Lajme

Vota e “artë” e diasporës

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe ekspertët zgjedhor, iu bëjnë thirrje të gjithë mërgimtarëve që të regjistrohen në listat e votuesve dhe të votojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shtyrë edhe për një javë regjistrimin e kosovarëve që jetojnë në diasporë. Me këtë afat institucionet e Kosovës po iu japin mundësi të gjithë kosovarëve në mërgim, që të regjistrohen në listat e votuesve, me qëllim që të bëhen objekt i vendimmarrjes politike.

Votat e diasporës, nga analistët dhe përfaqësuesit e partive politike, konsiderohen të jashtëzakonshme për të përcaktuar të ardhmen politike në Kosovë. Edhe pse këto zgjedhje janë lokale, certifikimi i votuesve të diasporës do të jetë valid edhe për zgjedhjet e ardhme parlamentare.

Që të përmbushet boshllëku i krijuar gjatë zgjedhjeve të kaluara, kur diaspora kosovare u anashkalua nga Prishtina zyrtare, kësaj here duket se politikanët dhe analistët politikë e kanë njëmendtë, kur i ftojnë mërgimtarët që të hedhin votën, për vendin e tyre.

Prandaj, që të përmbushet premtimi institucional që diasporës t’i rezervohen disa vende në Parlamentin e Kosovës, duhet që mërgimtarët të tregojnë përkushtim kushtetues, për të votuar nëpërmjet postës edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 

Shtyrja e aplikimin, vendim i mirë i KQZ-së

Burim Ramadani është deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherë sekretar i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai tha për “albinfo.ch“, se është vendim real i KQZ-së që ta vazhdojë regjistrimin e mërgimtarëve për të marrë pjesë në votime.

Madje, ai kërkoi që të bëhet njoftim sa më i madh i diasporës, se si duhet të votohet dhe si të aplikohet për votim. Ndërsa pjesëmarrjen e tyre në votim, Ramadani e quajti të domosdoshëm, duke e marrë parasysh rolin vendimtar të diasporës në lirinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj.

“Puna e parë, e drejta për të votuar është obligim kushtetuese dhe e drejtë themelore e njeriut, që nuk mund t’i mohohet askujt. E dyta, është fakti se diaspora është parter i Kosovës në mirëmbajtjen sociale e ekonomike, në zhvillimin e Kosovës, por veçanërisht në lirinë e saj”, tha ai.

Prandaj, sipas deputetit opozitar, është e domosdoshme që diaspora të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe të vendosë për preferencat e tyre politike. “Vendimi i KQZ-së për të shtyrë afati e regjistruesve nga diaspora është i arsyeshëm”, deklaroi deputeti Burim Ramadani.

Ideja për të shtyrë aplikimin e regjistruesve nga mërgimtarëve ka qenë e ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli.

Ky i fundit tha se është jo e logjikshme që regjistrimi i votuesve të diasporës të mbyllet shpejt, sepse me këtë rast institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i hyjnë në hak qytetarëve të saj, që janë jashtë shtetit.

Arsyeja pse Ministra e Diasporës ka kërkuar që të shtyhet afati për aplikimin e votuesve jashtë vendit, sipas Makollit, ka qenë shumë parimor

 

Kosova i ka hyrë në hak mërgimtarëve

 “KQZ njëherë vendosi që aplikimi të jetë deri më 2 shtator. Ne e konsideruam vendimin jo real, sepse ishte koha e pushimeve dhe mërgimtarët nuk kanë qenë të informuar për procesin zgjedhor. Prandaj KQZ e shtyri edhe për një javë, ndërsa ne reaguam dhe tash e ka shtyrë deri më 15 shtator”, tha Makolli për “albinfo.ch“.

Sipas tij, është skandaloze që t’u mundësohet kosovarëve jashtë vendit që të votojnë për vendlindjen e tyre.

“Çfarë faji ka një kosovar, që dy ditë para zgjedhjeve i bën 18 vjet. Edhe ai ka të drejt që të marrë vendim politik për të ardhmen e vendit të tij”, tha Makolli, duke iu bërë thirrje të gjithë mërgimtarëve që të votojnë.

“Për mua është e rëndësishme që të ketë sa më shumë votues të diasporës, ndërsa për kënd votojnë ata është krejtësisht çështje e dorës së dytë. Me rëndësi është që edhe ata të jenë pjesë e vendimmarrjes politike, sepse vota, fundi i fundit, është edhe politike”, deklaroi Makolli.

 Sipas tij, gjatë zgjedhjeve të kaluar, Prishtina zyrtare iu ka hyrë në hak mërgimtarëve, duke mos iu ofruar kushte për votim.

 Makolli tha se kjo nuk bën të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme, e aq më pak në kohën kur diaspora duhet ta ketë zërin e saj në Kuvendin e Kosovës, por edhe në kuvendet komunale.

Edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Zvicër i ka inkurajuar bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale.

“Kosova me këtë pushtet që ka i ka në qejf vetëm paratë tuaja, por jo edhe votat, kështu që shfrytëzojeni afatin e regjistrimit…. Prandaj edhe i kanë vendosur gjithë ato pengesa që ju të  mos votoni nga jashtë. Në njëfarë mënyre, për të votuar në Kosovë është bërë më vështirë se të plotësosh një formularë për vizë amerikane”, ka deklaruar Kurti.

Mazullum Barliu, ekspert i çështjeve zgjedhore dhe ish-drejtues i KQZ-së, thotë se pjesëmarrje e diasporës në procesin zgjedhor të 3 nëntorit është tejet i rëndësishëm, kur dihet fakti se Kosova vazhdimisht i ka hyrë në hak diasporës.

Nga gjithë ai korpus i shqiptarëve në diasporë, sipas tij, nëpër zgjedhje kanë marrë pjesë vetëm 1500 veta. “Ata madje do të duhej të ishin të përfaqësuar në Kuvend, të kishin Këshill Nacional dhe me ligjin për Diasporën duhet të ishin etabluar shumë më mirë”, deklaroi Baraliu.

 

Vetëm 1500 veta kanë votuar nga diaspora

 Ndërsa sa i përket shtyrjes së afatit për regjistrimin e diasporës, Baraliu thotë se ky është vendim shumë i duhur, ndërsa i rekomandon KQZ-së, që të përgatitet më mirë, sidomos për dhënien e mundësisë që diaspora të jetë komponent aktiv në proceset elektoral në Kosovë.

“Pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme shumë kur dihet se kemi 700 mijë apo 1 milion njerëz janë në mërgatë dhe sa do të thotë kjo shumë për një proces elektoral”, deklaroi eksperti i çështjeve zgjedhore, Mazllum Baraliu.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, secili qytetar që ka nënshtetësi të Kosovës mund të votoj, ose e ka të drejtën për të votuar dhe zgjedhur.

Sipas KQZ-së, votuesit jashtë vendit, mund të votojë për zgjedhjet në Kosovë, nëse ai, ose ajo, ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me rregullat e KQZ-së.

Procesi i votimit nga jashtë Kosove, sipas KQZ-së, realizohet përmes postës. Ky proces, bazohet në dy periudha, në periudhën e regjistrimit dhe periudhën e dërgimit të fletëvotimit.

“Çdo qytetarë që konsideron se ka të drejtë dhe është i interesuar për të votuar duhet të aplikojë për t’u regjistruar si votues jashtë vendit.

Pas aplikimit, KQZ do t’u njoftojë nëse kërkesa e juaj është aprovuar apo jo. Të gjithë aplikuesit e aprovuar do të pranojnë fletëvotimet e caktuara dhe materialet tjera përcjellëse në adresën e paraqitur gjatë aplikimit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Lista Përfundimtare Votuese për Zgjedhjet Lokale 2009, është përbërë nga 1.563.741  votues të ndarë në 36 komuna, në 746 qendra votimi dhe, në 2256 vendvotime. Sivjet numri është edhe më i madh sepse në garë për disa komuna, janë edhe serbët e veriut të cilët në zgjedhjet e kaluara e kanë bojkotuar procesin.