Lajme
Vota e Diasporës: Një çelës për të ardhmen demokratike të Shqipërisë
Opinion

Benjamin Franklin shprehej se Shtetet e Bashkuara ishin “Një republikë, nëse mund ta mbani të tillë.” Ky paralajmërim—për natyrën delikate të demokracisë dhe përgjegjësinë e qytetarëve për ta mbrojtur atë—jehon fuqishëm në Shqipërinë e sotme. Pas vitesh advokimi, lëvizja “Diaspora për një Shqipëri të Lirë” ka arritur të sigurojë të drejtën e votës për shqiptarët jashtë vendit në zgjedhjet e majit 2025. Ky është një sukses historik, por, ashtu si republika demokratike e Franklin-it, tani paraqet një sfidë: a do të sigurojmë që kjo e drejtë të forcojë demokracinë, apo do të minohet nga keqmenaxhimi dhe neglizhenca?
Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, diaspora do të ketë mundësinë të votojë nga aty ku është. Ky është një moment me rëndësi të jashtëzakonshme—një njohje e së drejtës të miliona shqiptarëve që kanë mbajtur lidhje të thella me atdheun e tyre pavarësisht largësisë. Zërat e tyre, prej kohësh të munguar në kutinë e votimit, tani do të kenë mundësinë të ndikojnë në të ardhmen e vendit.
Por ndërsa ky është një hap përpara për demokracinë shqiptare, nuk është një garanci për përparim. Vota e diasporës ka potencial të jashtëzakonshëm, por vetëm nëse dimë ta menaxhojmë siç duhet. A do të përdoret ajo për të forcuar institucionet demokratike, për të ngrejtur nivelin e debatit politik apo dhe për të inkurajojuar llogaridhënien?
Përgjigjja varet nga serioziteti me të cilin Shqipëria e përqafon këtë mundësi.
Diaspora shqiptare nuk është një entitet i largët apo i shkëputur. Ajo ka luajtur një rol përcaktues në historinë e kombit, nga financimi i lëvizjeve për pavarësi te avokimi për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE. Edhe sot, ndikimi i saj është i pamohueshëm: remitancat nga shqiptarët jashtë vendit përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë kombëtare, duke mbështetur drejtpërdrejt mijëra familje dhe duke financuar biznese në mbarë vendin.
Për më tepër, diaspora përbëhet kryesisht nga një shtresë më e arsimuar, më e re dhe me të ardhura mesatarisht më të larta. Këta individë kanë studiuar dhe punuar në vende me institucione të forta demokratike, duke fituar përvoja të vlefshme mbi qeverisjen, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Sigurimi i pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje do t’i japë Shqipërisë jo vetëm burime financiare, por edhe kapital intelektual dhe një perspektivë progresiste.
Një nga aspektet më premtuese të votës së diasporës është potenciali i saj për të sfiduar dinamikat e rrënjosura politike. Diaspora nuk është subjekt i rrjeteve të patronazhit lokal, blerjes së votës apo frikësimit elektoral. Distanca e tyre nga presionet e përditshme politike u mundëson shqiptarëve jashtë vendit të votojnë me një perspektivë afatgjatë, duke i dhënë përparësi qeverisjes së mirë, transparencës dhe stabilitetit ekonomik mbi premtimet populiste afatshkurtra.
Nëse zbatohet siç duhet, vota e diasporës ka fuqinë të riformësojë peizazhin politik në Shqipëri. Partitë politike nuk do të mund të mbështeten vetëm në strategjitë tradicionale si më parë; ato do të duhet të zgjerojnë platformat e tyre për të adresuar çështjet që shqetësojnë shqiptarët jashtë vendit. Kjo përfshin politika për zhvillimin ekonomik, reformën në drejtësi, integrimin në BE dhe krijimin e një mjedisi që inkurajon investimet nga diaspora.
Për më tepër, një diasporë e angazhuar politikisht mund të ushtrojë presion mbi partitë për të ndërmarrë reforma të brendshme si edhe institucionale që i shërbejnë gjithë kombit. Pritshmëritë e tyre për qeverisje të mirë dhe standarde ndërkombëtare mund t’i detyrojnë aktorët politikë të miratojnë politika më të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.
Zgjedhjet e majit 2025 shënojnë një pikë kthese për demokracinë shqiptare. Vota e diasporës, nëse zbatohet siç duhet, mund të sjellë një valë të re energjie politike, të nxisë reformën dhe të forcojë unitetin kombëtar. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse klasa politike shqiptare dhe vetë diaspora e marrin këtë proces seriozisht.
Një Shqipëri më demokratike është e mundur—por na takon ne ta bëjmë realitet. Është koha të bëjmë që çdo votë të ketë peshë.
*Medlir Mema është Drejtues i Programit për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel. Ai është gjithashtu anëtar i bordit drejtues të lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë.”
E-Diaspora
-
Sulmojnë pikërisht shtëpinë e një polici: Kosovari thotë se ishte “vetëm ndihmës” Polici po flinte pas një turni të hershëm të punës. Ai ka dëgjuar zhurma trokitjesh dhe...
-
Elina Duni merr Çmimin Zviceran të Xhazit 2025
-
Tri kosovare marrin mirënjohje për reagimin e guximshëm pas sulmit me thikë në Siegen
-
Arrestohet 20 vjeçari shqiptar në Britani, po kultivonte 519 rrënjë kanabis
-
La Austrinë për të jetuar e punuar në Kosovë
Jeta në Austri
-
Çmimet më të larta dhe dërgim më i ngadaltë: Çfarë po ndryshon në postën austriake nga maji 2025 Nëse planifikoni të dërgoni letra në Austri, përgatituni për çmime më të larta dhe kohë më...
-
La Austrinë për të jetuar e punuar në Kosovë
-
Austri: Rënie e ndërtimit të banesave
-
Austri: Grupi i profesionistëve kërkojnë zgjerim të rregullores për punën e rëndë
-
Panairi “Vjena 2025“, bashkoi bizneset e trojeve shqiptare