Lajme

Vetëvendosje me Projektligj për gazetarët

Deputetja Alma Lama ka dozuar një projektligj me të cilin mbron burimin e informacionit në rast se u kërkohet gazetarëve

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ia dorëzoi të enjten Kuvendit të Kosovës “Projektligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë”. Ky projektligj, siç thuhet në njoftim të VV-së, synon të ofrojë mbrojtje të gjerë për gazetarët dhe profesionistë e tjerë që punojnë në media për sa i përket ruajtjes së konfidencialitetit të burimeve të informacionit.“Në bazë të këtij projektligji gazetarët kanë të drejtë të heshtin përpara organeve të drejtësisë në lidhje me burimet e tyre. Po kështu, asnjë autoritet nuk mund të bastisë apo kontrollojë redaksitë apo shtëpitë e gazetarëve për t’ju marrë shënimet apo materialet që mbledhin për shkak të profesionit”, thuhet në njoftim të Vetëvendosjes.Projektligji, siç thuhet më tej, është mbështetur në përvojat më të mira të vendeve të BE-së si dhe në vetë rekomandimet e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. “Gjatë fazës së hartimit janë thirrur për të marrë pjesë edhe palët e interesuara, përkatësisht gazetarët e mediave të ndryshme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e deputetes Lama. Kjo është nisma e pare ligjore nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendose. Kjo e fundit siç thuhet në një deklaratë, planifikon të iniciojë edhe ligje të tjera të cilat janë thelbësore për sundimin e ligjit në Kosovë si dhe në të mirën e qytetarëve.Ndryshe, ishte deputetja Lama ajo që kishte iniciuar heqjen e dy neneve kontroverse nga Kodi Penal i Kosovës, 37 dhe 38/ ketë dy nene kanë parashikuar publikimin e burimit të informacionit, që kanë rënë ndesh me parimet themelore të informimit medial. Deputetja Lama e cila është vete gazetare e kishte hetuar me kohë se dy nenet e Kodit janë anti-demokratike.