Integrimi
“Voice of My People” – Një vepër e përbashkët për të rrëfyer një jetë të vërtetë
Rrugëtimi i politikanit Islam Alija shndërrohet në një thirrje të gjerë shoqërore për përfaqësim, ku zëri i tij individual hap hapësirë për një komunitet të tërë që kërkon të dëgjohet dhe të marrë vendin që i takon në jetën publike
Dokumentari Voice of My People është rezultat i një bashkëpunimi të rrallë krijues mes tre regjisorëve – Lorenzo Oschwald, Ansgar Wörner dhe Nico Gerspacher – të cilët ndërthurën vizionet, etikën e vëzhgimit dhe përgjegjësinë e rrëfimit për të ndërtuar një portret të sinqertë të Islam Alijajt. Me mbi një vit xhirime, mbi 100 orë material dhe një qasje të balancuar mes intimitetit dhe angazhimit publik, filmi synon të shpalosë jo vetëm historinë e një kandidati, por edhe thelbin njerëzor, emocional dhe shoqëror të përfaqësimit.
Voice of My People ka qenë pjesë e festivalit prestigjioz të filmit të Cyrihut ZFF, që është mbajtur në fillim të tetorit. Në këtë intervistë, ekipi regjisorial rrëfen procesin e brendshëm të krijimit, sfidat, arsyet dhe pritshmërinë që mbajnë në duar këtë dokumentar.
albinfo.ch: Çfarë ju ka frymëzuar ta dokumentoni historinë e Islam Alijajt?
Motivim personal – Oschwald, Wörner, Gerspacher: Kur e dëgjon për herë të parë historinë e Islamit, mendon: “Këtë nuk ka si ta ketë shpikur dikush.” Pastaj e takon dhe kupton: ai është plotësisht serioz. Dhe e çon deri në fund. Për mua, pjesa më intriguese ishte të shihja çfarë fshihet pas një fushate politike. Aty e kupton se politikanët janë thjesht njerëz. Dhe njerëzit me historitë e tyre më kanë tërhequr gjithmonë. Mundësia për ta ndjekur kaq nga afër dhe për ta zbërthyer nga brenda kuptimin e të qenit politikan ka qenë vërtet tërheqëse.
albinfo.ch: A e shihni rolin e tij si individ frymëzues apo si përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara?
Wörner: Islami është një figurë mbresëlënëse. Kush ecën me kushtet e tij tregon vullnet dhe guxim të madh. Por ai gjithashtu u jep kurajë të gjithë atyre që mendojnë se nuk e kanë “bazën e nevojshme” për të arritur qëllimet e tyre.
albinfo.ch: Si e ndatë qasjen kreative si bashkë-regjisorë dhe cilat ishin sfidat më të mëdha gjatë xhirimeve?
Gerspacher: Është e pazakontë të drejtojnë tre vetë një film. Kjo funksionoi vetëm sepse ne të tre i njohim njëri-tjetrin prej vitesh dhe kemi besim të plotë. E dinim se filmi ishte prioritet i secilit dhe se të tre po punonim drejt të njëjtit vizion.
Në përgatitje diskutuam stilin, qasjen, strukturën. Pastaj ndamë detyrat: Lorenzo mori regjinë dhe kamerën në xhirime. Unë dhe Ansgari asistuam disa herë, por ishte e qartë që Lorenzo mbante timonin. Pas xhirimeve, montazhin e mori Ansgari, ndërsa unë u mora me konceptin e ngjyrave, muzikën dhe sound design. Tani me shpërndarjen e filmit po merremi kryesisht unë dhe Ansgari.
albinfo.ch: Sa zgjati procesi i xhirimit dhe cilat ishin etapat kryesore?
Oschwald: Patëm mbi 30 ditë xhirimi të shpërndara gjatë një viti, me më shumë se 100 orë material. Nuk pati skenar, sepse është dokumentar. Pika e vetme fikse ishte nata e zgjedhjeve, ku vendosej fundi i rrëfimit. E shoqëruam Islamin në takime të ndryshme – personale dhe profesionale.
Më pas nisi montazhi, ku nga fragmente të vogla duhej të krijonim një histori të qëndrueshme që pasqyron rolet e tij: individ, figurë publike, baba, aktivist dhe politikan. Ishte sfidë të ndërtoje tension dramatik kur fundi dihej tashmë, por pikërisht kjo e bëri procesin krijues edhe më interesant.
albinfo.ch: Si arritët të ruani autenticitetin, mes dimensionit personal dhe atij publik e politik?
Oschwald: E ruajtëm sepse e ndoqëm Islamin në ambiente shumë të ndryshme – nga fushata te një vizitë familjare në kopshtin zoologjik. Filmi sheh pas fasadës së figurës publike dhe e paraqet si njeri: me frikëra, presione, ambicie dhe dashuri familjare. Sfida ishte t’i organizonim këto aspekte në vetëm 90 minuta.
albinfo.ch: A ishte qëllimi dokumentimi i një fitoreje historike apo nxitja e një debati për përfshirje?
Wörmer: Fillimisht nuk ishte e sigurt që ai do të fitonte. Natyrisht, fitorja e zgjedhjeve e bën filmin të fuqishëm. Pas zgjedhjeve e çova Islamin në Berlin dhe organizova një takim me kryetaren e atëhershme të SPD, Saskia Esken, ku diskutuan si partitë mund t’i hapin më shumë dyer për personat me aftësi të kufizuara. Pra, filmi ka ndikim të shumëfishtë – politik, shoqëror dhe njerëzor.
albinfo.ch: A e trajtuat çështjen e perceptimit të emrit “Islam Alijaj”?
Wörmer: Po, edhe në fushatë u luajt me emrin e tij. Për krijuesit, kjo është interesante. Për shumicën e njerëzve, megjithatë, është krejt e parëndësishme nëse quhet Islam apo Tobias.
albinfo.ch: Cila është cilësia e tij më e fortë personale?
Oschwald: Këmbëngulja dhe aftësia për t’u përqendruar 100% te një qëllim. Ai përballon një presion të jashtëzakonshëm. Në film thotë se truri i tij punon “me 150%”, por shpesh njerëzit shohin vetëm pamjen e jashtme.
albinfo.ch: Si ka reaguar publiku?
Gerspacher: Shumë pozitivisht. Dimensioni i afërt dhe i sinqertë i filmit i prek njerëzit. Në premierën në Zurich Film Festival shumë vetë erdhën të emocionuar dhe na falënderuan. Kjo është shpërblimi më i madh për një ekip filmi.
albinfo.ch: Çfarë ndikimi mund të ketë ky dokumentar?
Wörner: Ai jep kurajë dhe ul barriera.
Gerspacher: Duam ta shfaqim jo vetëm në Zvicër, por në gjithë hapësirën gjermanofone dhe më tej. Po kërkojmë partnerë që të na ndihmojnë ta çojmë këtë histori sa më larg.
albinfo.ch: E shihni më shumë si dokument historik apo si thirrje për ndryshim?
Wörner: Mbi të gjitha, filmi synon të frymëzojë. Tregon se barrierat janë për t’u kapërcyer dhe se secili prej nesh mund të jetë nxitës i ndryshimit.
albinfo.ch: A do të vazhdoni me tema të barazisë dhe përfaqësimit?
Gerspacher: Po. Jam i përfshirë në disa dokumentarë të tjerë me tema sociale, nga të drejtat e komuniteteve indigjene te barazia gjinore.
Voice of My People përveç se një dokumentim i një fitoreje politike, paraqet një vështrim të afërt mbi një zë që përfaqëson shumë të tjerë. Përmes harmonisë krijuese të tre regjisorëve, filmi sjell një rrëfim që prek, nxit reflektim dhe na kujton se përfaqësimi nuk është privilegj, por e drejtë. Reagimet e publikut tregojnë se kjo histori shkon përtej individit – ajo hap një dritare të re për shoqërinë zvicerane dhe rolin që individët me sfida të dukshme a të padukshme mund të kenë në hapësirën publike. Dokumentari mbetet kështu një testament i fuqisë së një zëri kur ai dëgjohet me ndershmëri dhe kur një ekip krijues zgjedh ta tregojë me përgjegjësi.
Për protagonistin e filmit
Politikani i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës SP Islam Alijaj ka aftësi të kufizuara fizike dhe një pengesë të theksuar në të folur. Kur u zgjodh në Këshillin Komunal të Cyrihut pavarësisht renditjes së ulët në listën zgjedhore të partisë së tij kjo u konsiderua një mrekulli e vogël. Ai më pas vendosi të synonte një qëllim edhe më të madh një vend në Këshillin Kombëtar të Zvicrës. Historia u përsërit kur me mbështetjen e shumë njerëzve ai arriti sërish të pamundurën. I realizuar me ndihmën e një fushate crowdfunding dokumentari VOICE OF MY PEOPLE rrëfen historinë e një fushate unike. Ai ofron një vështrim të brendshëm mbi fushatat zgjedhore në Zvicër dhe ngre pyetje mbi kuptimin e vërtetë të përfaqësimit në një demokraci.
Trailer i filmit: https://www.youtube.com/watch?v=SW4iuqcICNw&t=3s
E-Diaspora
-
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, Metihe Mehmeti, 42 vjeçe, do të marrë detyrën e... -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin -
KQZ nis vlerësimin e rreth 13 mijë votave të diasporës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në kuadër të festës së 28... -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri















