Kosova

Vuçiq, para takimit në Ohër, kërkon asociacionin

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, para takimit të 18 marsit në Ohër ka deklaruar se për të vazhduar diskutimet tutje, duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Për të ky kusht mbetet i panegociueshëm. “Më lejoni t’ju them se në të gjitha bisedat që kam pasur dhe në të gjitha ato, nuk është vetëm çështje e insistimit tonë, është çështje e bisedimeve që kemi pasur për asociacionin e komunave serbe, është parakusht për çdo bisedim, për çdo gjë, domethënë një kusht pa të cilin nuk mundmi, ta përkthej për njerëzit që nuk janë juristë, kështu që doni, doni, nëse nuk doni, nuk doni, thjesht mos na merrni më kohë dhe kaq”, ka deklaruar Vuçiq për mediat serbe.

Ai do të presë në vizitë të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutojë për pritjet e ndërkombëtarëve për takimin e 18 marsit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar të fundit herë në Bruksel me ndërmjetësim të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Palët nuk nënshkruan asnjë marrëveshje, por u pajtuan në parim me Planin Evropian për normalizim të marrëdhënieve. Ndërmjetësuesit evropianë synojnë që në Ohër të diskutojnë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe të nënshkruajnë planin bazë të saj.