Kosova

Vizitën e parë më 2024 e nis në Kosovë: David Cameron takohet me krerët e Qeverisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, po qëndron për vizitë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sot Cameron do të zhvillojë një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Pas takimit, Gërvalla dhe Cameron do të deklarohen për media.

Ministrin britanik të Punëve të Jashtme do të takojë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Ndryshe, Cameron ka arritur mbrëmë në Prishtinë.

Ai është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit në një postim në Twitter shkruan se ishte kënaqësi të takojë ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë.

“Kënaqësi të pres ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron, në Prishtinë, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar të këtij viti. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur dhe besnik i Republikës së Kosovës që para krijimit të shtetit tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që gëzojmë”, shkruan Kurti.