Lajme

Vonohen ndihmat humanitare, shkak, zvarritja në zhdoganim!

Pasi që kamionët e tyre qenë zhdoganuar me vonesë, është vonuar edhe shpërndarja e dhuratave, kështu që flotës nga Shqipëria i është dashur të udhëtonte për në Gjermani gjatë natës së Vitit të Ri

Kanë kaluar mijëra kilometra dhe mbrapa vetes kanë lënë shumë përjetime emocionale. Natën e Vitit të Ri, më 31 dhjetor  katër konvojët me 39 kamionë që nga Landshut-i i Bavarisë ishin nisur më 26 dhjetor, janë kthyer në shtëpi. Bëhet fjalë për rreth 100 shoferë dhe ndihmës vullnetarë. Nga të gjithë konvojët, vetëm ai i Shqipërisë ka mbërritur me vonesë, të enjten, më 1 janar. Arsyeja e vonesës është zvarritja në procedurat e zhdoganimit.

Por, marrë në përgjithësi, rrugëtimi 5-6 ditësh në të dy drejtimet ka rrjedhur pa pengesa të theksuara.

Konvojët me kamionë përplot me ndihma  kanë udhëtuar në drejtim të Shqipërisë, Rumanisë dhe Bosnjës.

50 mijë pako me ndihma të grumbulluara në gjithë Bavarinë nga shoqata humanitare e krishterë “Johaniter” kanë gjetur rrugën për te familjet e varfra të Ballkanit, te fëmijët, të sëmurët dhe personat me nevoja të veçanta.

Për të arritur edhe regjionet më të largëta, është dashur që ndihmat të ndaheshin në automjete më të vogla ose që ato t`u dorëzoheshin shoqatave simotra vendore për t`i shpërndarë më tutje. 

“Kemi përjetuar momente të bukura dhe të ngrohta, kemi tharë lotë lotë gëzimi dhe kemi parë sy fëmijësh që ndrisnin nga gëzimi”, i përshkruan përjetimet në Rumani njëri nga vullnetarët.

Ndryshe nga kolegët e tij që kishin qenë në Rumani dhe në Bosnjë, Ulrich Klaus-it si vullnetar në konvojin e Shqipërisë i është dashur pak më shumë durim, shkruan wasserburgerstimme.de. Pasi që kamionët e tyre qenë zhdoganuar me vonesë është vonuar edhe shpërndarja e dhuratave, kështu që flotës nga Shqipëria i është dashur të udhëtonte për në Gjermani gjatë natës së Vitit të Ri.