Lajme
“Vetëvendosje”:Do ta kalojmë natën në rrugë
Me gjithë motin shumë të ftohtë, protesta e Lëvizjes „Vetëvendosje“ po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes
Protestuesit që janë mbledhur në rrugët magjistrale që çojnë kah pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, vazhdojnë të qëndrojnë aty që nga ora 13, ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një prononcim për mediet në Prishtinë, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave. Megjithatë televizionet kosovare që po raportojnë direkt nga vendi i ngjarjes konstatojnë se po zvogëlohet numri i protestuesve në dy pikat kufitare.
Lëvizja „Vetëvendosje“ është ankuar në policisë se po i konfiskon materialet logjistike, si ushqimin e veshmbathjen të dedikuar për protestuesit.. Por policia ka demantuar një pohim të tillë duke theksuar se ka lejuar që ushqimi dhe veshmbathja e protestuesve të shkojë deri tek ata duke mundësuar edhe qarkullimin në afërsi të automjeteve..
Qeveria e Kosovës, ndërkaq, në një deklaratë për media e ka quajtur protestën e Vetëvendosjes si politike dhe të panevojshme.
Qeveria ka theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, por “një gjë e tillë nuk mund të keqpërdoret nga askush dhe për asnjë qëllim”.
Por, Albin Kurti, ka bërë të ditur se reciprociteti të dielën e 22 janarit po zbatohet, meqë, sipas tij, nuk është lejuar që të hyjë nga Serbia asnjë kamion apo automjet i vogël me targa serbe. Policia e Kosovës, e cila nuk ka lejuar afrimin e protestuesve në vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, ka raportuar për situatë të qetë.
Që nga fillimi i protestës, në orën 13, e deri më tash nga pika kufitare në Merdare, sipas njoftimeve nga terreni, nuk ka hyrë asnjë automjet apo kamion me targa të Serbisë. Një kamion me tabela të Shkupit të Maqedonisë është lënë i lirë të kalojë nga ana e protestuesve.
Ndërkaq, nga rruga magjistrale që çon te Dheu i Bardhë, njoftohet se deri tash janë kthyer nga protestuesit disa automjete të vogla me tabela të shtetit serb. Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në afërsi të vendkalimit Dheu i Bardhë, për shkak se ka tentuar t’i heqë tabelat serbe një makine në qarkullim.
Po ashtu, policia ka njoftuar përmes një komunikate për media se gjate ditës së diel në pikëkalimin kufitar Merdare kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre të tjerë kanë kaluar në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa përcaktuar se çfarë tabela kishin këto automjete.
Në protestën e zhvilluar në Podujevë, ka qëndruar dhe ish-ambasadori i misionit verifikues të OSBE-së, Uilliam Uoker, i cili ka thënë se ka ardhur që të shohë për së afërmi protestat për bllokimin e mallrave serbe në Kosovë, të cilat në javën e kaluar rezultuan me përplasje ndërmjet policisë dhe protestuesve.
14:30 – Protestohet qetë, nuk raportohet për incidente
Protesta e Lëvizjes “Vetëvendosje” po zhvillohet qetë në afërsi të dy pikave kufitare me Serbinë. Protesuesit nuk janë lejuar nga ana e Policisë së Kosovës, që të shkojnë deri te pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
Protestuesit janë grumbulluar disa kilometra larg këtyre pikave, ku po qëndrojnë me qëllim që të bllokojnë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Që nga fillimi i protestës, në orën 13, e deri më tash, nga pika kufitare në Merdare, sipas medieve në Prishtinë që raportojnë nga vendi i ngjarjes, nuk ka hyrë asnjë automjet apo kamion me targa të Serbisë.
Një kamion me tabela të Shkupit të Maqedonisë është lënë i lirë të kalojë nga ana e protestuesve, të cilët kanë bllokuar njërën korsi të kësaj rruge magjistrale.Ndërkaq, nga rruga magjistrale që çon te Dheu i Bardhë, njoftohet se deri tash janë kthyer nga protestuesit disa automjete të vogla me tabela të shtetit serb.
Por, Policia ka njoftuar përmes një komunikate për media, se gjate ditës së sotme në pikë- kalimin kufitar në Merdare, kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre të tjerë kanë kaluar në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa përcaktuar se çfarë tabela kishin këto automjete.Përfaqësues të Lëvizjes kanë thirrur protestën, siç është thënë, në mbrojtje të Republikës dhe prodhimit vendor.
Aktivistët që janë nisur drejt pikës kufitare në Merdare, janë ndaluar nga policia në vendin e quajtur “Dy urat”, në dalje të Podujevës, përtej kryqëzimit ku kishin ndodhur përplasjet e javës së kaluar.
Policia ka bërë një kordon në mes të dy urave duke mos lejuar depërtimin e protestuesve kah pika kufitare me Serbinë, Merdare.
Policia e Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se deri më tash nuk është regjistruar asnjë incident në të dy rrugët magjistralet që çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje nuk hoqi dorë nga protestat e sotme në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut. (REL)
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit









