gurgurovci etj.

Seriali “Loti i Mërgimtarit”, është një bashkëprodhim mes Shtëpisë Filmike VSE dhe Shoqatës kulturore Shqiptare “Faruk Begolli” në Grenchen. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të aktorëve, sipas organizatorëve ka pasur dy konkurse, ku ka pasur mjaft të interesuar për të luajtur në serial. Si i tillë, seriali pritet të ketë gjithsej 6 episode, e që sipas skenaristit, skenari është pothuajse i gatshëm, ndërsa përgatitjet për episodin e dytë, pritet të fillojnë në prill të këtij viti.

Lotët e mërgimit 2

Jehonë e madhe e librit të Ilir Xheladinit në gjuhën frënge

Libri i parë i autorit shqiptar Ilir Xheladini i shkruar në gjuhën frënge, romani për fëmijë «Midax, l’araignée voyageuse», është duke ngjallur interesim të madh te lexuesi në Zvicrën frankofone. Disa muaj pas botimit, atij po i bëhen disa organizime të natyrës promovuese, që edhe për vetë autorin janë befasuese.

“Libri ka ngjallur një kërshëri të madhe dhe më mahnitin e-mailet e shumtë që marr nga lexuesit. Nga këto rrjedhin edhe dy ngjarje që do të organizohen këto ditë në qytetin e Neuchâtel-it”, thotë për albinfo.ch Ilir Xheladini.

Aktiviteti i parë është më 29 janar nga ora 12h15 deri më 13h00 dhe mbahet në teatrin “Théâtre du Passage”. Është fjala për një takim me autor, në këtë rast do paraqitem para lexuesve dhe do ta prezantoj p librin tim.

Ndërsa aktiviteti i dytë është me 1 shkurt, nga ora 14h00 deri më 16h30. Ai mbahet në librarinë “Payot” e cila është libraria më të madhe në qendër të qytetit (Neuchâtel-it). Këtu do të  jem prezent për të nënshkruar librat atyre që i blejnë, ose siç quhet këtu në një “seancë dedikimi”.

Xheladini më tutje shprehet se e gjithë kjo bujë e ka gjetur të befasuar dhe gjithsesi, e ka bërë të lumtur. “Jam duke lundruar në një botë që nuk e kam njohur, e të shohësh posterët në gjithë librarinë me emrin tënd, sigurisht të bën shumë të lumtur”, pranon Ilir Xheladini.

Ilir Xheladini 2

Projekti “Besa”, kontribut për imazhin e shqiptarëve

Një grup iniciues i mbështetur nga Ambasada e Izraelit në Bernë ka iniciuar një projekt  për organizimin e një serie ekspozitash në qytetet e Zvicrës mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Ambasada eKosovës, sikurse edhe ajo e Shipërisë kanë qenë nga fillimi të përfshira në këtë projekt. Tash, disa muaj pas bërjes publike të nismës, nga grupi iniciator dëgjohen shqetësime për përgjigje jo të kënaqshme të komunitetit të këtushëm shqiptar.
Krahas ambasadave të përmendura edhe albinfo.ch është e përfshirë në mënyrë aktive në këtë projekt. Pas një interviste që ditë më parë ka bërë me atashenë për kulturë dhe medie në Ambasadën e Izraelit në Bernë, zonjën Esther Hörnlimann, portali ynë ka kontaktuar edhe ambasadën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë si partnerë në këtë projekt.
Si ambasadori i Kosovës, Naim Malaj ashtu dhe i ngarkuari me detyrë pranë Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli shprehen se një eveniment i tillë është në radhë të parë në interes të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe shqiptarëve në përgjithësi prandaj mbështetja për të është diçka e nënkuptueshme. Por ata pajtohen se ka një ngërç në këtë mes. Përkrahja financiare nuk i plotëson ende pritjet dhe zotimet e bëra nga komuniteti ynë. Fjalët e Ambasadori Malaj mbase e përshkruajnë më mirë këtë gjendje: “Ndoshta, si komunitet jemi pak të ngadaltë, por duke e njohur atë, jam plotësisht  i bindur se ky projekt do të mbështetet plotësisht nga komuniteti ynë”.

– Por, cilat kanë qenë zotimet që kanë marrë Ambasada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në Bernë lidhur me projektin?

“Ka një dokument të nënshkruar nga tre ambasadorët: i Izraelit, i Shqipërisë dhe ai i Kosovës për ta mbështetur dhe përkrahur realizimin e projektit “Besa” duke marrë edhe angazhime logjistike dhe financiare. Ka pasur takime te rregullta mes ekipeve të tri ambasadave, të cilët kanë krijuar edhe konceptin e këtij projekti: ekspozitë fotografish, shfaqje filmash (si p.sh. ai i Dardan Islamit `Shpëtimi i Hebrenjve në Shqipëri`etj.”, thotë ambasadori Malaj, i cili nënvizon po ashtu se tri ambasadat kanë marrë edhe angazhime financiare.
“Duke e pasur parasysh rëndësinë e një veprimtarie të tillë ambasada jonë ka marrë një angazhim financiar më të lartë. Janë 10 mijë euro që Ambasada e Kosovës, i ka ndarë  për këtë projekt. Kjo tanimë është zyrtare”.
Përveç mbështetjes financiare, organizimit të një takimi me bashkatdhetarët tanë në ambasadën tonë ku ishte i pranishëm vetë Ambasadori  izraelit, ne angazhohemi që  të mobilizojmë komunitetin tonë, si në rezervimin e sallave, informimin e bashkatdhetarëve tanë, vënien në përdorim të mjeteve transportuese dhe në kërkimin e personaliteteve shqiptare si mbështetës të projektit. Vlen të përmenden në këtë kontekst futbollisti i njohur Valon Behrami, këngëtarja Elina Duni, Miss Suisse Romande (Sindi Arifi) etj. që kanë dhënë pëlqimin për të mbështetur projektin.

Më tutje ambasadori Malaj vë në pah rëndësinë e madhe që një projekt i tillë ka për shqiptarët dhe për Kosovën. “Pak njerëz, bile edhe nga ne, e dinë se shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë mbrojtur dhe shpëtuar mijëra hebrenj që kërkoheshin nga nazistët. Kjo ishte diçka e mahnitshme, një popull i varfër, i pushtuar nga nazizmi, kishte ndarë bukën e gojës me miqtë e tyre hebrenj, kishte vënë në rrezik jetën e tij duke mos denoncuar as edhe një hebre tek nazistët gjermanë. Kjo, me përjashtim të Danimarkës, nuk ka ndodhur në vendet tjera. Ky gjest, ky veprim duhet të na bëjë të gjithëve krenarë”, ka shtuar Malaj.

– Nga projekti më së shumti përfiton imazhi i shqiptarëve në Zvicër

Ndërkaq ai nuk ka lënë pa përmendur edhe efektin që suksesi i këtij projekti do të kishte në imazhin e shqiptarëve në Zvicër. “Së fundi kjo ekspozitë po bëhet në Zvicër, ku shqiptarët ende vuajnë nga paragjykime jo të mira nga një pjesë e opinionit të këtij vendi. Është ky rasti më i mirë për ta kuptuar anën tjetër të medaljes se shqiptarët janë një popull i fjalës dhe i Besës. Pastaj, kur një ekspozitë e tillë, bëhet dhe mbështetet nga ambasada izraelite, nga shoqata tjera hebraike, i jepet kredibilitet edhe më i madh kësaj të vërtete për shqiptarët. “Jam i bindur se një projekt i i tillë do t’i bëjë, një pjesë të skeptikëve këtu në Zvicër,  që të mendojnë më ndryshe për shqiptarët e Zvicrës”, thotë ai. Në këtë kuptim, ambasadori i Kosovës në Bernë u drejton bashkatdhetarëve në Zvicër këtë mesazh: “Një popull, një shtet si Izraeli do t’i tregojë Zvicrës dhe Botës se  kush janë në të vërtetë  shqiptarët. Diaspora hebraike në Zvicër ka mbledhur mbi 30 mijë franga për këtë projekt. Do të ishte e paimagjinueshme që 300 mijë shqiptarët e Zvicrës të mos mobilizoheshin për ta mbështetur këtë projekt. Kur të tjerët angazhohen që të flasin me fakte dhe dëshmi në superlativ për Besën tonë, ne nuk duhet, dhe nuk guxojmë të rrimë indiferent dhe duarkryq.
Ndoshta, si komunitet jemi pak të ngadaltë, por duke e njohur atë, jam plotësisht  i bindur se ky projekt do të mbështetet plotësisht nga komuniteti ynë”, përfundon ambasadori Malaj.

box

Kur të tjerët afirmojnë vlerat tona, ne nuk mund të rrimë duarkryq

“Një popull, një shtet si Izraeli do t’i tregojë Zvicrës dhe Botës se  kush janë në të vërtetë  shqiptarët. Diaspora hebraike në Zvicër ka mbledhur mbi 30 mijë franga për këtë projekt. Do të ishte e paimagjinueshme që 300 mijë shqiptarët e Zvicrës të mos mobilizoheshin për ta mbështetur këtë projekt. Kur të tjerët angazhohen që të flasin me fakte dhe dëshmi në superlativ për Besën tonë, ne nuk duhet, dhe nuk guxojmë të rrimë indiferent dhe duarkryq”.

B.SH.

Ambasadori Malaj, priti shkrimtarët Vaxhid Xhelilin dhe Ilir Xheladinin

Më 10 shkurt 2014, Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Naim Malaj, i priti në zyrën e tij në Ambasadë në Bernë, poetin e njohur Vaxhid Xhelilin, nga fshati Lluçan i Bujanovcit, i cili jeton dhe vepron në Laufenthal, në kantonin Baselland dhe shkrimtarin e ri të talentuar Ilir Xheladinin, nga Prishtina, i cili jeton dhe vepron në Neuchatel.

Ambasadori Malaj i uroi dhe i përgëzoi për të arriturat e tyre letrare gjatë vitit të kaluar, e që janë edhe të arritura të letërsisë shqipe që krijohet në Zvicër si pjesë e pandarë e letërsisë sonë kombëtare. Ai shprehu kënaqësinë që poeti Xhelili përfaqësohet me poezi në gjuhën gjermane në një antologji të madhe zvicerane dhe shkrimtari Xheladini me daljen për herë të parë para lexuesve me romanin për fëmijë të shkruar drejtpërdrejtë në gjuhën frënge e të botuar në Paris.

Ambasadori tha se edhe komuniteti i sotëm letrar shqiptar në Zvicër ka një traditë të mirë të krijimtarisë artistike, dhe, ashtu siç jemi aktualisht të njohur në futboll te publiku zviceran sigurisht, që shqiptarët në Zvicër do të njihen edhe me vlerat e tyre letrare që i krijiojnë këtu me sukses e duke i afirmuar ato, siç kanë bërë poeti Vaxhid Xhelili e shkrimtari Ilir Xheladini, i cili, në fund të këtij takimi të ngrohtë rreth njëorësh, atyre u uroi suksese të metejme në krijimtarinë tyre letrare dhe afirmimin e letërsië shqipe në Zvicër.

Poeti Vaxhid Xhelili, është përfaqësuar me poezi në Antologjinë e poezisë zvicerane “Moderne Poesie in der Schweiz” (Poezia Moderne në Zvicrës – e autorit Roger Perret, e cila përfshin poezi të shkruara në Zvicër gjatë 113 viteve të fundit. Antologjia është e botuar nga shtëpia botuese në Cyrih, “Limmat Verlag”. Vaxhid Xhelili në qarqet letrare zvicerane është i njohur edhe me librin e tij poetik “Sehnsucht nach Etleva” (Malli për Etlevën) të përkthyer nga Hans Joachim Lanksch.

Ndërsa shkrimtari Ilir Xheladini botoi librin “MIDAX l’araignée voyageuse” (“MIDAX, merimanga udhëtare”), i cili u prit mjaft mirë nga kritika dhe lexuesit, roman i botuar nga shtëpia botuese “Jets D’encre” në Paris.

Drama moderne shqiptare në Vjenë

Më 28 shkurt dhe 1 mars, me fillim në orën 19.00 në teatrin popullor Hundsturm te Vjenësmbahet festivali i shkurtë me moton “Die Besten aus dem Osten” (Më të mirët nga vendet e lindjes). I ndarë në dy ditë, festivali që ka filluar të mbahet nga viti 2007 bën një shëtitje teatrale dhe letrare në vendet e Evropës lindore dhe asaj qendrore.
Në vazhdimin e 12 të festivalit, më 28 shkurt dhe 1 mars në fokus do të jetë Shqipëria. Ligjëratën “Rruga e gjatë-Letërsia e Shqipërisë pas kthesës” e mban përkthyesi me renome Hans Joachim Röhm. Ai më 1 mars prezanton shkrimtarin e njohur, Fatos Kongolin, njërin ndër më të lexuarit në Shqipëri dhe njëherësh bashkëthemelues i lëvizjes demokratike shqiptare, shkruan agjencia e lajmeve e Austrisë, apa/öts.
I ftuar në këtë festival është edhe “Teatri i Metropolit Tirana” me shfaqje “Tri mendje në ankand”, një komedi absurde lidhur me tre pacientë të një klinike psikiatrike. Ajo është vepër e dramaturgut Ferdinand Hsi dhe është shpallur njëra ndër 120 dramat më të mira evropiane sipas “European Theatre Convention.
Me monodramën e Stefan Capalikut “Fausti prej Tirane” prezantohet në këtë festival një parafrazim politik që i bëhet dramës së njohur të Gëtes, që pasqyron frustrimin e intelektualit shqiptar, 20 vjet pas përfundimit të regjimit komunist.
Faustin në këtë shfaqje e luan njëri ndër aktorët më të njohur shqiptarë, Alfred Trebicka. Të dyja shfaqjet jepen në gjuhën shqipe me përkthimin gjermanisht.
Krahas kësaj, më 1 mars, në orën 20 do të bëhet edhe një lexim skenik i dramës së autores Jonila Godole “Njeriu prej rëre” (Der Sandmann). Leximi do të bëhet gjermanisht nga aktorë të ansamblit të Volksthetare të Vjenës. I gjithë festivali do të ketë edhe një shoqërim muzikor nga bendi “Orges&the Ockus-Rockus Band” që bën muzikë disko me atmosferë rome.
Festivali është bërë i mundur përmes bashkëpunimit në mes të Ministrisë Federale të punëve të jashtme dhe me mbështetjen e ministrisë për arsim, kulturë dhe arte si dhe fondacionit Traduki.

Shqiptari 23 vjeçar drejton një teatër të rinjsh në Gjermani

I riu 23 vjeçar, Demokrat Ramadani është themelues i një teatri të rinjsh në  Schloß Holte-StukenbrockI. Shumica e projekteve të vëna në skenën e këtij teatri janë vlerësuar me çmime të rëndësishme. Së fundi, së bashku me dy pedagogë të teatrit, ai është në përfundim të realizimit të një projekti që ka ngjallur interesim të theksuar në regjion.

Fjala është për shaqjen teatrore “Gefangen! – Erinnerungen an eine Zeit vor meiner Zeit” (I burgosur! – Kujtime nga koha para kohës sime). Ajo bën fjalë për kampin më të madh nazist të përqendrimit “Stalag 326”

K”am qenë në klasën e dhjetë kur kam dëgjuar për këtë kamp. Nga ajo kohë nuk më lë të qetë fakti se ka ekzistuar në kamp i tillë i tmerrshëm”, hotë Demojrati, shfaqja e të cilit do të jepet më 28 mars

Tenori shqiptar, Armaldo Kllogjeri, para publikut zviceran

Armaldo Kllogjeri është pa dyshim një prej zërave më të talentuar të operës shqiptare që po zhvillon një karrierë të suksesshme artistike edhe në Evropë.

Solisti shqiptar sapo i ka dhënë jetë Ricardos, personazhit të operës “Ballo me maska”,  “Un ballo in Maschera” të Giuseppe Verdit , një rol i cili u vlerësua nga publiku zviceran.

Kënaqësi e veçantë është kur një yll shqiptar i çon peshë emocionet e publikut zvicerane, siç ishin ata që kishin mbushur sallën cep më cep të Teatrin e Langenthal-it dhe që e shpërblyen me shumë ovacione artistin nga Shqipëria.

Opera flet  për një përzierje të një historie dashurie, intrigës politike dhe krimit që kishte ngjallur diskutime në lidhje me përmbajtjen, e cila është arsyeja pse opera në fjalë ishte ndikuar nga censura.

Opera e Verdit, ku rolin kryesor e luan shqiptari Armaldo Kllogjeri, pas shfaqjes në Thun, Vevey dhe Langenthal, do të shfaqet edhe në Teatrin e Oltenit më 15 mars 2014.

Solisti i operës, Armaldo Kllogjeri, menjëherë pas mbarimit të shkollës u shpall si këngëtari më i mirë lirik për vitin 2007. Që nga ajo kohë e deri më sot i ka dhënë jetë një numri të madh personazhesh të operave botërore dhe shqiptare. Tenori shqiptar me talentin e tij po prezantohet suksesshëm në skenat evropiane, duke marrë duartrokitjet e publikut që e vlerëson për talentin e tij.

 

“Nuk erdhi Veliu”, një komedi ku qeshet me lot

Publiku në sallën e vogël por të ngrohtë të teatrit në një shkollë të Winterthurit, të shtunën ishte dëshmitar i një mbrëmjeje të këndshme artistike. Pak këngë, pak ekzekutime në piano, disa piktura të ekspozuara, një recitim dhe një shfaqje e realizuar mjaft mirë, u kurorëzuan me disa valle popullore. Të gjitha këto në lokalet që i ka në shfrytëzim ansamblit “Vatra”, dega në Winterthur, kryesuar nga Zeqir Gashi, që  ishte edhe nikoqir i mbrëmjes.

Në mesin e gjithë këtyre pikave artistike, shfaqja e komedisë “Nuk erdhi Veliu” ishte sigurisht “magneti” që kishte tërhequr më shumë publikun.

Diçka në mes të forum-teatrit dhe komedisë stand-up apo një kombinim i këtyre të dyve – ku nuk përjashtohet edhe ndonjë përkufizim i tretë. Ky është pak a shumë koncepti mbi të cilin është ngritur shfaqja me titullin e pazakonshëm “Nuk erdhi Veliu”, me tekst dhe regji të përbashkët të pjesëtarëve të grupit teatror “Aktrimi” nga Cyrihu.

Në këtë “më shumë se komedi”, siç e kanë mbiquajtur autorët, luajnë “të tjerët pa Veliun”. E Veliu (Berisha), ai që ka munguar, është në fakt njëri nga aktorët më aktivë të grupit, i cili, siç u tha gjatë shfaqjes, shpesh ndodh të vonohet për prova dhe të paraqitet me telefon “nga kolona”, ku rëndom është duke vozitur me makinë.

Në fakt, siç e sqaron drejtuesi i grupit, Ramadan Morina, pikënisja e realizimit të kësaj shfaqjeje është mungesa. Mungesa e kushteve në radhë të parë, për realizimin pa telashe të një projekti teatror. Grupi “Aktrimi”, të cilin e mban bashkë pothuaj vetëm entuziazmi dhe dashuria për teatrin, në provat e tij përballet çdo ditë me problemet më banale: mungon njëri nga aktorët për shembull (sikur “kësaj here” Veliu) e pastaj duhet improvizuar. Dhe në këtë improvizim kreativ qëndron shpesh edhe e bukura e shfaqjeve të grupit. Sikurse edhe e shfaqjes më të re, “Nuk erdhi Veliu”.

Gjithë ngjarja pastaj  zhvillohet në një klinikë psikiatrike, ku tre protagonistët e shtruar aty: Dani, Avdiu dhe Feka shpalosin talentet e tyre përmes një audicioni për aktorë. Infermierja zvicerane (Xheneta Zuzaku) përmes një nënteksti të veshur me një humor të hollë e shpotitës, i portretizon protagonistët e përmendur duke dialoguar njëkohësisht me ta. Pastaj, ajo ua lë skenën treshes nga psikiatria.
Dani, i cili thotë të ketë qenë dikur një regjisor e aktor i madh, profesor i regjisë dhe aktrimit, ka shpallur një audicion për aktorë të rinj. Fillimisht ai “kërkon” kandidatët në mesin e publikut, duke vendosur kontakt interaktiv me të. Pastaj në skenë vijnë si kandidatë, dy të sëmurët tjerë nga psikiatria, Avdiu (Avdi Amidi) dhe Feka (Fikrim Morina).

Ngatërrimi që këta dy dhe sidomos Feka, u  bëjnë koncepteve elementare të teatrit, çon në keqkuptime të shumta që si rezultat të fundit shkaktojnë të qeshura deri në lot të publikut. Një nevojë kjo që, siç e theksuan shumë nga shikuesit, i kishte sjellë këtu dhe duhet thënë se ishin ndarë të ngopur.

Lojën e aktorëve të “Aktrimit”, si gjithmonë edhe kësaj here e veçonte përkushtimi dhe entuziazmi. Por ajo që duhet theksuar është se ardhja në këtë trupë, e aktorit nga Prizreni, Fikrim Morina, ka freskuar dhe dhe dinamizuar shumë lojën. Prirja e tij e lindur për humor, e ngritur në nivel artistik përmes shkollimit të kryer për aktor, i ka dhënë vulë komedisë së shfaqur në Winterthur.

Para shfaqjes, me dy pika të ekzekutuara në piano është prezantuar nxënësja Flutura Bytyçi, e cila ka treguar një virtuozitet të vërtetë për moshën. Ndërsa me një recital është paraqitur Qëndresa Kuqi, e cila, krahas Blearta Gashit, ka bërë edhe moderimin e mbrëmjes.

Një pikë interesante e mbrëmjes ka qenë edhe prezantimi i piktores së vogël, Abetare Berila, e cila ka hapur deri më tash një numër ekspozitash të suksesshme në Gjermani  dhe në Zvicër. Njëri nga mësuesit e saj të artit, piktori Arsim Berisha i dhuroi asaj me këtë rast një certifikatë.

Ndërsa piktorja e vogël i dhuroi ansamblit nikoqir dhe atij “Aktrimi” nga një pikturë.

Në fund, në një atmosferë spontane grupi i fëmijëve i ansamblit “Vatra”, dega në Winterthur ka luajtur një numër vallesh shqiptare.

 

Berna, arena e radhës e suksesit të “Shkollës shqiptare të muzikës”

Nuk janë vetëm Inva Mula, Saimir Pirgu ose Ermonela Jaho, ata që u kanë ngritur namin shqiptarëve në sferën e muzikës klasike jashtë vendit. “Shkollën shqiptare të muzikës” në botë e përfaqësojnë me dinjitet edhe shumë këngëtarë dhe  instrumentistë të talentuar. Një numër jo i vogël i tyre kanë janë instrumentistë të parë apo drejtues në orkestra të ndryshme.
Në këtë radhë bëjnë pjesë edhe instrumentistët: Dhurata Lazo, Zija Bejleri, Gjergj Bejko  dhe Klaidi Sahatçi. Ata  jetojnë në anë të ndryshme të Gjermanisë dhe të Zvicrës ndërsa ajo që i bashkon është pasioni për muzikën, i cili tashmë është shndërruar edhe në profesion të tyre.

Gjergji, që posa ka mbushur 12 vjetët, është një “vunderkind” i llojit të tij në piano. Në akademinë e muzikës në Freiburg kanë thyer rregullat për ta pranuar atë, si një talent i jashtëzakonshëm, që  në moshën 11 vjeçare. Para kësaj, Gjergj Bejko ka marrë shumë çmime muzikore. Klaidi Sahatçi është violina e parë në orkestrën e njohur të Cyrihut “Tonhalle” ndërsa Zija Bejleri, udhëheqës artistik në një orkestër gjermane.

Të katër mjeshtrit ishin mysafirë në Bernë, në sallën e katedraless Bernermünster, ndër më të mëdhatë dhe më të njohurat në Zvicër.

“Merita për ardhjen tonë këtu, i takon Zhaklina Dhimojani-Blättler, shqiptares që jeton në Bernë dhe është shumë e pasionuar pas muzikës” thotë për albinfo.ch violinisti Klaidi Saatçi. “Këtu jemi bërë bashkë: unë, që punoj në Cyrih, Dhurata Lazo-Bejleri dhe Zija Bejleri që janë bashkëshortë dhe jetojnë në Kaisersläutern si dhe Gjergji Bejko, më i vogli, 12 vjeç, i cili jeton me familjen në Freiburg të Gjermanisë”.

Sahatçi: Nga Cyrihu në Skala dhe sërish në Cyrih

Duke folur për karrierën e tij, Klaidi na tregon se para se të vendosej në Cyrih kishte punuar për një kohë në Skala të Milanos. “Por, edhe para se të shkoja atje, unë kam punuar në orkestrën zvicerane të dhomës (orkestra kamertale) si violinë e parë. Pas një kohe që qëndrova në Milano, orkestra Tonhalle e Cyrihut pati shpallur një konkurs ku morën pjesë një numër i madh violinistësh dhe u zgjodha unë. Kështu, sërish u ktheva në Cyrih”, thotë ai.

I pyetur për dallimet në mes punës në Milano dhe asaj në Cyrih, Sahatçi i thotë: “në Milano është bërë muzikë operistike ndërsa këtu në Cyrih orkestra Tonhalle  bën muzikë ca më intime, muzikë simfonike dhe dhome, që mua më flenë më shumë në zemër. Pastaj këtu jam violinë e parë dhe kam privilegjin të punoj me një violinë të mjeshtrit të madh, Stradivari, që është një mundësi jashtëzakonisht e madhe që mund t`i jepet një artisti..

Por, cili është sekreti i suksesit të asaj që quhet “shkollë shqiptare e muzikës”? – është pyetja e radhës. Sipas Klaidit, sekreti qëndron “te pasioni dhe te sensi i sakrificës që na dallon ne shqiptarëve. Ne, forcën tonë të brendshme e shndërrojmë në vullkan të madh kur përfaqësojmë vendin”, përfundon ai.

Zhaklina Dhimojani –Blättler thotë se është amatore e muzikës dhe organizatore e koncertit. “Sjellja e instrumentistëve këtu nuk ishte edhe aq e lehtë. Kishim një ndihmë të vogël nga Kiwani klub dhe pjesën tjetër e mbuluam vetë ne”, sqaron ajo për albinfo.ch.

Ndihmat, në një projekt humanitar për fëmijët në Shqipëri

Ndërsa  lidhur me karakterin humanitar të koncertit, ajo thotë: “Ndihmat që janë grumbulluar këtu do të dërgohen për një projekt për fëmijët në nevojë, në Himarë të Shqipërisë. Jemi në hapat e parë të ngritjes së një organizate humanitare”.  Ajo me tutje tregon se është duke punuar edhe në një projekt tjetër me muzikë klasike. Synimi është realizimi i një koncerti me fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe që dallohen me talentin e tyre në muzikë klasike.

Në koncertin e mbajtur në Bernë, që kishte tërhequr një numër të konsiderueshëm artdashësish, katër instrumentistët shqiptarë shkëlqyen secili në instrumentin e tij. Salla e katedrales me një akustikë të përsosur, ishte po ashtu “në anën” e instrumentistëve shqiptarë.

Klajdi Sahatçi me violinë, Dhurata Lazo-Bejleri me piano ashtu si dhe Gjergji Bejko ndërsa Zija Bejleri me sopran-sax, ekzekutuan vera të kompozitorëve të mëdhenj botërorë si Mozart, Beethoven, Schubert, Donizeti, Bellini etj. Por nuk munguan as tingujt shqiptarë. Vepra të kompozitorëve shqiptarë si A. Peçi dhe E. Rushiti ishin po ashtu në repertorin e koncertit dhe i dhanë një sharm karakteristik programit.

Në kuadrin e programit të të dielës në Bernë ishte edhe promovimi i cd-së “Albanian Memories” (Kujtime shqiptare) me pianisten Dhrata Lazo dhe violinistin Klaidi Sahhatçi.

Në mesin e publikut në sallë ndodhej edhe ambasadori i porsaemëruar i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni. Ai i përgëzoi me këtë rast artistët shqiptarë për kënaqësinë që i dhuruan publikut dhe për përfaqësimin e denjë të kulturës shqiptare jashtë vendit.