Lajme

Vetëvendosje:Protesta ishte shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë

Shumica e protestuesve të arrestuar në protestën për bllokimin e mallrave serbe, tashmë janë liruar, vetëm 15 prej tyre po mbahen në burg

Dhjetëra të arrestuar e të plagosur është bilanci i protestave të së shtunës të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje

Protestuesit u bllokuan nga policia për të shkuar në drejtim të pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për të protestuar me moton “Serbia nuk kalon”.

Pas intervenimit të policisë së Kosovës ndaj protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin nisur në drejtim të dy vendkalimeve kufitare, thuhet se janë arrestuar rreth 100 aktivistë të Vetëvendosjes, në mesin e tyre edhe deputet.

Xhelal Sfeçla nga Vetëvendosje ka thënë se në mesin e të lënduarve janë edhe dy të lënduar me plumba gome.

Ndërkohë, Policia e Kosovës njofton se në magjistralen Prishtinë- Podujevë janë arrestuar 112 persona, kurse në vendkalimin kufitar, Dheu i Bardhë, deri në këto momente janë arrestuar 34 persona.

Ndërkaq, sipas informatave të fundit, Vetëvendosje ka paralajmëruar vazhdimin e protestës së saj deri në momentin kur qeveria, sipas saj, të zbatojë reciprocitetin politik e tregtar me Serbinë.

Po ashtu nëpërmjet një komunikate Lëvizja ‘Vetëvendosje’ tha se se protesta nuk ka eskaluar, por është sulmuar dhe shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë.

“Sot, Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke e bërë Kosovën shtet policor. Nga mëngjesi policia ka provuar ta parandalojë protestën. Rruga prej Besianës për në Merdar është bllokuar para mesditës. Asnjë automjet nuk është lejuar që të kalojë dhe, madje, as kalimtarët, pra as udhëtarët që kanë ecur këmbë”, thuhet nga Vetëvendosje.

Monitorues të KMDLNJ-së të cilët monitoruaa ecurinë e protestave të  Vetëvendosje në pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë vlerësuan se protesta ka qenë e qetë deri në momentin e intervenimit të policisë dhe se protestuesit nuk kanë provokuar dhunën apo intervenimin e policisë.

KMDLNJ vlerëson se intervenimi i policisë ka qenë i ngutshëm dhe i panevojshëm sepse askush nuk ka qenë i rrezikuar gjatë kohëzgjatjes së protestës.

Rreth protestave ka reaguar edhe shefi i zyrës civile ndërkombëtare Piter Faith, i cili ka shprehur keqardhje për dhunën që ka shpërthyer mes protestuesve e policisë në dy pikat doganore. Ai për mediet në Prishtinë ka thënë se kjo situatë nuk është dashur të ndodh.

“Me vjen keq për ato pamje të dhunës që pash. Më vjen që deklarata ime e Qeverisë de shumë deklarata tejra për shmangie nga dhuna nuk janë marr parasysh, ndjej keqardhje po ashtu edhe për njerëzit dhe policët e lënduar gjatë protestës”, ka thënë Faith.