Lajme
Viti i ndryshimeve politike
Me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, qytetarët përmbysëse në 20 komuna keqqeverisjen, ndërsa, sipas analistëve politikë, dëshmuan se populli kërkon ndryshim në qeverisje
Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit kanë zhdukur nga skena politike rajonalzimin partiak. Disa nga komunat që për disa vite kanë qenë bastione të partive politike, nuk do të jenë më, pasi që Dukagjini nuk do të jetë vetëm e AAK-së së Ramush Haradinajt e as Prishtina e LDK-së së Isa Mustafës.
Po ashtu, sipas analistëve në Kosovë, gjendja ka ndryshuar edhe në komunat ku ka qeverisur PDK e kryeministri Hashim Thaçi, si Mitrovicë, Malishevë, Gjilan e Ferizaj.
Me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në Kosovë u ndëshkuan të gjitha keqqeverisjet me anë të votave të qytetarëve, thonë analistët politikë në Prishtinë. Sipas analistëve, qytetarët me rezultatet përmbysëse në 20 komuna, dëshmuan se kërkojnë ndryshime në qeverisje.
Analisti Ilir Deda thotë se ndryshimet e 1 dhjetorit janë fitore e madhe e qytetarëve dhe demokracisë në Kosovë.
“Është një humbje e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe është një fitore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fitues të vërtetë janë Vetëvendosja, e cila ka fituar kryeqytetin, Shpend Ahmeti, Mimoza Kusari -Lila në Gjakovë dhe Aleanca Kosova e Re në Mitrovicë”, thotë Deda, citon REL.
Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj, thotë se me këto zgjedhje u tregua qartë se votat e qytetarëve ishin kundër qeverisjes së keqe në të gjitha komunat.
“Vota në pothuajse çdo komunë ka qenë votë negative. Ka qenë votë kundër qeverisjes së deritashme. Kjo e tregon një vërejtje shumë të madhe për gjithë klasën politike. Kjo tregon se qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur fare me mënyrën se si po qeveriset Kosova dhe kërkon një ndryshim rrënjësor”, thekson Arifaj.
Krahas PDK-së që ka nën udhëheqje 10 komuna dhe LDK-së me 9, edhe “Lista serbe” do të ketë po ashtu nën udhëheqje 9 komuna të Kosovës dhe pritet të drejtojë Asociacionin Serb të Komunave.
Publicisti Belul Beqaj thotë se ky subjekt politik i formuar nga Beogradi, është fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve.
“Misioni i serbëve të Thaçit përfundoi. Filloi misioni i serbëve të Dacicit. Kujtoj se është çështje e rrethanave kur edhe ministri kosovar i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, do të shpallet tepricë teknologjike në Qeverinë e Kosovës, ngase të gjitha veprimet kryesore në komunat serbe, po i kryen ministri i Serbisë i ngarkuar për Kosovë. Ky është ai ndryshimi që duhet ta analizojmë seriozisht dhe çfarë efektesh do të na sjellë”, vlerëson Beqaj.
Se në Kosovë po krijohet një hartë e re politike, për këtë flasin edhe vetë partitë më të mëdha.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, beson se votuesit nuk e zhgënjyen PDK-në, por se tani, edhe PDK-ja duhet t’i bëjë disa ndryshime të brendshme që të ruajë primatin në skenën politike.
“Votuesit na kanë dhënë mbështetje për të udhëhequr vendin, por të njëjtën kohë na e kanë dhënë edhe mesazhin për ndryshimet e nevojshme e të domosdoshme në PDK, si parakusht i domosdoshëm për të vazhduar udhëheqjen në nivel të Republikës së Kosovës dhe në shumicën e komunave”, thotë Thaçi.
Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në garën e tij për kryetar të Prishtinës humbi nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, thotë se LDK-ja po kthehet në subjektin numër një në Kosovë.
Ai pret që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LDK-ja të marrë nën drejtim Qeverinë e Kosovës.
“Nuk do të jetë ditë e largët që ne do të shënojnë fitore në zgjedhjet nacionale dhe LDK-ja do ta themelojë Qeverinë e Kosovës dhe në mënyrë të përgjegjshme e të ndërgjegjshme, ne do të qeverisim me vendin”, shprehet Mustafa.
Njëri nga liderët kosovar që në vazhdimësi ka thënë se do të luftojë që të bëhet kryeministër, është Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Pavarësisht humbjeve në Pejë e Gjakovë, Haradinaj ende shpreson se e ka të hapur mundësinë për t’u bërë kryeministër.
“Unë u ofroj qytetarëve një kualitet qeverisës të një qeverisjeje 100-ditëshe që kam qenë dhe do të ofertoj me të në garë me secilin që hyn në këtë garë dhe kuptohet qytetarët më pas do të vlerësojnë. Ne i kemi 15 për qind të votave të qytetarëve të Kosovës”, thekson Haradinaj.
Ndryshe, partitë politike kosovare tashmë i kanë shpejtuar hapat për të rrumbullakësuar reformën zgjedhore, e cila pritet të miratohet në Kuvend në fillim të muajit shkurt. Prandaj, sipas parashikimeve, në Kosovë do të ketë zgjedhje të përgjithshme në vjeshtën e këtij viti.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”










